Vangjush SARO / Çfarë nuk duan shqiptarët…

640
Sigal

Ndërsa në Shqipëri një palë vazhdojnë të prodhojnë bujë e delir, fakte të shumta tregojnë se “po na merren këmbët”. Shqipëria vazhdon të përjetojë krizë ekonomike, politike dhe shoqërore. Do të përpiqemi të ofrojmë për lexuesin e nderuar disa fakte që flasin. Mirë është të mos bëjmë siç bëjnë prodhuesit e delirit, sipas të cilëve kemi një sistem perfekt, që funksionon; (sipas z. Sali Berisha, kryeministrit të partisë në pushtet a të klanit në pushtet – jo të shqiptarëve – “vetëm Shqipëria e Gjermania po qëndrojnë të paprekura nga kriza në Europë”.) Le të lexojmë tani me qetësi disa të dhëna e përfundime të institucioneve më të besueshme ndërkombëtare. Disa javë më parë, Banka Botërore – në raportin, të cilin në shqip do ta përkthenim “Të paguash taksat 2013” – e renditi Shqipërinë në 25 vendet e fundit, (nga 185 ekonomi të botës të cilësuara në këtë studim). Sipas Bankës Botërore, shkaku kryesor për këtë, janë procedurat e shumta dhe barra e lartë administrative që i ngarkohet biznesit, krahasuar me vendet e tjera. Shqipëria cilësohet si vendi “me sistemin më të vështirë tatimor në rajon” dhe “një nga më të vështirët në botë”. Është një sistem që krijon kosto dhe penalizon biznesin. Raporti thotë se në Shqipëri, një ndërmarrje duhet të kryejë mesatarisht 44 pagesa taksash në vit. Këtu përfshihen kontributet, tatimi mbi fitimin, TVSH-ja dhe taksat e tjera lokale. I njëjti tregues në vendet e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore(!) është  mesatarisht 28 pagesa, ndërsa në vendet e zhvilluara të OECD, është gati 4 herë më pak ose 12 pagesa.  Disa nga treguesit e Eurostat, gjithashtu na tregojnë se sistemi “nuk funksionoka si duhet” dhe hedhin dritë mbi qëndrimin në vend të ekonomisë shqiptare. Kështu, sipas kësaj agjencie, inflacioni nga 2.2 % në vitin 2009, shkoi 3.6 % në vitin 2010 dhe në vitin 2011 është 3.9 %, nivel tepër i lartë dhe alarmues. Po sipas Eurostat, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto në Shqipëri ka qenë respektivisht 3.3 % në vitin 2009, 3.5 % në vitin 2010 dhe 2.5 % në vitin 2011; pra, në rënie. Të dhëna nga The World Factbook (CIA), thonë se për vitin 2011 Shqipëria ka pasur një rritje të PBB-së prej vetëm 2 %. E njëjta agjenci, nënvizon problematikat e vendeve fqinje, si pasojë e të cilave edhe remitancat (dërgesat nga emigrantët) kanë rënë nga 12-15% përpara vitit 2008, në 8% për vitin 2010.

Koordinatorja rajonale e Bankës Botërore Jane Armitage, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, tregon për situatën e borxheve në disa nga qeveritë e rajonit. “Do të thoja se borxhi në Malin e Zi, Serbi dhe Shqipëri, është në nivele shumë të rrezikshme; veçanërisht në Shqipëri, në 60 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto…” Më tej, koordinatorja e BB shton se Shqipëria dhe ish-Republikat Jugosllave kanë pësuar rënie të eksporteve dhe investimeve direkte të huaja për shkak të krizës së borxheve në Eurozonë. Ekspertja e BB nënvizon edhe ajo se remitancat nga qytetarët jashtë vendit janë ulur dhe “dimri i ftohtë dhe vera e nxehtë kanë goditur sektorin e bujqësisë dhe prodhimin e energjisë”.

Të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt. Gjërat kanë një lidhje. Po në këto “ujëra”, ishte edhe studimi me titull “Urë mbi ujëra të turbullt”, i bërë publik disa javë të shkuara. (I bashkëpërgatitur nga tre qendra e fondacione me seli në Bullgari, Gjermani dhe SHBA, studimi analizonte disa prej ngjarjeve më të rëndësishme në vend, duke nisur nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.) Dhe ja çfarë lexuam atje krahas të tjerave: “Në vend të konsolidimit të demokracisë, Shqipëria ka përjetuar një spostim drejt një ushtrimi kontrolli gati të plotë nga elita qeverisëse, si dhe një përdorimi gjithëpërfshirës të procedurave jodemokratike, ku ligjet përdoren për të ushtruar kontroll nga elitat në fuqi. Nuk bëhet fjalë vetëm për problemin e dallimit mes ‘letrës dhe frymës’, apo ‘procesit dhe vlerave të ligjeve’, por gjithashtu për keqpërdorimin e ligjeve dhe institucioneve për qëllime vetjake politike dhe individuale. Sundimi i ligjit është i një rëndësie thelbësore, por Shqipëria shënoi hapa pas në këtë fushë dhe për aktorët ndërkombëtarë u duk të ishte e vështirë që të gjenin përgjigjet e duhura ndaj abuzimit me institucionet dhe procedurat.”

Le ta përmbyllim me një të dhënë të fundit nga Banka e Shqipërisë, që (pas një studimi) na tregoi këto ditë se 31 % e shqiptarëve janë në borxhe, 15 % e tyre janë në lista… Në listat e borxheve të dyqaneve. Kujtoni se si kryeministri aksidental i shqiptarëve, Sali Berisha, i papërballueshëm si politikan (djallëzor), i paaftë si drejtues shteti e qeverie, premtoi t’i zhdukte ato pa ardhur ende mirë në pushtet, në vitin e “largët” 2005…

Ajo që të shqetëson më shumë në këtë tablo dhe përtej kësaj tabloje, është lufta e pakët politike që zhvillohet në fushën e mendimit ekonomik dhe qëndrimi indiferent i një sërë shkruesish, që mbetën duke prodhuar ideologji e replika dhe jo alternativa. Qeveria aktuale dhe drejtuesi i saj, janë gjithashtu një trupë që prodhon ideologji e replika, jo alternativa. Në veprën e tij të njohur “Ulisi”, Xhejms Xhojs thotë diku: “Çdo gjë kushton shtrenjtë kur nuk e do”. Në kapërcyell të këtij “dimri”, qytetarët shqiptarë duhet të mendohen edhe njëherë çfarë duan dhe çfarë nuk duan. Që të mos iu kushtojë kaq shtrenjtë.