Ushtarakët, viktima?! Përse?!!

768
Safet N. RAMOLLI
Ka mjaft raste që ushtarakët kanë qenë viktima. Në disa prej tyre, kjo edhe e pamotivuar. Për më keq akoma, disa jetë ushtarakësh janë ndërprerë midis radhëve të tyre. Kohë më parë u vra në një operacion policor në Lazarat efektivi i RENEA-s, i ndjeri Ibrahim Basha; më datën 3 tetor 2015 në zonën e Shkodrës, gjatë ndërhyrjes në një operacion policor në banesën e një njeriu që kishte bërë krim, gjeti vdekjen komandanti i forcës të Ndërhyrjes së Shpejtë, i ndjeri Simon Gjeta. Disa raste të tjera të tilla ka pasur edhe më përpara. Në muzeumin e bërë për këtë rast, shtohen kapelet e efektivave që kanë humbur jetën, të cilat në ndonjë rast krejt pakujdesisht shërbejnë si tregues shifrorë… 

Sa jetë ushtarakësh, të ndërprera pa motivimin e duhur!
Pa dashur të bëj kronikanin e së zezës, (të cilën personalisht nuk e dëshiroj, përkundrazi ajo më sjell trishtim), po servir disa nga shembujt ndoshta më të kapshëm dhe që kanë bërë më tepër bujë.
Më 23 shtator 2003, ora 21.30, ekzekutohet në qendër të kryeqytetit shqiptar, (pranë urës së Lanës përballë Qendrës Kulturore Ndërkombëtare të Kulturës, zonë e mbipopulluar me punonjës të rendit publik, shish-it etj.), një nënoficer, efektiv i Gardës së Republikës, me detyrë shofer i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Më 6 gusht 2003, rreth mesditës, e gjithë media vizive, (të nesërmen edhe ajo e shkruar), njoftuan vrasjen e një komisari policie, me detyrë drejtor i Policisë në Krujë. Bashkë me atë u vra edhe shoferi i tij. Ngjarja u zhvillua fare pranë mjediseve të Drejtorisë së Policisë të Prefekturës së Durrësit. Fatkeqësisht vrasje të tilla të shumta në numër ka pasur edhe në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX, por gjithsesi më të kufizuara. Pra, janë disa ushtarakë të vrarë! Ka mjaft të tjerë të vetëvrarë! Ka edhe të vrarë midis vetë radhëve të ushtarakëve! Krejt natyrshëm lind pyetja: përse ndodh kështu?!!!
Janë jetë njerëzore, që duhen vlerësuar!
Media, me apo pa profesionalizmin e duhur, shpesh herë është prononcuar për faktin e hidhur se, janë disa policët e vrarë. Vite më parë një drejtues i lartë i forcave speciale të Ministrisë së Rendit Publik shprehej me shqetësim: “Po na vriten policët!”… Janë publikuar edhe shifra, me keqardhje në disa raste edhe të pasakta!!! Por në datat 24-26 maj 2004 u fol për 166 policë të vrarë, bile edhe për kapelën e 166-të, e cila do të vendosej në memorialin e të rënëve … Unë përsëri ndjej keqardhje, sepse pas çdo kapeleje ndodhet një jetë e humbur; pas çdo jete të ndërprerë kanë mbetur disa të tjerë, të cilët e përjetojnë me intensitet të ndryshëm dhimbjeje këtë fatalitet. Kjo shifër gjithsesi mbetet disi rrëqethëse, njëherësh edhe mëkatare, po të sjellim në vëmendjen e lexuesit numrin e kufizuar të popullsisë në vendin tonë. Natyrisht që nuk mund të bëhen, dhe as që duhen bërë, krahasime për këtë fenomen me vendet më të konsoliduar në pikëpamje të rendit, megjithatë dikush duhet të alarmohet për këtë fat tragjik të ushtarakëve! Janë jetë njerëzore, që shkojnë e nuk kthehen më! Janë jetë njerëzore pas të cilave qëndrojnë dhjetëra të tjera, por edhe vetë shteti e komuniteti shqiptar, të cilët duhet të jenë më mirë dhe më shumë të integruar me ushtarakët. Media kur shprehet për shifrën 166 të policëve të vrarë, kam mendimin se nuk shprehet edhe për ushtarakët e tjerë: ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes, grupim ky më pak i prekshëm, për rrjedhojë edhe më pak i ndjeshëm për shoqërinë në përgjithësi dhe për medien në veçanti. Por, për të mos mëkatuar më shumë, le të mos merremi me numrin e të humburve por le të provojmë të shprehemi për thelbin e problemit. Arsyet mund të jenë të shumta, por për lexuesin po nënvizojmë vetëm dy-tre prej atyre.
Ushtarakët të pambrojtur prej ligjit!
Mendoj se, ushtarakët vriten sepse nuk janë të mbrojtur në masën e nevojshme prej ligjit. Edhe kur ata kryejnë detyra juridike e morale, (sepse ushtarakët kryejnë vetëm të tilla për derisa ato janë të normuara me ligje, akte nënligjore, rregullore, rregulla, instruksione, urdhra, e të tjera si këto) kanë qenë ushtarakët ata që janë ndëshkuar pas një procesi gjykimi më shumë me nuanca politike se sa juridike e morale. Detyrat e shërbimit të ushtarakëve janë vetëm ligjore. Kështu përdorimi i armës së zjarrit është i përcaktuar me ligj, me akte nënligjore, por edhe me instruksione e urdhra. Megjithatë, ushtarakët e kanë pësuar edhe pse kanë plotësuar detyra kombëtare e juridike. Kundrejt atyre janë bërë gjykime më shumë në sensin politiko-partiak se sa në atë juridiko-moral. Figura dhe dinjiteti i ushtarakut, edhe pse duhet të mbrohen tërësisht me ligj, vite të shkuara thuajse askush nuk ka menduar, (apo të paktën medituar), për shenjtërinë e figurës së ushtarakut, pa le më pastaj për dinjitetin dhe personalitetin e tij. Gjatë procesit, me mbiemrin e bukur e të mirë “demokratizim”, ushtarakët kanë qenë ata që kanë provuar fyerjen, talljen, dhunimin dhe sakrifikimin e tyre. Mbi ushtarakët në formë të organizuar u përdor mjeti tepër fyes dhe ofendues, ai i përbuzjes masive, sikur ata nuk ishin të tillë dhe nuk i shërbenin atdheut dhe popullit të tyre. Ushtarakët u epitetuan me ofiqe pejorative të tipit, “këlysh komunisti”, apo “këlysh i këtij apo atij” (është fjala për drejtuesë të shtetit në periudha të ndryshme kohore), sikur të mos kishim të bënim me qënie njerëzore!!! Ata u vlerësuan me keqdashje dhe fyerje si “… shalqinj me kore jeshile, por me tul të kuq”, duke i anatemuar kështu për bindjet politike që mund të kenë, sikur ata nuk kanë të drejtë, së paku, që të mendojnë në mënyrë të pavarur nga të tjerët. U përdorën edhe mjaft frazeologjizma të tjera, të cilat padrejtësisht cenuan dinjitetin e misionit juridik, por edhe atë individual. Kundër ushtarakëve u përdorën mjete të forta, por edhe armët e zjarrit, ndërkohë që ata kanë qenë të urdhëruar të mos reagonin me mjete të dhunshme. (Vetëm më 14 shtator 1998 në mjediset e Kryeministrisë u plagosën 12 efektiva të Gardës së Republikës. Kundrejt ushtarakëve media në përgjithësi është treguar jo aqë dashamirëse, për të mos u shprehur më ndryshe. Në shtypin shqiptar në mjaft raste flitej për ngjarje të ndodhura në skajet e botës, por nuk merrej në mbrojtje ushtaraku, apo nuk çmohej dhe vlerësohej gjaku që ai humbte pikërisht në krye të detyrës; tregohej kujdes i tepruar për të gjetur apo stisur mangësi organizative në organizimin e operacioneve policore; evidentohej tejkalimi i kompetencave nga efektivët e policisë pa bërë fjalë për jetën e rrezikuar të tyre, etj., etj. Edhe në rastin kur në Shkodër më 3 tetor 2015 u vra një punonjës policie, apo në Lazarat një efektiv i forcave speciale, pati njëfarë devijimi nga media për të justifikuar krimin e kriminelit, duke e cilësuar atë si të sëmurë mendor apo si ndodhi e rastit dhe jo e organizuar. Po, a mund të mendohet, që një i sëmurë mendor të marrë vijë shënjimi me saktësi në organet jetësore; që të bëjë qëndresë ndaj thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar për më shumë se 12 orë duke iu përgjigjur atyre me krisma; për më tepër që të marrë masa kundër përdorimit të lëndëve lotsjellëse duke përdorur jorgan të lagur, etj. etj…. E, kështu, mungesa e mbrojtjes së plotë juridike të jetës së ushtarakëve, mosndëshkimi i kriminelëve që marrin jetën e tyre, ashtu si kurba, e cila me sa duket edhe për mjaft kohë, do të jetë disi e lartë.

(Nesër do të lexoni: Ushtarakët i nëpërkëmb politika, komandimi e drejtimi, në disa raste amatoresk!)
Ushtarakët i nëpërkëmb politika
Ushtarakët i vret politika. Janë disa rastet që ushtarakët konceptohen në teori dhe përdoren në praktikë si mjet i destinuar të vetësakrifikohet për hir të interesave partiake apo të grupeve a individëve, që përfaqësojnë forcat politike. Në ndonjë rast, pa shkaqe të arësyeshme dhe pa mbështetje juridike, ushtarakët janë nxitur, (për të mos thënë janë urdhëruar), që të kryejnë veprime jashtë dhe larg misionit të tyre ligjor. (kujtojmë psh. dërgimin në Cërrik në muajin maj 1997 të një force të armatosur, e cila nuk kishte mision grumbullimin e armëve, as luftën kundër kriminalitetit, as edhe vendosjen e rendit dhe qetësisë publike etj). Por, duhet nënvizuar se, nuk është detyrë e ushtarakëve të analizojnë apo të konkludojnë në se është juridike detyra apo misioni i ngarkuar, pra edhe e detyrueshme për zbatim, apo jo ligjore, për rrjedhojë edhe e pazbatueshme. Dihet fare mirë që ushtarakët janë shërbëtorë të ligjit të shtetit, ata zbatojnë urdhërat e titullarëve të ngarkuar për këtë qëllim. Në strukturat me karakter ushtarak nuk mund të pranohet anarkia.
Në ndonjë rast ushtarakët janë vendosur në detyra luftarake, por u janë kufizuar kompetencat për të ushtruar autoritetin juridik etj. Për më tej, ka patur një qëndrim të dyzuar, për të mos thënë më shumë, edhe në ato raste kur ushtarakët kanë dhënë jetën në krye të detyrës apo në emër të saj. Të mos shkojmë më tutje në kohë, por le të sjellim në vemendjen e lexuesit se, vrasja e një koloneli dhe e një majori të rendit në vitin 2000 (kolonel A. Z. dhe major Y. B.) janë komentuar në mënyra të ndryshme nga forcat politike partiake apo nga zëdhënës të tyre. Edhe rënia në krye të detyrës (gjatë vënies nën kontroll të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin problematik Lazarat), i efektivit të RENEA-s, I. B. , u komentua deri edhe me keqdashje nga segmente të veçantë të politikës, por fatkeqësisht edhe nga disa ish-efektiva të Ministrisë së Rendit Publik, sikur operacioni policor ishte i pamenduar dhe i paorganizuar mirë. Komisar G. M., i vrarë në krye të detyrës, për mjaft kohë nuk u klasifikuar “i rënë në krye të detyrës”; ushtarakët e rënë në krye të detyrës me zor se përfitojnë shpërblimin e normuar me ligj, edhe pse mjaft simbolik, çka u kujton familjeve të tyre dhe gjithë ushtarakëve të tjerë, se sakarifica për atdhe e popull duhet bërë e menduar mirë, etj. etj. Në këtë kuptim dhe po në këtë mënyrë, ushtarakët nuk trajtohen si pasuri e vyer e kombit, si krenari e ligjëshme e tij, por si një mjet, të cilët në disa raste therrorizohen në emër të interesave politike partiake. Ngrihen lapidarë prej familjarëve për të humburit në aksidente automobilistike, (dhe në fakt bëjnë shumë mirë sepse kemi të bëjmë me një veprim përshpirtjeje, që të kujtojnë emrin dhe jetën e një njeriu i cili shkon e nuk kthehet më), për ushtarakët, thuajse në përgjithësi, edhe kur ata bjenë në grup dhe në emër të detyrës, nuk mbetet asnjë shenjë përkujtimore. Për më tej ligjet janë aqë të cekëta dhe të varfëra në aspektin social, saqë familjet e ushtarakëve mbeten pa asnjë mbështetje ekonomike, fëmijët e tyre dhjetëfish jetimë, diskutohet dhe anatemohet edhe dhënia e një të drejte studimi për fëmijët e tyre etj. etj. (Jam ballafaquar me një rast ekstrem dhe mjaft të dhimbshëm: në një fshat që ndan Lushnjën nga Fieri, humbi jetën në vitin 1993 duke shoqëruar ish-presidentin e Shqipërisë një djalë fare i ri. Prindët e tij të moshuar, por që nuk kishin plotësuar moshën e pensionit të pleqërisë, nuk përfitonin asnjë trajtim moral, jo se jo, por as edhe material, pas humbjes në krye të detyrës të djalit të tyre fare të ri. Kam patur detyrimin juridik por më shumë moral, që në këtë familje të pi një kafe si dhe të realizoj një shkrim. Kaqë mund të bëja unë. Shteti le të bëjë më shumë jo vetëm për këtë familje por edhe për gjithë të tjerat, që kanë humbur njerëzit e shpirtit në krye të detyrës, gjithësesi si ushtarakë. Në një rast tjetër jam ndier krejt i shokuar. Bëhej promovimi i librit “Gjaku që humbëm në mars” i autorit ushtarak Afrim Imaj. Ka qënë ndoshta mezi i vitit 1998. Ishin ftuar edhe familje të ushtarakëve që kishin rënë në krye të detyrës. Gjithëçka për çka ishte programuar, shkoi mirë. U vlerësua puna e autorit të librit, i cili pati dëshirën e mirë të përjetësojë veprën e madhe të atyre ushtarakëve që ai kishte qëmtuar me aqë kujdes, por edhe duke marrë pjesë vetë emocionalisht. Por midis të tjerëve kërkoi të flasë edhe një grua. Ishte veshur me të zeza, por edhe u prezantua si bashkëshorte e oficer A.H., i vrarë në garnizonin e Shkodrës duke qënë me shërbim në repart. Rrëfimi i saj ishte tronditës. Nuk kërkonte lëmoshë, por vetëm ndihmë që të punësohej si dhe t’i jepej një strehë për fëmijët e mbetur jetimë… Ajo shkoi edhe më tej kur akuzoi: “… nuk kërkoj dhurata, as parfume; nuk dua lëmoshë duke më dhënë nga një pako me ndihma për Vit të Ri, por dua një strehë jo në mjediset ku jetojnë ushtarët…, dua që fëmijët e mi të kenë mundësi të shkollohen duke më siguruar mua një punë…”. (Zonja në fjalë ishte strehuar në një kthinë të një reparti ushtarak, i cili akoma funksiononte si repart ushtarak. Kjo i ishte konsideruar edhe si zgjidhje problemi për strehim). Sikurse e shikoni e gjykoni ishte një kërkesë fare e thjeshtë, por e domosdoshme, çka mua më shokoi. Zoti S. B. , në atë kohë këshilltar i Presidentit të Republikës, natyrisht i përskuqur nga keqardhja, nuk i premtoi, por besoj se duhet të jetë bërë diçka për këtë rast flagrant. 
Dhe shembujt për një trajtim dinjitoz të ushtarakëve që bjenë në krye apo për shkak të detyrës nuk mungojnë. Le të sjellim në vëmendjen e politikanëve dhe shtetarëve shqiptarë qëndrimin dashamirës dhe vlerësues që mbajnë dhe shfaqin shtetarët e vendeve perëndimore, pa folur për sjelljen etike deri në skajshmëri të personaliteteve më të larta amerikane. Ushtaraku shqiptar F.Vogli humbi jetën në një mision ndërkombëtar në Afganistan, por përpos të tjerave, ambasadori amerikan në Shqipëri atëmot çau baltën dhe përçmoi ferrat gjëmbaçe në Baldushk, vendosi një kurorë me lule si dhe ngriti një lapidar përkujtimor për veprën heroike të ushtarakut shqiptar të rënë larg, shumë larg atdheut të tij. Kuptohet që, përpos kësaj ane morale, nuk ka sesi të mungojë ana materiale për familjen Vogli. Ata (perëndimorët) ushtarakun e konsiderojnë realisht pasuri të kombit, nuk bëjnë sikur preken kur ata humbasin jetën, nuk shkruajnë në shtypin e ditës, apo nuk shprehen për median edhe kur urojnë festa kombëtare fetare, por angazhohen realisht që shpirti i ushtarakut që ka humbur jetën të ndihet i qetë, që familjarët e tij të ndihen të vlerësuar dhe të mbështetur. 
Komandimi e drejtimi në disa raste amatoresk!!!
Ushtarakët vriten edhe për shkak të mungesës së aftësive drejtuese dhe komanduese të eprorëve të tyre. Ndoshta dhjetra jetë ushtarakësh nuk do të ishin ndërprerë nëse eprorët e tyre do të kishin bërë më mirë detyrën si drejtuesë ushtarakë. Masat organizative, mjetet mbrojtëse, sasia e forcave dhe e armëve apo mjeteve dhe pajisjeve, e të tjera si këto, në disa raste kanë qënë të pamjaftueshme. Në mjaft raste ka munguar profesionalizmi i drejtuesve, deri edhe në atë shkallë saqë, edhe ushtarakët janë vrarë pa justifikuar vetveten. Natyrisht kjo përbën një rast krejt banal dhe të pajustifikueshëm. Po të marrim vetëm rastin e ndodhur më 24 maj 2004 kur mbeti një polic i vrarë dhe një tjetër i plagosur prej dy shtetasve, duhet të bëjmë apel, (ashtu sikurse bëri edhe një politikan jo ushtarak), se duhet të mbajnë përgjegjësi drejtuesit dhe komanduesit për drejtim dhe komandim jo profesional. Edhe një qytetar i zakonshëm mund të jetë i të njëjtit mendim se, nuk mund të dërgohen dy policë të policisë rrugore për të neutralizuar apo ndaluar, dy qytetarë thuajse profesionistë, që kanë kryer stërvitje të organizuar dhe të testuar për t’u pregatitur si armëpërdorues të mirë. 
Ja pra, përse vrasin dhe vriten ushtarakët. Unë e pranoj që, grupimi shoqëror i ushtarakëve duhet të jetë më pranë fenomenit të ndërprerjes së jetës, por jo pa shkak dhe pa motiv të qënësishëm. Për më tepër, duhet bërë gjithëçka nga Shteti dhe shoqëria që, ushtaraku edhe kur e humbet jetën, të paktën të ndihet disi i qetë në banesën e përjetëshme, duke mos lënë plagë të pambyllura përjetësisht tek familja e tij. Trajtimi i familjeve të ushtarakëve të vrarë në krye të detyrës apo për shkak të saj, pa ndihmë ekonomike apo pa asistencë, është një mëkat, i cili rëndon në shpirtin e atyre, që vunë jetën në themelet e atdheut, por edhe në koshiencën e atyre, që janë gjallë dhe në shërbim për këtë atdhe e komunitet.
Sigal