Vangjush Saro: Baltëhedhje alla shqiptarçe

524
Herë pas here, në mjediset shqiptare shpërthejnë urrejtje të habitshme, hidhet baltë mbi këdo e mbi gjithçka; dhe përcillen episode që nuk di si t’i kuptosh e t’i shpjegosh. Më bëri përshtypje këto ditë, prishja dhe zhgarravitja e disa kutive postare dhe të shërbimeve të tjera, që Dekori i Tiranës, kështu po e quaj këtë ndërmarrje shkurtazi, i kishte dizenjuar për t’iu dhënë një pamje sa më të mirë. (U duk sikur një numër që lidhet me një ngjarje të rëndë në Tiranë, 21 janarin, ishte përdorur si pretekst për shkatërrim e ngallosje. Por është pak për të kuptuar natyrën tonë të egër; të sjelljes halabake ndaj punëve dhe pasurive shoqërore.) 
Nuk mund të themi se ato lyerje a vizatime kanë qenë ndonjë gjetje e madhe e ndonjë ndryshim i paparë për kryeqytetin shqiptar. Madje, ato të kujtojnë pak lyerjen e fasadave të pallateve të tij, kohë më parë; një punë që vende-vende u vlerësua, vende-vende u përqesh. Mund të thuhet, se ndërhyrje të tilla kanë edhe nga pak propagandë në thelb të tyre, njëlloj reklame, shikoni se ne po punojmë shumë mirë… 
Megjithatë, çdo punë duhet respektuar. Këtë e kërkojnë normat elementare të edukatës dhe të moralit. Fundja, kjo ndërmarrja e dekorit, prej vitesh hiqej zvarrë e, pothuaj nuk qulloste asgjë në Tiranë. Mirëpo ja, edhe njëherë që ajo del apo ridel në skenë, vandalët, të pakënaqurit, ekstremistët, mllefaxhinjtë, inatçinjtë – çfarë mund të thuhet tjetër – të gjithë këta pra (edhe më keq, nëse janë një lëvizje politike) i flasin asaj në dorë, e përqeshin, madje ia zhgaravisin punën gjithë ligësi. Hedhin baltë; material që gjendet dhe përdoret me shumicë ndër ne.
Vërtet. Sa i menjëhershëm reagimi i strukturave vandale! Dhe sa shumë vrer që derdhet në mjediset shqiptare në përgjithësi! Mjafton të ndiqni seancat kuvendore të së enjtes dhe do të bindeni për këtë; madje, edhe për atë, që vreri derdhet më së pari, nga goja e “baballarëve” të kombit. (Këta myteberë janë zgjedhur e paguhen – të mos e themi sa – me taksat e qytetarëve – spektatorë, të cilët për vete janë teK thërret “qameti”.) Pastaj, mund t’i hidhni një sy rrjeteve të shumta, për të parë se si kërleshen shqiptarët e të gjitha vendeve e trevave, duke synuar sekush sa më shumë të drejta, qoftë edhe në temën “e lagu s’e lagu bishtin Dhelpra”. Dhe gjithçka bëhet duke artikuluar sharjet dhe fjalën më të fundit. Por sidomos, baltë. Fqinjët. E shkuara. Kundërshtari. Kadareja. Alternativa tjetër. Filmat shqiptarë. Z. Trump… Ka baltë sa të duash. 
Më tej, shikoni se çfarë ndodh me të ashtuquajturat spektakle humori, ku nënkuptimet e gjesteve dhe akteve banale interpretohen në “mënyrë artistike”. Mund të shikoni gjithashtu “pazarin” e letrave shqip dhe atë të artit shqiptar, ku narcizizmi, deliri dhe kaosi hedhin valle e bëjnë festë. Në përgjithësi, shpërfytyrimi i qytetarisë, i mjedisit, mendjemadhësia, shpërfillja, sjelljet e pista dhe fjalët e pista, sharjet e denigrimet gjithashtu, janë bërë buka e ditës. Dhe më zi se kaq, nuk ka ku të shkojë… Në këtë luftë pa kuptim, për fat të keq, po rriten breza të tërë.
Retrospektivë. Episodi i mësipërm, sa edhe këto të tjerët që i përkitën komentit, më kujtojnë edhe shumë të tillë, të ngjashëm; nga e shkuara socialiste dhe nga kjo koha e vështirë e tranzicionit. Në mesin e viteve ‘80 (të shekullit që shkoi) për të përmirësuar shërbimin e transportit urban, në kryeqytet, u sollën disa autobusë, përgjithësisht të mbajtur mirë – më duket se ishin blerë në Austri – të cilët për nja një muaj, u duk se ndryshuan edhe vetë sjelljen e qytetarëve të kryeqytetit. Të pastër, të mirëmbajtur nga ana teknike, të shumtë në numër, me ndalesa të rregullta, me nisje në kohë – gjatë kësaj pjese, autobusët ngriheshin pak – ato mjete pothuaj diktuan sjelljen e njerëzve. Të gjithë hipnin e zbrisnin me kujdes. Dhe silleshin me njëlloj vetëpërmbajtjeje. 
Por kjo situatë rozë nuk vazhdoi gjatë; me kalimin e ditëve, gjithçka u përmbys, u shqiptarizua, u ballkanizua. Pensionistët llafazanë, sidomos ata më fanatikët, zunë të ankoheshin pse kaq shumë autobusë, pra, kishte “abuzime”… Shoferët dhe mekanikët filluan të vidhnin pjesët e “munguara”. Udhëtarë të pandërgjegjshëm çanin sediliet. E mori lumi atë punë. Shkuan në “fis” ata autobusë dhe shërbimi urban…
Dhe tani, ngallosjet e fundit në kutitë postare dhe të shërbimeve të tjera në kryeqytet, si dhe gjithë baltërat e tjera, politike a shoqërore, kolektive a individuale, na tregojnë sërish që ne jemi sot e gjithë ditën qytetarë me komplekse; që një shumicë e jona, ka qenë dhe mbetet: vandale dhe e papërgjegjshme, gjithaq e pandërgjegjësuar për nivelin e saj të ulët qytetar e kulturor. Habitesh ndonjëherë, kur edhe individë, në pamje të parë me njëlloj kulture e shkolle, për gjëra që nuk u vijnë atyre pas midesë, të hidhen gjithë egërsi, sikur po kanë përpara armikun. Dhe e kanë gati grushtin me baltë.
Këto gjëra, natyrisht, ndodhin edhe në vende të tjera. Ajo që të habit, për sa i takon fragmentit shqiptar, është shpejtësia dhe shpeshtësia e bërjes së baltës, me të cilën qëllohet mbi çdo pamje qytetare. Jam përpjekur ndonjëherë, si edhe kolegë të tjerë, të shpjegoj, me modesti, arsyet e vetëshkatërrimit, të egoizmit bosh, të sjelljeve vandale, të dëshirës për të baltosur, dukuri që vijnë e pllakosin herë pas here qytete e njerëz, vepra e punë të ndryshme, krejt vendin; vendin që vuan prej shumë kohe tranzicionin e imponuar nga interesa, klane dhe individë që e kanë çuar behar në çdo kohë… Gjergj Fishta, një nga njerëzit më të njohur të kulturës dhe qytetarisë shqiptare, ankohej teksa thoshte: “Pse shqyptarëve asht tue m’u ba,/ s’u vjen gjuha tjetër gja,/ veç me pshtjellë e me ngatrrue, për shoshojn veç me shprrallue, punët e mbara me i shkatrrue…” (Nakdomonicipedija). 
Druaj se koha në vazhdim, për shkak të sofistikimit të proceseve zgjedhore tek ne, nuk do të na japë ende shpjegime në këtë temë, përkundrazi, mund të na ngatërrojë edhe më keq; dhe kësaj i duhet dalë përpara. Stefan Cvajg thoshte: “Në histori, momentet gjatë të cilave arsyeja dhe pajtimi mbizotërojnë, janë të shkurtra dhe të papërfillshme.” Ndonjëherë, të merr inati edhe me të thënat dhe citatet, sado që shumica e tyre janë të drejta dhe përcillen nga njerëz të ditur dhe me shumë përvojë. Ndryshimet që aspirojmë, megjithatë, nuk bëhen me citate, por përmes veprimit të ligjeve dhe shëndoshjes së institucioneve.
Sigal