Ushtarakët i bashkon Statusi, jo partitë politike

623
Sigal

Është mesë normale që ditën e votimeve ushtarakët, të gjithë pa përjashtim, ata aktivë, si dhe të tjerët në rezervë apo në lirim, të votojnë për ato parti politike që ua do zemra: dikush për PD-në, dikush për PS-në, dikush për LSI-në, për Aleancën Kuq e Zi, për FRD-në, për PDNJ-në, etj., etj. Kjo është magjia dhe forca që i ka dhënë njeriut të lirë demokracia. Është bindja e gjithsecilit, që në votën e fshehtë të japë opsionin përkatës për atë forcë politike që ai beson se ka alternativën më të mirë në drejtimin e vendit. Debatet e shpeshta në shtyp, e veçanërisht në gazetën “Telegraf” për raportin që kanë ushtarakët shqiptarë me partitë politike, jo një herë, por disa herë radhazi, kanë dhënë një definicion standard: Partitë në pushtet, si PD ashtu edhe PS, i kanë parë me një indiferencë të dukshme kërkesat e shumë përsëritura të ushtarakëve në rezervë e lirim, lidhur me Statusin e tyre. Mendoj se ky është fakti tronditës që nuk duhet t’i lerë të qetë ushtarakët për asnjë çast. “Të bashkuar”, apo “të shpartalluar”, nuk mendoj se është një shqetësim aq real për ta, sa ç’konkludohet ndonjëherë nëpër analiza apo opinione të dhëna në media. Të gjithë e mirëkuptojmë kolonelin Pëllumb Zaimin, për shqetësimin që ai ngre lidhur me statusin moral të degraduar në disa raste të ushtarakëve në rezervë a lirim. Ai me të drejtë do dëshironte si shumëkush nga ne, që e quan veten ushtarak të vërtetë, të kishin të gjithë po ato cilësi e atë stoicizëm që kanë edhe ushtarakët në vendet perëndimore kur iu vjen koha që të lenë “radhët e blerta”. Stereotipi i këtij ushtaraku-model perëndimor, ndeshet në mjaft filma hollivudianë, por duket se më tërheqësi është personazhi i filmit amerikan “Aromë gruaje”, rol që luhet nga i famshmi Al Paçino. Besoj se gjithkujt që e ka ndjekur me vëmendje këtë film, nuk mund t’i ketë shpëtuar një detaj domethënës: Pikërisht në një nga ditët e fundit të jetës së tij, koloneli (pensionist) vesh kostumin ushtarak me grada madhore dhe bën prova “mbushje-zbrazje” pistolete me kronometër dhe han inat me veten. Ai sheh që mosha e ka plogështuar, ndaj dhe nis e turfullon: “qenkam ndryshkur….”. Ai e përsërit këtë veprim disa herë radhazi, derisa ja mbush mendjen vetes se është po ai ushtarak që ka qenë dikur, kur ishte i ri; i fortë, me disiplinë dhe moral të lartë. Tamam: ushtarakët e vërtetë kështu duhet të jenë. Po ndërsa moralizojmë me veten, dalim po tek e njëjta temë: Ky personazhi i filmit që cituam më lart është ushtaraku perëndimor me Status. Ndërsa në rastin e analizës që bën kolonel Zaimi, kur flet për “sëmundjet e karakterit moral”, janë pikërisht viruset që na kanë pushtuar nga mospasja e një Statusi real. Në të njëjtat përfundime dilet pak a shumë edhe tek temat që prek kolonel Hysni Mullalli, apo ushtarakët Mehmet Dume dhe Bardhyl Hazizaj. Të gjitha janë konkluzione që nuk bien poshtë në asnjë pikë. Shqetësimi se përse ushtarakët nuk bashkohen në një shoqatë të vetme, ka qenë dhe duket se do vazhdojë të mbetet gjatë objekt debati edhe në të ardhmen. Dhe do vazhdojmë, pra, të kemi ShKURSh, AKURSh, apo Shoqata e Xhenierëve, shoqata e Aviatorëve, e Këmbësorëve, etj., etj. E kështu, në pamje te parë, të krijohet ideja e një “përçarje të madhe të ushtarakëve”, kurse në fakt, kemi të bëjmë thjeshtë me një përgjumje, indiferentizëm e shkurajim; ç’ka me të drejtë e shqetëson dhe nuk e lë të qetë kolonel Zaimin. Dhe realisht, nuk është për të mos u shqetësuar. Duhet të na preokupojë medoemos kjo lloj gjendjeje. Por, gjithsesi, thelbi i problemit mendoj se nuk duhet të na dekurajojë deri në këtë farë shkalle. Në fund të fundit, ai që i bashkon ushtarakët, pavarësisht nga organizimi i tyre formal, është Statusi. Fatmirësisht lidhur me Statusin, të gjitha shoqatat e ushtarakëve pa përjashtim mendojnë njësoj: Ai nuk duhet t’ju mohohet atyre sikurse po ndodh; si për trajtimin financiar, ashtu për atributet e tjera që ka. Asnjë shoqatë ushtarakësh nuk bëhet “servile” e ndonjë force politike, kur bëhet fjalë për Statusin, asnjëra prej tyre nuk toleron në këtë pikë. Nuk e gjetkan gjuhën e përbashkët krerët e shoqatave për t’u bashkuar? E po mirë. Le të rrinë aty ku janë, meqë iu pëlqeka ky lloj pozicioni. Fundja askush nuk mund të imponojë. Krerët le ta kuptojnë vetë se sa i dobët bëhet zëri i tyre, duke qenë të ndarë. Ata, që “artin e forcës” e zbatonin dikur në terrenet e stërvitjeve të mëdha luftarake, korrektësisht sipas parimit skënderbegian “bashkimi bën fuqinë”, tani na rrinw veç e veç, thua se do ndajnë floririn e botës. Një situatë vërtetë e pakuptimtë. Bashkohem me shqetësimet e shprehura në “Telegraf” gjatë këtij viti nga kolegët e sipërpërmendur. Është e pafalshme kjo përgjumje e ushtarakëve. Kush tha se s’paskan më efekt protestat? Mbaj mend që e fundit fare ishte ajo para Parlamentit për kundërshtimin e Aktit Normativ. Më pas, askush nuk u ndje më. Kjo më kujton historinë e sindikatave shqiptare. Nuk jam në gjendje ta kuptoj se si “u tretën ashtu ato”, apo se si përmes “marrëveshjeve me qeverinë”, ato pranuan të mos funksiononin më(!). Vetëm një Kol Nikollë po mundohet të mbajë gjallë shpirtin sindikalist. Kjo është absurde. Nuk dua ta besoj që koha e artë për shoqatën e ushtarakëve paska qenë vetëm ajo kur në krye të protestave ishte zoti Zyhdi Kroi. Jo. Energjitë nuk kanë shteruar. Puna është thjeshtë se kemi një familjarizim me gjendjen e rutinës e inaktivitetit, një humbje shprese, një mungesë planifikimi për objektivat e protestave për sot dhe për nesër. Ndryshe, përse janë krijuar shoqatat e ushtarakëve? Dua ta evidentoj fort këtë fakt: Është e palejueshme kjo situatë letargjie. Kjo bën që në llogaritë elektorale të partive politike, vota e ushtarakëve në të gjithë Shqipërinë të shumëzohet me zero. Kjo nuk duhet lejuar të ndodhë. Përpjekjet e ushtarakëve për Statusin e tyre duhet të jetë një “betejë” e pandalshme. Dhe kjo realizohet me biseda televizive sensibilizuese, me ballafaqim me ekspertë të ekonomisë, të ligjeve, me protesta demokratike të herë pas hershme. Është indinjuese t’i shohësh ushtarakët vetëm tek sporteli i filialit për të marrë qindarkat, dhe të konstatosh se do t’i shohësh përsëri po aty pas një muaji, tamam si manekinë të heshtur. Gati kanë harruar edhe të përshëndesin njeri-tjetrin. Duhet të ekzistojë një sens organizimi e vetorganizimi, doemos. Ndryshe kot quhemi ushtarakë. Me “o Mete për vete”, nuk do ta fitojmë kurrë Statusin. Ushtarakët shqiptarë nuk duhet të pajtohen me vetëpërgjumjen. T’u kërkojnë llogari krerëve të shoqatave. Ushtarakët shqiptarë në histori, nuk kanë qenë ndonjëherë pa Status, as në kohën e Ismail Qemalit, as në kohën e Vidit, as në kohën e Zogut, as në kohën e sistemit monist. Kjo që po ndodh sot me ta është më shumë se paradoks.