Tregu i Përbashkët Ekonomik me rëndësi për shtetet dhe popujt ballkanik

786
Qemal LAME
Samiti i Triestes u përjetua me komente dhe vazhdon të komentohet e analizohet si një ngjarje e rëndësishme politike evropiane, ballkanike e më gjerë nga mediat nacionale e ndërkombëtare. 

Vlerësimet objektive evidentojnë përfundimin e drejtë, se ky aktivitet i rëndësishëm rajonal, ndihmoi për të kuptuar realitetin e sotëm politik dhe realizuar në kohën e përshtatshme dhe me efektivitet vizionin e së ardhmes së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. 

Vizioni i Evropës së Re politike dhe ekonomike, ndesh në vështirësi e pengesa edhe të papritura për vetë rrethanat politike dhe problemeve të ndërlikuara që dalin herë pas here, në bashkësi e në shtete të veçanta, të ndikimit negativ grupimeve ultra nacionaliste anti evropiane, të inkurajuara me rezultatin negativ të brexit anglez.
Zona e Bashkëpunimit Ekonomik krijohet mbi bazën e një marrëveshje të miratuar nga të gjashtë shtetet e pavarura të Ballkanit që punojnë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja dëshmon vullnetin e angazhimin e gjashtë vendeve të Ballkanit jashtë BE-së, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnjës për të harmonizuar rregullat e investimeve, për të hequr barrierat jo-tarifore ndaj tregtisë si dhe për të fuqizuar paktin për tregtinë që sakaq ekziston, i quajtur Zona e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA. Ndërsa Bosnja nuk arriti të firmosë një marrëveshje tjetër, për përmirësimin e infrastrukturës së transportit, pasi njësia e saj autonome Republika Srpska e kundërshtoi marrëveshjen.
Zona e Bashkëpunimit Ekonomik konkretizon politikën evropiane dhe domosdoshmërinë e realizimit të masave të nevojshme për integrimin rajonale e momentin më të përshtatshëm politike dhe ekonomik edhe në bashkësi.

Për arsye politike e të riorganizimit, katër vjet më parë, u mbyll veprimtaria e Drejtorisë së Zgjerimit në Komisionin Evropian. Megjithatë, zgjerimi nuk u ndërpre. Ai mbetet detyrë në vazhdimësi. Bashkësia dhe shtetet e saj kanë politika të përbashkëta, vazhdojnë integrimin dhe punojnë konkretisht që të mbahet aktuale politika e reformave dhe integrimit të shteteve të tjera ballkanike që kërkojnë të anëtarësohen. Integrimi evropian qëndron përballë sfidës së domosdoshmërisë së përfshirjes konkrete të shteteve ballkanike në bashkësi. Mosrealizimi i këtij qëllimi ndikohet nga shumë faktorë të brendshëm e të jashtë. 

Së pari, Bashkimi Evropian është akoma bashkësi. Marrja e vendimeve kushtëzohet nga miratimi prej të gjithë shteteve anëtare. Pamundësia e anëtarësimit dhe zgjerimit ndeshet me kundërshtimet që demonstrohen hapur nga grupimet politike kundërshtare të federalizimit, interesave gjeopolitike, ekonomike, tregtare etj. 

Së dyti, politikat evropiane e amerikane, nuk harmonizohen si në kohën e zgjerimit të shpejtë me 10 shtetet e Evropës Lindore etj. 

Së treti, zhvillimet politike tregojnë interesimin dhe ndërhyrjen konkrete ruse në Ballkan. Rusia shfrytëzon dobësitë e bashkësisë evropiane, krizat politike në shtetet ballkanike, si në Maqedoni, ndërhyn me veprimtari agjenturore për të ndryshuar orientimin euro-atlantik, si në rastin e komplotit për vrasjen e kryeministrit të Malit të Zi.

Kriza e zgjerimit të bashkësisë evropiane, përjetohet jo me dëshirë e mirëkuptim nga shtetet kandidate të Ballkanit Perëndimor, megjithëse ato pranojnë se janë të njohura ndryshimet dhe niveli i zhvillimit politike e ekonomik i shteteve ballkanike me ato më të zhvilluara evropiane. 

Bashkësia evropiane dhe shtetet ballkanike nuk kanë një program të qartë dhe me afate të anëtarësimit. Parashikohen detyra e reforma, bëhen ndryshimet e domosdoshme të kërkuara, më saktë të imponuara, dhe në vend që të fillojë procedura e fillimit të bisedimeve, gjenden pretekste për shtyrje, reforma të reja etj. 

Ndryshimet e papritura politike kanë ndikime të fuqishme regresive. Shembull tipik mbetet Turqia. Bashkimin Evropian, pas më shumë se 35 vjetëve të pranimit të Turqisë si vend kandidat dhe të mospërcaktimit të një perspektive të qartë, u ngrinë marrëdhëniet e anëtarësimit, me argumentin e gjendjes politike, pas masave të marra në Turqi kundër puçit ndaj Erdogan. Në Parlamentin Evropian dhe parlamentet e disa vendeve anëtare si Gjermania, Franca etj., bëhen kërkesa të përsëritura e të fuqishme për të ndërprerë bisedimet për anëtarësimin e Turqisë. Nga disa zyrtarë të lartë evropianë bëhen edhe krahasime e vlerësime jo të drejta. Nuk janë efektive mendimet e Komisionerit Johanes Hahn dhe të Mc Allister, se në procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE, Mali i Zi dhe Serbia janë disa hapa përpara… ndërkohë që Shqipëria Kosova, Bosnja e Maqedonia janë ende shumë larg. 

Mund të jetë vlerësim i rastësishëm i deklarimit në media, por këto përcaktime ndikojnë negativisht edhe në opinionin publik evropian, se këto vende qëndrojnë akoma larg BE-së, duke ju u bërë padashur mbështetës të kundërshtarëve të zgjerimit për vendet ku ka shumicë të popullsisë myslimane. 
Vizioni i përbashkët evropian kërkon që shtetet dhe popujt ballkanike akoma të pa anëtarësuar, të afrohen dhe të bashkëpunojmë, në radhë të parë, me njëri tjetrin. 

Shtetet e pavarura e sovrane të Ballkanit, kërkohet të afrohen, të bashkëpunojnë e të ndërtojnë marrëdhënie ekonomike e tregtare, infrastrukturë moderne me standarde të larta evropiane, të cilat janë me interes të përbashkët. E sotmja dhe e ardhmja kërkojnë të punojmë bashkërisht për të forcuar vizionin politik të integrimit rajonal në funksion të shpejtimit të reformave për integrimin dinjitoz evropian. 

Shqipëria dhe shtetet e tjera ballkanike kanë mundësinë që të përdorin më me efektivitet veprimtarinë e WBIF, e cila që nga viti 2009 krijoi kushtet për dhënien e fondeve të përbashkëta dhe lehtësimin e marrjes së huave bankare për financimin e projekteve prioritare me rëndësi për rajonin dhe bashkësinë. 

Për kushtet e vendit tonë, mbeten përparësi fuqizimi i buxhetit, formalizimi i ekonomisë informale, rritja e të ardhurave buxhetore, investimet në industri, bujqësi, turizëm etj. Investimet e huaja ndikohen edhe nga mbështetja shtetërore, studimet e fizibilitetit, kreditë e ulja e borxhit publik, zhvillimi i sektorit energjetik, përpunimi i naftës e gazit etj. 

Edhe partnerët tanë strategjikë është e domosdoshme që të kontribuojnë në zhvillimin industrial e bujqësor të Shqipërisë. Këto mbetet edhe një detyrim i parealizuar prej tyre. Kujtojmë, se në vitet 1990-1993, me parullat se Shqipëria do të ndihmohet me teknologji moderne bashkëkohore, ndodhi shkatërrimi i industrisë, minierave, organizimit bujqësisë etj. 

Zhvillimi i ekonomisë prodhuese e përpunuese kombëtare e rajonale, ndihmon fuqizimin e brendshëm ekonomik, bashkëpunimin rajonal dhe krijon kushtet për konkurrimin dhe hyrjen më shpejt në tregun e gjerë e me standarde të larta të bashkësisë. Duhet të jemi jo vetëm konsumatorë, por edhe përpunues me standarde të lëndëve të para e mineraleve, produkteve bio bujqësore etj, si dhe eksportues në tregun evropian. Jetojmë, punojmë e kërkohet të përkushtohemi me energji pozitive në hapësirën e përbashkët gjeografike ballkanike. Këtë realitet, janë mundësitë për ta përdorur për të ndërtuar të sotmen dhe të ardhmen me vizionin e përbashkët të popujve tanë për liri, përparim bashkëkohor dhe mirëqënie më të mirë për të gjithë.

Vizioni i tregut ekonomik rajonal, i njohur, i shumë diskutuar, padrejtësisht i pamundur deri tani për tu bërë pjesë e jetës politike, ekonomike e shoqërore, do të ndikojë edhe në mendimin e ri politik e shoqëror. 

Qëllimet e përbashkëta ballkanike që orientohen nga vizioni i integrimit evropian, ndihmojnë për t’u shkëputur nga nacionalizmi e shovinizmi i fshehtë, që mbahen në koherencë e në momente të caktuara shkaktojnë tensionime të marrëdhënieve ndërshtetërore nga mitet mesjetare që predikohen nga disa klerikë të njohur për idetë e tyre ultra nacionaliste, sidomos antishqiptare dhe kundër politikave shtetërore bashkëkohore evropiane, amerikane e të bashkësisë ndërkombëtare të globalizmit. 

Është e domosdoshme të kuptohet qartë, se ideja, qëllimi, mesazhet e marrëveshjet e arritura janë mënyra më e drejtë dhe më efektive për krijimin e Tregut Ekonomik Ballkanik, si organizëm që do të shpejtojë integrimin evropian të shteteve të rajonit, të cilat nuk kanë arritur akoma të anëtarësohen në bashkësi.

Integrimi ekonomik është modeli që ndihmon shtetet e popujt për të afruar më konkretisht dhe kaluar me guxim në fazën e integrimit politik. Edhe vetë Bashkimi Evropian ka kaluar fazën e integrimit ekonomik që hapi fazën e integrimit politik. 

Samiti i Triestes dëshmoi qëllim për integrimin e Ballkanit Perëndimor, në dy fazat: integrimin ekonomik rajonal dhe shpejtimin e reformave për integrimin evropian, anëtarësimin në kohë më të shkurtër në Bashkimin Evropian. Shtetet e Evropës Perëndimore dhe ato të Skandinavisë kanë kaluar me sukses në integrimin e tyre me këtë organizim ndërkombëtar shtetëror të suksesshme. 

Dy marrëveshjet e nënshkruara për transportin dhe doganat hapin periudhën e fillimit të integrimit konkret rajonal të shteteve të pavarura ballkanike me orientim të qartë evropian që kërkojnë dhe meritojnë të bashkohen me bashkësinë, si pjesë e saj gjeografike, historike, ekonomike, kulturore. 
Domosdoshmëria për bashkëpunimin ekonomik nuk duhet paragjykuar politikisht, me emocionet e njëanshme ultra nacionale. 

Historikisht, këto probleme kanë ndikim të fuqishëm tek shqiptarët për shkak të politikave antishqiptare dhe ultranacionalizmat e shteteve fqinjë. 

Është e nevojshme të ritheksohet se krijimi dhe zhvillimi me efektivitet i Tregut Ekonomik Ballkanik i shërben integrimit rajonal në vizionin e integrimit më të shpejtë evropian. Çdo shtet ruan pavarësinë e sovranitetin e tij. 

Mundësitë më të shumta për marrëdhënie ekonomike, tregtare, infrastrukturë më komunikuese etj., krijojnë kushte edhe për afrim më konkret të komunikimit e lidhjeve në gjithë hapësirën gjeografike shqiptare, fatkeqësisht të copëtuar padrejtësisht në gjashtë shtete. Nuk duhet pasur frikë për ndonjë prapaskenë në dëm të Kosovës dhe në tërësi të territoreve të kombit shqiptar. Shqiptarët janë me numër më të shumtë se kombet e tjerë të Marrëveshjes për Tregun Ekonomik Ballkanik.
Bashkimi Evropian dhe shtetet e pavarura të Ballkanit nuk kanë projekte për rikrijimin e Federatës Jugosllave ose të Federatës Ballkanike.

Bashkimi Evropian dhe Shqipëria nuk do të kthehen në projektet e dështuara të Jugosllavisë Federale dhe as të Ballkanit Federal të dominuar nga politika antishqiptare serbe apo greke. 

Kritikat që bëhen nga disa analistë politikë, përgjithësisht janë të drejta në kuptimin e rrezikut të rikthimit tek e kaluara. Rreziku i pretenduar është kryesisht hipotetik. Theksojmë, se në politikën evropiane dhe atë rajonale nuk ka projekte për rikthimin tek projektet e dënuara historikisht dhe me pasoja të rënda për lirinë, paqen e sigurinë ballkanike, evropiane e më gjerë. Me të drejtë u reagua me shqetësim ndaj ideve dhe komenteve në dy gazeta gjermane: “Die Welt” dhe “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, të publikuara para Samitit të Triestes. Autorët e këtyre shkrimeve referohen në praktikat e mëparshme, si dhe ritheksojnë pasojat negative, duke tërhequr vëmendjen në plotësimin e standarde të anëtarësimit të shteteve ballkanike në Bashkimin Evropian, realizimin e reformave, forcimin e demokracisë e shtetit të së drejtës. Ka rëndësi të kuptohen drejt edhe mendimet e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për tregun e përbashkët ekonomik. Duhet vënë në dukje se vetë Vuçiç, bën të qartë me kujdes idetë e tij dhe përjashton idenë e kthimit tek Jugosllavia e dështuar. Kryeministri dhe aktualisht presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka evokuar për ekonomi dhe sindikata të vendeve të ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë, për shkak të ngritjes ekonomike të këtyre vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal. Vuçiç ka thënë se, nëse të tjerët pajtohen me planin e tij, atëherë do të bëhet një treg prej 20 milionë njerëzve, gjë që është shumë e rëndësishme, sepse ata mund të tërheqin shumë investitorë. Kur u pyet se nëse ai dëshiron të krijojë Jugosllavinë e re, Vuçiç ka thënë se ky projekt do të ishte në fakt një “ish-Jugosllavi plus me Shqipërinë”. “Kjo është një ide politike, duke mos komprometuar sovranitetin e këtyre vendeve. Thjesht, do të rrisë ekonominë tonë. Ne kemi nevojë për një normë të rritjes prej 4-5% në vit e jo 3%. Kjo nuk është e mjaftueshme”, argumenton Vuçiç ndër të tjera.
Sigal