Vangjush Saro/ Banaliteti, si ofertë e kohës…

668
Ka shumë arsye pse nuk i shkojnë punët mbarë një vendi, një populli në një kohë të caktuar. Njëra prej këtyre arsyeve është roitja(lajthitja) e përgjithshme për shkaqe të ndryshme; kjo roitje pasqyrohet, mes të tjerave, edhe në shndërrimin e banalitetit në një ofertë (gjoja) të kohës. Për fat të keq, në përhapjen e kësaj epidemie, një rol të dukshëm po luajnë politikanët dhe intelektualët, ja po them, edhe një pjesë e mirë e atyre që tashmë i quajnë VIP-a (!) Një e tillë, që rri gjithnjë me dhëmbët përjashta, por që i ecën, tregonte në një media (para disa ditëve) se si… e bën, stilet që përdor, (kur fle fëmija). Kohët e fundit ka një dëshirë të habitshme për të treguar se nuk kemi më droje nga asgjë banale, as nga termat e fortë, as nga shpallja publike e akteve intime dhe e organeve intime e të tjera këso. Punë snobësh. (Shiko se jemi kaq modernë, kaq të zhvilluar, kaq të kohës, saqë flasim çiltazi e pa doreza për gjëra që të tjerëve iu vjen zor…). Shpjegim për të gjithë tangërlliksit. Evropa dhe Perëndimi në tërësi i kanë kapërcyer dhe përcjellë me aq vëmendje sa duhej dukuri e “revolucione” të tilla. Por ne, si përherë, të vonuar… E kini parasysh se si u mbërthyen javë më parë dy analistë për arsye të termave të përdorura dhe të fjalës “spiun”… Nuk kishte gjë më banale e më të ulët. Jo shumë kohë më pas, kokë më kokë edhe të tjerë intelektualë të përkëdhelur të kohës së re. Me fyerje. Me gjuhë të ashpër, prej rrugaçësh. Dhe njerëzit shikojnë se si flasin gjepura apo kërleshen këto zonja e këta zotërinj të kënduar, që dinë gjuhë të huaja dhe që kanë mbajtur e mbajnë poste të rëndësishme në këtë palo shtet e në këtë palo shoqëri, të përbërë edhe prej palo intelektualësh. Një shkrimi normal, analizë ekonomike, del edhe i bën dikush karshillëk; por nuk mjaftohet me kaq, përpiqet edhe të denigrojë autorin, të cilit në fakt nuk i vjen as gjer te thembra(!) Në askund ka për të na çuar kjo mendjemadhësi e ky fodullëk. Banaliteti e ka strofkën në më të lartat fole të kësaj shoqërie. Janë publikuar disa herë në media fotot nudo të kryeministrit të tanishëm, Edi Ramës; (natyrisht, foto të adoleshencës së “dytë”). Ish-kryeministri Sali Berisha, i njohur për gjuhën e shthurur, ka folur dikur diku – në një përurim gjatë një fushate elektorale – për tredhje e të tredhur; (ai kishte parasysh atë që do ta zëvendësonte). Për së shumti, në krah të tij, ishte një grua, Jozefina Topalli, atëherë n/kryetare e PD-së dhe Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Dhe përqark tyre, ishin edhe disa fëmijë. Ndoshta ata fëmijë, në mbrëmje kanë pyetur të afërmit, se cili ishte kuptimi i tredhjes dhe kush ishte i tredhuri… Në Kuvendin e Shqipërisë, si për nga niveli i diskutimeve, ashtu edhe për nga fjalori, banalitetit është ulur këmbëkryq dhe… bën ligjin. Populli thotë se peshku qelbet nga koka. Le të kthehemi edhe te arti dhe artistët e zgjidhjeve dhe performimeve banale. Në një sërë spektakle, të televizioneve gjithfarë,shohim mungesën e letërsisë dhe të profesionalizmit, aktorët dhe drejtuesit e këtyre shfaqjeve e zëvendësojnë apo e kompensojnë me grimasa qesharake, me bërtitje, e sidomos me banalitete, që për fat të keq, ua bëjnë mendjen çarçaf një pjese të mirë të spektatorëve dhe shikuesve. Askush nuk vë dorë mbi një epidemi të tillë perverse, kur banaliteti tenton të prodhojë art, kur X aktor mbahet fort pas tingullit “q” të cilin e përcjell edhe me një “i” (gjithnjë duke u zgërdhirë), kur të tjerë “showmenë” nuk lënë rast pa përdorur fjalë e fjali me nënkuptime jashtë çdolloj edukate, kulture e trashëgimie. (Nuk ka asgjë të përbashkët midis zgjedhjes së banalitetit pothuaj, si zgjidhje për t’u zgërdhirë dhe përdorimit të fjalëve me hapësirë të kufizuar në funksion të vizatimit të një episodi a karakteri.) Ja edhe një tjetër argument në këtë temë. Është e disata herë që në librat për fëmijë, në tekstet shkollore dhe në të tjera gjithashtu, gjenden budallallëqe të papërfytyrueshme, që më e pakta, nuk të kanë as pikën e nivelit artistik, gjetje e mëvetësi letrare jo se jo. Kanë vetëm banalitet dhe mediokritet. Vargëzime të marrësh… Por në institucionet shqiptare, nuk shqetësohet njeri për të tilla “vogëlsira”. Atëherë, me kë të flasësh? Të dëgjon shurdhi? Të shikon i verbëri? Përpiqet të të kuptojë tangërlliksi? Iu është bërë mendja miq e para dhe ndonjëherë edhe letrarë të huaj (që në vendin e tyre janë krejt të rëndomtë). Mjaft që të mos inkurajojmë letrat shqip, autorët shqiptarë, mjaft që t’i marrim tregut edhe qindarkën e fundit. Në listat e institucioneve, pothuaj kopje të atyre që hartoheshin dikur – pra, edhe sot, në tërësi, ato janë produkte klanesh e pushteti – është po ajo frymë mbarështrimi miqsh e shokësh (që janë me partinë tonë, që sillen snobë si ne apo që thjesht do të na duhen nesër). Kështu shkoi puna me një sërë vlerësime e rekomandime dosido; (si ai për një libër me poezi erotike dhe të tjerë të “përzgjedhur” për t’u përkthyer; nëse do të gjendej dikush për t’i pëlqyer apo thjesht nëse do të gjendeshin fonde). Kështu bëhej edhe në kohën tjetër; edhe pse me përjashtime të rralla, shumë nga të përkthyerit me zor, sot kanë humbur me gjithsej. (Por me një dallim thelbësor; së paku, nuk flirtohej kaq haptazi me banalitetin dhe mediokritetin.) Por këto marifete e të tjera, nuk i ndalojnë protagonistët të shesin aristokraci nëpër ballo e situata që shkojnë krejt në të kundërtën e gjendjes në të cilën jeton vendi. Kur mendon se ka një Ministri të Arsimit që (nuk) shikon punë të edukimit dhe botimet, një tjetër që (nuk) shikon punë të Kulturës e ku di unë ç’tjetër, kur mendon që kemi një Akademi të Shkencave dhe një sërë universitetesh dhe institucionesh të tjera, gjer te shoqatat fantazmë, shumë prej tyre, ndoshta pa kurrfarë autoriteti e kompetencash, kur i hedh një sy (jo) kompetentëve që kemi ndër zyra kudo, pra edhe listave e përzgjedhjeve të tyre, përfshi banalitetet soj-soj, thua me vete: Përse nuk iu vjen mirë, kur flitet për prapambetje dhe kur thuhet haptazi që ndryshimi duhet filluar nga edukimi. I vetes. I qytetarëve. I intelektualëve. Edukim nuk do të thotë me doemos dhënie provimesh e kurse masive të rregullave të edukatës. Edukim do të thotë të respektosh më së pari ligjet, mandej parimet dhe detyrimet bazë të jetës qytetare, e cila në asnjë mënyrë nuk ka në themel të saj banalitetin dhe horrllëqet që po shiten si ofertë e kohës… Dhe këtë detyrim, e kanë më së pari pikërisht zyrtarët e lartë, politikanët, intelektualët dhe artistët. Pse lejohet epidemia e banalitetit? Është shumë e thjeshtë. Ka një shpërqendrim të krejt shoqërisë në tema të tjera, si mbijetesa, frika, etja për revansh, etja për fitime; në një vend që ndonjëherë i përngjan Teatrit të Kukullave, ku fijet i luajnë ata të cilëve s’iu bëhet vonë për fatin e shqiptarëve, për fatin e askujt; sepse Globalizmi merr përpara dhe shtyp e baltos më të prapambeturin, më të dobëtin… Epo, atëherë mjaft shitëm mend e tangërllisje, hajde të hiqemi nga ky batak, me peticione, me zgjedhje të tjera, duke iu qëndruar aleatëve përballë e jo në gjunjë, duke zhveshur fajtorët nga imuniteti i përjetshëm. (Po që s’i vjen zëri asnjërës palë…)
Sigal