Vangjush Saro: Adhamudhët e Shqipërisë

846
Herë pas here, në jetën shqiptare, në episode të ndryshme, politike, qytetare, artistike, të natyrës së sjelljes së individëve ndaj vendit e gjendjes së tij, etj., hyjnë me bujë të madhe e duke u sjellë si padronë të së vërtetës, snobë të kalibrave të ndryshëm; të “jashtëm” e të “brendshëm”, njerëz që priren të bien në sy me doemos, cilado qoftë tema apo ngjarja. Mendoj se nuk mund të përftohet asgjë nga përcjellja me zhurmë dhe patetizëm e rasteve; nga recitimet, bërtitjet, qortimet nga pozita të “avancuara”, gjithë pasion, një pasion i kërkuar, që mbyt krejt modestinë dhe gjykimin e ftohtë mbi ngjarjet dhe njerëzit. Në mënyrë të veçantë, sapo që çelet ndonjë temë që përqas vendin me Botën, i ke të gjithë snobët në këmbë, duke dhënë mend, duke treguar përvojat e tyre, të mira apo të këqija e, ndonjëherë, të papërcaktuara. Njëri thotë nuk vij më. (Në Shqipëri, është fjala.) Një tjetër thotë nuk iki… Një i tretë shan, një i katërt mallkon, më tutje dikush merr në mbrojtje atë që është “dhunuar”. E gjithë kjo farsë, zhvillohet në një klimë deliri dhe vetëkënaqësie, mendjemadhësia dhe prirja për të thënë fjalën e fundit, po rritet në mënyrë të përshpejtuar; grafiku i kësaj marrëzie ka marrë për keq.

Adhamudhët e Shqipërisë bëhen më agresivë sidomos në kohë pushimesh. Me të vërtetë, është pak e vështirë të kuptosh pse duhen përcjellë jetët, udhëtimet, pushimet, kënaqësitë dhe pakënaqësitë, me kaq shumë ngashërime dhe përherë në eksklamacion; (ktheni sytë nga unë, o njerëz dosido, hapni veshët, duhet të më dëgjoni se s’bën, do të tregoj thagma…) Qofsha i gabuar, por njerëzit që orë e çast mëtojnë të shesin mend, ata që vdesin të duken e të faktorizohen me doemos, janë në kufijtë e psikopatisë. Nuk është ndonjë fatkeqësi e madhe; vetëm se duhet kuptuar që s’mund të vazhdohet duke ua publikuar atyre të gjitha marrëzitë që thonë e që bëjnë; sepse paskëtaj, plas një debat e fillon një muhabet fshatçe, që s’ka të mbaruar dhe që përfshin gazeta, portale, kafene, ç’të mundet. (Më vjen në mendje sakaq një nga thëniet e O. Uajld: “Debatojnë vazhdimisht ata të cilëve u ka shteruar inteligjenca.”)

Shqipëria është një vend si shumë të tjerë, në Ballkan dhe në Evropë. Ka gjëra, jo pak gjëra, që nuk shkojnë mirë. Ti e unë (dhe 1 milion e ca kështu) jetojmë tani në vende të tjera. Na bëhet mirë, vijmë. Mirë se erdhët! Dikur duhet të ikim. Udha e mbarë! Duam të rrimë përgjithnjë, mund të rrimë. A kemi dashuri? Kjo është një ndjenjë e përshkallëzuar. A na vjen të konstatojmë dukuri të pakëndshme, të bëjmë vërejtje, të shprehim ndonjë ide a mendim se si mund të bëhet më mirë? Bujrëm! Çfarë ka këtu për t’u bërë me doemos publike, për më tepër çfarë ka këtu për t’u kanosur, iki, vij, nuk vij, ju bëfsha atë, ma bëfshit këtë!… Personazhet vanitoze – ata që jetojnë jashtë dhe ata që jetojnë brenda – gjithnjë përpiqen të trazojnë jetën e të tjerëve, shoqërinë mbarëshqiptare e, ndërkohë, mediet janë të gatshme t’ua shtrojnë, si ata duan, sofrën e llafazanërisë. Kjo është bërë bajate tashmë.

Në Shqipëri dhe në Botën andej e këtej këtij vendi, qytetarët jetojnë e punojnë dhe bëjnë një jetë familjare të tyren. Një shumicë kanë fituar apo pajisen çdo ditë me shprehi dhe tipare të tjera, sipas kushteve e jetës që bëjnë, sipas përvojës që përjetojnë. Ka shumë syresh që mbijetesa i mban larg farsës së përditshme, ku snobët bëjnë si interesantë; ka të tjerë që punojnë në institucione të rëndësishme apo kanë bizneset e tyre, por nuk i kërkojnë askujt t’iu bëjë publicitet; mandej, një pjesë kanë bërë më shumë emër: me studimet e tyre, me talentin e tyre, në letërsi, muzikë, pikturë, sport. Ani. Në një botë moderne e të përparuar, gjithkush ndjek fatin dhe rrugën e vet. Është e habitshme, por edhe e mërzitshme, që disa duan ta shndërrojnë çdo gjë në spektakël, duke ushtruar trysni mbi mediet, mbi gjithë qytetarët e tjerë (që nuk përpiqen të duken a të shiten, pa le se ç’janë e ç’kanë arritur). 

Adhamudhët më kujtojnë një shokun tonë të gjimnazit, që pas vitit të parë të shkollës së lartë në Tiranë, kur ishte me pushime (si edhe ne) na thoshte në të folmen e “kryeqytetit”: “Ec, mor jahu, o bo punë e ngatrrueme…” Kjo sjellje prej të përkëdhelurish, e përsëris dhe do të doja të isha i gabuar, i çon disa individë në kufijtë e psikopatisë. Kam qenë kaq vjet në SHBA! Po pastaj? Jam aty e këtu! Jam në majë të pemës!… Narcizmi i këtyre njerëzve, është i padurueshëm. Mandej, përfshirja, në këtë ndjesi, e atdheut, e vendit që ka jetën dhe hallet e veta, duke i përfolur, është fare e pakuptueshme. E shumta që mund t’iu thuhet këtyre vanitozëve, është kjo: Zotëri, zonjë, kudo që jeton, kushdo që je, bëj jetën tënde, mos i trazo të tjerët me psikopatitë e tua, me ngashërimet e tua, me narcizmin tënd. Nëse je në gjendje të ndihmosh sadopak atë vend, me sjelljen, me gjuhën, me veprat e tua, me kujdesin për fëmijët e tu, bëje; por, mundësisht, pa u ndjerë kaposh dhe pa prodhuar kaq shumë bujë.

Duke i përmbyllur këto radhë, them me bindje se snobizmi – marrja e pozave a thua po vijmë nga Hëna, mohimi i gjithçkaje të mirë, prirja për të shitur dëngla e për të rënë në sy me doemos, dëshira përvëluese për t’u dukur ndryshe – s’është veçse prapambetje e, më në fund, diçka që nuk përputhet me kohën dhe jetën e sotme. Ndonjëherë, këtë të vërtetë të thjeshtë, e kuptojnë dhe e përcjellin më mirë dhe pa bërtitur qytetarët e zakonshëm; ndryshe nga një sërë VIP-a, të “brendshëm” dhe të “jashtëm”, që mendojnë se shqiptarët janë ata të një çerek shekulli më parë dhe mund të trazohen nga çdolloj farse a loje e atyre që të kujtojnë një personazh të Dikensit, i cili thoshte: “Unë kurrë s’do të pushoj së përgëzuari veten time.” Ai vend dhe qytetarët e tij, thjesht acarohen dhe humbasin vlerë duke u ngacmuar prej ngashërimeve dhe snobizmit, që në sezone të caktuara bëhen më keq edhe se temperaturat më bezdisëse.
Sigal