Ushtarakët presin nga Gjykata Kushtetuese e RSH, që problemit të tyre t’i japë zgjidhje të drejtë

800
Av. Ferjat Janushaj

Vijon nga numri i kaluar
Edhe për pikën e dytë të njehsimit Gjykata e Lartë ka dhënë orientim të kundërligjshëm. Në pikën 44 të vendimit faqe 16 në 5 rreshtat e fundit shprehet se: “….Pra, sipas këtyre rregullimeve ligjore të nenit 29, parashikohet skema e llogaritjes së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi me fuqi prapavepruese dhe përcaktohet se, pavarësisht kur ka lindur e drejta për përfitim, në harkun kohor nga data 01.01.1999 deri në hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 10142/2009, do të zbatohet Ligji nr. 8087/1996 i ndryshuar me Ligjin nr. 8521/1999”. Në rastin në fjalë Gjykata përveçse interpreton gabim Ligjin 8087/1996 të ndryshuar, siç do ta shpjegojmë më poshtë, ajo nuk përmend fare Ligjin nr.9210, datë 23.03.2004 “Për Statusin e Ushtarakut në Forcat e Armatosura të RSH” , i cili ndër të tjera ka shfuqizuar kufizimin e masës së pensionit të parashikuar në shkronjën “b” të nenit 11 të ligjit 8087/1996 të ndryshuar. Pra gjykata me këtë njehsim nuk e njeh dhe nuk e zbaton statusin e ushtarakut, ajo orienton që megjithëse statusi e ka shfuqizuar ligjin 8087/1996 të ndryshuar, të operohet me këtë ligj deri në momentin e hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 10142/2009!!. Po ashtu Gjykata orienton që ligjet nr. 9418/2005 dhe nr. 9481/2006 edhe ne rastet kur e drejta për pension te parakohshëm ka lindur pas hyrjes ne fuqi te këtyre ligjeve nuk zbatohet, por do të zbatohet ligji nr.8087/1996 i ndryshuar, i cili është shfuqizuar nga Status i Ushtarakut miratuar me ligjin nr. 9210, datë 23.03.2004 (Shih pika 47, faqe 16 e vendimit) !!!. Kjo shkelje i kalon kompetencat e Gjykatës dhe ndër të tjera shkel në mënyrë flagrante nenin 145 të Kushtetutës RSH, pika 1 që thotë: “Neni 145. Pika 1. Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve….”. Në rastin konkret gjykata ka dalë mbi ligjin. 

Për sa i përket pikës 3 të njehsimit përsëri Gjykata ka orientuar që të shkelet ligji 8087/1996 i ndryshuar me ligjin nr.8521/1999, ku sipas saj pikat “a” dhe “b” të nenit 11 së bashku nuk duhet të kalojnë pensionin maksimal të pleqërisë në shkallë vendi, gjë që siç e shpjeguam më lart përcaktimi i ligjit nuk është kështu, pasi kufizimi i masës së pensionit është vetëm për masën shtesë të pensionit për çdo vit mbi 15 vjet pensioni rritet me 2%, por kjo nuk duhet të kalojë masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi dhe jo tërë masa e pensionit (pra edhe ajo e parashikuar në pikën “a” ) sikundër orienton gjykata. Jo vetëm në gjykatat e rretheve dhe të Apelit, por edhe Gjykata e Lartë në shumë vendime për këto çështje e kanë zbatuar drejt ligjin e në kundërshtim me sa përcaktojnë në këtë vendim unifikues. Me të drejtë lind pyetja, si është e mundur që Gjykata e Lartë nxjerrë këtë vendim unifikues pas 18 vjetësh që ka dalë e është zbatuar Ligji 8087/1996 i ndryshuar me Ligjin nr. 8521/1999, ku baza ligjore deri në vitin 2009 nuk ka ndryshuar?!?!! 

Me gjithë përpjekjet që bëjnë Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës Lartë për të arsyetuar si ligjor këtë vendim unifikues, nuk ia arrin dot, pasi siç shpjeguam njehsimet e dhëna për këtë çështje bien ndesh me Kushtetutën e RSH dhe Ligjet që normojnë pensionin e parakohshëm të ushtarakëve të FA te RSH. Ne kemi të drejtë të mendojmë se ky vendim ndër të tjera është në kundërshtim edhe me nenin 18 të Kushtetutës të RSH, është diskriminues dhe politik. E theksojmë këtë, se nismëtarë të shkeljes së ligjit kanë qenë Qeveritë e z. Berisha, ku ky i vendosur në vendimet kundër ushtarakëve që nuk zbatuan urdhrat e tij, haptas jo ligjore për ndaj Vlorës dhe Jugut të Shqipërisë, inicioi dhe nxori shumë ligje për kooperturë, ndërkohë që jepte udhëzime gojore për interpretim e zbatim të gabuar të ligjeve, ku në shumë raste gjykatat e kanë zgjidhur drejt konfliktin, sipas ligjit, me gjithë trysninë e ushtruar. Por në këtë çorientim të organizuar të gjyqësorit ka pasur dhe raste që gjykatat për të njëjtat çështje kanë dhënë vendime të ndryshme. Kapakun për shkeljen e ligjeve që normojnë pensionin e parakohshëm të ushtarakëve për vjetërsi shërbimi e vë ky vendim unifikues, sipas të cilit edhe ata ushtarakë që kanë fituar gjyqet e vendimet kanë marrë formën e prerë e janë ekzekutuar, do të kthejnë paratë pas deri 18 vjetësh!!.

Me këtë rast nuk mund të kalojë jashtë memories së ushtarakëve edhe qëndrimi i Qeverisë aktuale, e cila para se të vinte në pushtet, në fushatën zgjedhore premtuan se do të shfuqizonin aktin normativ dhe pensionin do ta merrnim sipas ligjeve dhe statusit, gjë që nuk e bëri.

Për vetë detyrën dhe funksionin ushtarakët e FA te RSH, vet dhe familjet e tyre bëjnë pjesë në elitën patriotike të vendit. Ata në shumë raste në përmbushje të detyrës për mbrojtjen e Atdheut kanë dhenë dhe jetën. Nisur nga koeficienti i lartë i vështirësisë të detyrës të ushtarakut, ligjvënësi iu ka dhënë trajtim të veçantë si ushtarakëve në rezervë dhe atyre në detyrë. Ushtarakët janë njerëz me dinjitet, disiplinë e kulture, të kalitur në vështirësi, por nuk mund të durojnë veprime e qëndrime të tilla denigruese të Gjykatave dhe segmenteve të veçanta të shtetit. Është kjo arsyeja që ata e kundërshtojnë njëzëri këtë vendim unifikues të Gjykatës Lartë, si vendim që cenon rëndë të drejtat e tyre të përcaktuara në Kushtetutën e RSH dhe ligjet. Pritshmëritë e ushtarakëve nga Gjykata Kushtetuese në Gjykimin e kërkesave të tyre të paraqitura nga shoqatat e tyre, që do të bëhet me datën 10 Tetor 2017 ora 10.00 mbi bazën e dokumenteve pa praninë e palëve kërkuese dhe të interesuara.

Në përgjithësi Gjykata Kushtetuese e RSH, çështjet e gjykuara për ushtarakët, i ka zgjidhur drejt me gjithë trysnin e ushtruar nga administrata shtetërore. Kujtojmë këtu veçanërisht vendimin nr.33 datë 24.06.2010, ku kjo gjykatë e zgjidhi problemin e ushtarakëve duke iu dhënë të drejtë atyre sipas ligjeve dhe Kushtetutës. Më vonë për të njëjtin problem po kjo gjykatë e ndodhur në trysni nxori vendimin nr.2/2013, sipas të cilit lejohet rillogaritja e pensionit të ushtarakeve edhe, nëse kjo çon ne uljen e tyre, duke cenuar dukshëm sigurinë juridike për të drejtën e fituar me ligj. Kjo u bë me arsyetimin se prevalon interesi publik, se Shteti nuk i përballon dot pensionet e ushtarakëve, se është në kompetencën e Qeverisë që të bëjë përcaktimin e tyre etj, arsyetime të pabazuara në ligj. Këto arsyetime bien ndesh me realitetin, pasi në periudhën e nxjerrjes së Vendimit nr.2/2013 te Gjykatës Kushtetuese dhe më vonë, në vazhdimësi shteti ka bërë rritjen e pensioneve e të rrogave. Është i papranueshëm ky arsyetim që vetëm pensionet jetike të ushtarakëve janë të papërballueshme nga Buxheti i Shtetit, ky qëndrim pa e tepruar themi se është diskriminues për ushtarakët.

Është momenti të sjellim në vëmendjen e Gjykatës Kushtetuese që në gjykimin e kërkesave të ushtarakëve si në Gjykatën Kushtetuese në rastin e vendimit nr.2/2013 të kësaj Gjykate dhe në Vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë nr.3 datë 24.11.2016 është shkelur rëndë neni 72 i Kodit Procedurës Civile, pasi në të dy raste relator i çështjes (si në Gjykatën Kushtetues dhe në Gjatën e Lartë) ka qene z. Xhezair Zaganjori, aktualisht Kryetar i Gjykatës së Lartë. Në këtë rast, për vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë ai nuk duhet të pranonte që të ishte relator i çështjes, pasi, siç theksuam më lart ka qenë relator i çështjes për vendimin nr.2/2013 të GJK, në këtë rast duhet të hiqte dorë si relator.

Nisur nga sa shpjeguam ushtarakët presin nga Gjykata Kushtetuese e RSH, që problemit të ushtarakëve t’i japë zgjidhje të drejtë definitive, duke deklaruar vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë nr.3 datë 24.11.2016 antikushtetues, po ashtu të sqarojë se si duhet të zbatohen dy vendimet e saj; Nr.33, datë 24.06.2010 dhe vendimi nr.2/2013, pasi në praktikën e deritanishme Gjykata e Lartë injoron vendimin nr.33/2010 nuk e njeh dhe nuk e zbaton në dhënien e vendimeve të saj, ndërsa zbaton vendimin nr.2/2013. Të dy këto vendime flasin për të njëjtin problem, pensionin e parakohshëm të ushtarakeve dhe kanë qëndrime diametralisht të kundërta, siç e kemi shpjeguar më lart dhe siç është trajtuar dhe në shkrime të tjera, zgjidhja e drejtë dhe e pritshme do të ishte që, të gjithë ata ushtarakë që e drejta e pensionit të parakohshëm u ka lindur e është zbatuar në kohen e daljes të vendimit nr.33/2010, duhet të vazhdojnë ta marrin sipas përcaktimit të tij, kurse ata ushtarakë që e drejta e pensionit të parakohshëm u ka lindur pas daljes të vendimit nr.2/2013 te GJK, do ta marrin atë sipas përcaktimit të këtij vendimi. 

Presim dhe besojmë ende tek drejtësia.

Avokat Kolonel në pension, Feriat Janushaj
Sigal