Valentin Mustaka/ Zoti Lu dhe zonja Vllahutin…po për minoritetet a do të prononcoheni?

1152
Besoj është një pyetje që duhet bërë, bile duhet të ishte bërë prej kohësh. Ju kemi ndjekur me kënaqësi në ndërhyrjet tuaja shumë të domosdoshme në ngjarjet e kohëve të fundit, si dhe për atë që quhet “Reforma në Drejtësi”. Ato ishin dhe janë shumë shpresëdhënëse për popullin e thjeshtë, sepse ata shohin që dikush i qanë hallet, i rri pranë, angazhohet në problemet dhe shqetësimet e tyre, pra kanë një shpresë se diçka do të rregullohet dhe sistemohet, ashtu siç dëshirohet dhe ashtu siç e dëshiron edhe demokracia ndërkombëtare. Por në këtë shtet ku ne jetojmë ka edhe shumë probleme të tjera, si në ekonomi, drejtësi, të drejtat e njeriut, për korrupsionin galopant, për mënyrën e pritjes së popullit në zyrat e shtetit, pra për jetën tonë të përditshme. Problemet e këtij populli nuk kanë të mbaruar si në të kaluarën dhe të sotmen, por Ju shikoheni si ata shpëtimtarët, që i hedhin kamerdaren për ta shpëtuar atij që po mbytet. Ato që po mbyten janë etnitë e ndryshme, që bashkëjetojnë me popullin shqiptar, por që kur kanë lindur në familjet e tyre kanë folur një gjuhë ndryshe nga ajo shqipe. Pra janë minoritetet, që shekujt i kanë bërë vëllezër me popullsinë shqiptare. Ata kanë disa të drejta nga Europa dhe OKB, shteti shqiptar ka firmosur shumë dokumente për të drejtat e minoriteteve, unë po cilësoj disa prej tyre:
Çfarë thonë Konventat dhe Rekomandimet e Europës si dhe Kushtetuta e Shqipërisë:
– Deklarata e të drejtave të personave që u përkasin minoriteteve kombëtare, etnie, fetare dhe gjuhësore miratuar nga As. Përgj. OKB më 18 dhjetor 1992
– Rekomandimi nr. 1333 ( 1997) paraqitur nga Maria Luis de Puig në As. Parl. Këshillit Europës në veçanti për gjuhën dhe kulturën arumune, me 24 qershor 1997. Ku mbështesin:
E para- mësimin e gjuhës arumune/vllahe 
E dyta- mëshimin në kishat në gjuhën arumune/vllahe
E treta- gazeta, revista, emisione në radio dhe televizion në gjuhën arumune
E katërta- mbështetjen e shoqatave të tyre kulturore.
– 27 shkurt 2008, Opinioni i parë i Komitetit Këshillues për Konventën Kuadër për mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.
– 29 maj 2008, Opinioni i Dytë i Komitetit Këshillues për Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.
– Opinioni për Shqipërinë i 23 Nëntorit 2011, miratuar në Strasburg më 4 qershor 2012.
– Komenti i shtetit Shqiptar i Opinionit për mbrojtjen e minoriteteve në Shqipëri Maj 2012.
Kkushtetuta e shtetit Shqiptar çfarë thotë!
– Në nenin 3 :…bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”.
– Në nenin 5: “Republika e Shqipërisë zbaton të drejtat ndërkombëtare të detyrueshme për të, u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare”. Po për ne kush do të na ofroj ndihmë?.
– Në nenin 8: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”
– Në nenin 10: “Bashkësitë fetare kanë pavarësi …rregullave dhe kanuneve të tyre, për sa nuk cenohen interesat e të tretëve.
– Në nenin 24: “Secili është i lirë të zgjedhë praktikat ose kryerjen e riteve fetare”
Me datë 17 Korrik 2014 po shihja me vëmendje punimet në parlamentin e Republikës së Kosovës, sesioni i parë i këtij parlamenti. Çdo parti duhej të prezantonte kandidatin e saj për komisionin që do të bënte verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur nga votat e popullit.
Në këtë seancë unë dëgjova të flitej në disa gjuhë, si në shqip, serbisht, tre gjuhë sllave të tjera, turqisht etj; pra në këtë seancë unë dëgjova rreth 5 gjuhë jo shqipe, që u folën. Kuptova që në shtetin e Kosovës paska më shumë demokraci dhe liri për të drejtat e minoriteteve, se tek ne në Shqipëri. Thashë pse është kështu në Kosovë dhe tek ne e kundërta? Menjëherë më shkojë në mënd se në Kosovë komandojnë të tjerët de fakto, ata që kërkojnë demokracinë kudo që shkojnë, Amerika dhe Europa. Në Kushtetutën e Kosovës, ka disa pika që flasin për minoritetet, të drejtat dhe detyrimet e tyre, por edhe që çdo etni duhet patjetër të përfaqësohet në parlament. Kjo besoj, se është një Kushtetutë shumë demokratike dhe jo nacionaliste, ku shumica-maxhoranca bën si të dëshirojë në kurriz të minoriteteve. Por këtu ka diçka që nuk shkon; Europa shkruan, por nuk verifikon se si respektohen ato Konventa dhe Rekomandime në ato shtete ku mohohen të drejtat e minoriteteve. Me mosveprimin e tyre ata pajtohen me shtetin ku minoritetet diskriminohen dhe tjetërsohen linguistika, historia, origjina, folklori, kultura, etnografia e shumë të tjera, çdo gjë është e maxhorancës, minoritetet sikur nuk kanë ekzistuar etj. Bëjmë projekte për ruajtjen e folklorit, veshjeve, botimeve në dy gjuhë…por asnjë projekt nuk miratohet. Na mblodhën disa herë në Ministrinë e Jashtme, na kërkuan dhe i dhamë mendimet tona, por… nuk dimë çfarë u bë me to. Ndoshta ishte ndonjë formalitet që duhej bërë sa për sy e faqe të Europës në ndonjë kërkesë të saj për minoritetet. Në Shqipëri ka përfaqësues të BE, KE, OSBE etj etj, por nuk shikoj që një përfaqësues i këtyre organizmave Europiane të shikojë problemet e minoriteteve, si respektohen vendimet e Europës në bazë, atje ku jetohet dhe punohet. Këta duhet të propozojnë dhe të vendosin që në parlamentin shqiptar duhet të përfaqësohen minoritetet ashtu si në parlamentin e Kosovës, Rumanisë etj. Të ketë deputet, minimumi një nga çdo etni, si ajo greke, arumun/vllahe, malazeze, serbe, maqedonase, rome, egjiptiane, turke etj. Përse këto gjuhë nuk duhet të fliten në parlament! Çfarë të keqe ka, Zvicra ka katër gjuhë zyrtare dhe është Zvicër që e kanë zili. Këtë ja u kërkojmë ju të nderuar përfaqësues të Demokracisë Botërore dhe Europiane që këto Konventa dhe Rekomandime të vihen sado pak në jetë. Kopshti është monoton me një lule, shumë lule i japin bukurinë. Shpresojmë!
Kryetar i partisë ABDE (arumun/vllahe)
Sigal