Tradita parlamentare, sa e njohim atë

19
Nga Agron MEMA

Dëgjojmë debatet dhe deklaratat e parlamentarëve dhe shpesh themi se ky popull jemi dhe deputetët janë produkt i yni. Por ky është mendim i gabuar, nëse i hedhim një sy historisë së parlamentarizmit shqiptar. Gjejmë deputet të përgjegjshëm për fatet e rrezikuara të kombit tonë, përpjekjet e tyre për të bërë një shtet me format evropian dhe me prestigj ndërkombëtar, me një legjislacion të përkryer që u përgjigjet kushteve historike-sociale të popullit shqiptar dhe ambicieve të shtetit. Pra Shqipëria tashmë regjistron një traditë të pasur dhe të vyer parlamentare që nga gjeneza e sajë. Por a kemi njohuri të plota për traditën e këtij parlamentarizmi? Mendoj se jo! Përveç personave që, falë studimeve vetjake, e kanë pasur në fokus të punës së tyre. Publiku i gjerë nuk ka njohuri për këtë traditë, madje ka përfytyrimin e krijuar nga komunizmi, të nxirë e të masakruar, të zhveshur nga çdo ndjenjë patriotizmi. Pra kjo traditë nuk është njohur drejtpërdrejt, por e satirizuar nga krahasimet më banale ndaj deputetëve dhe parlamentit shqiptar deri në vitin 1944. Është një boshllëk që domosdoshmërish duhet përmbushur për të parë, se nga vijmë dhe sa të përgjegjshëm kanë qenë për fatet e kombit deputetët e ironizuar si “Baballarët e Kombit”. Por jemi të qartë se politika gjithmonë sjell debate për vlerat historike, ashtu siç ndodh edhe kohët dhe ditët e fundit në ekranet e TV. Parlamentarizmi shqiptar i ka rrënjët e tij qysh nga Kongresi i Lushnjës që startoi me zgjedhjet e para parlamentare të prillit të vitit 1921, parlament, i cili përbëhej me 78 deputetë. Kështu regjistrohet fakti i përpjekjeve të fillimit të jetës institucionale 8 vite pas shpalljes së pavarësisë, një shtet tanimë me territore të njohura gjeografike edhe nga Fuqitë e Mëdha. Në këtë periudhë, 1921-1922, sistemi shtetëror i pranuar më 1912, kishte kaluar Mbretëri Parlamentare me Këshill të Lartë derisa të vinte Mbreti. Po sjellim sot në faqet e gazetës “TELEGRAF” një debat parlamentar të 11 shtatorit 1922 në sesionin e 39-të të Kuvendit Kombëtar për zgjerimin e statusit të Kongresit të Lushnjës, zyrtarizuar në dokumentet e kohës. Kjo nismë u mor pasi qysh një vit më parë, në qershor 1921, deputeti Koço Tasi i deklarohet Kryesisë së Parlamentit: “Për arsye që gjithkush i di, imponohet që në programin e këtij sesioni duhet të jetë edhe plotësimi i statusit të të Kongresit të Lushnjës, sa për pjesën organike, dmth. Për sa i përket Këshillit të lartë, Parlamentit, Ministrave dhe Pushtetit Gjyqësor”. Këto u bënë pikërisht se , jo vetëm që gjatë kësaj kohe qenë rrëzuar shumë qeveri shqiptare, por u shfaqën edhe shumë përplasje midis institucioneve kryesore të shtetit dhe pati mjaft reagime për të mos pranuar autoritetin e shtetit, ku kulmi arriti me ngjarjet e periudhës së muajit dhjetor 1921-mars 1922 ku u ndërmorën lëvizje kundër qeverisë, çka vinte interesat kombëtare në rrezik. Pikërisht në këtë situatë kritike për ekzistencën e mëtejshme të shtetit shqiptar, deputeti Koço Tasi bëhet interpretues i zërit dhe vullnetit të një grupi deputetësh me vizion, që e kuptonin se mungesa e një kushtetute e ushqente anarkinë dhe duhej urgjentisht të fillonte puna për përgatitjen e Ligjit Themelor të shtetit të njohur e të pranuar, atij të Kongresit të Lushnjës. Në ndihmë të njohurive parlamentare historike vjen edhe libri “Debate parlamentare para një shekulli” përgatitur nga studiuesi Filip Rrumbullaku, prej nga po përcjellim debatin parlamentar të mëposhtëm të 11 shtatorit 1922, për zgjerimin e statusit të Kongresit të Lushnjës: “MBLEDHJA 39,

Kryetari Eshref Frashëri: Bisedim mbi zgjerimin e Statutit të Lushnjës. 
Z. Sulejman Delvina: Nuk mund të themi Statuti i shtetit shqiptar, se këtë do ta bëjë asambleja. Por të thuhet kompletimi i Statutit provizor të shtetit shqiptar. 

Z. Shefqet Daji: Kemi fjalën zgjerim. Pranohet që të thuhet “zgjerimi i Statutit provizor të shtetit shqiptar”. Këndohet statuti përgjithësisht sipas kopjes së bashkangjitur. 

Z. Abdyl Sula: Në Statutin që u këndua, mungojnë shumë sende, sikundër ka edhe shumë sende tepër që nuk gjenden në statutet e botës. Duke filluar nga pika e parë, dua të bëj disa vërejtje. Në këtë pikë thuhet që shteti shqiptar qeveriset prej një qeverie monarkike kushtetore, që nuk do me thanë konstitucionale, por conditonnele. 

Dom N. Mjeda: Kondisionel do me thënë kushtore dhe jo kushtetore. (Që në fillim të diskutimeve duket serioziteti parlamentar edhe në formulimin e përmbajtjes së neneve me gjuhë dhe fjalë më të sakta. Deputeti Dom Ndre Mjeda, i cili njihet mirë, jo vetëm si një poet, por edhe si një gjuhëtar, ndërhyn për të qenë të saktë në shprehjen e kuptimit të një fjale, rreth së cilës më pas do të zhvilloheshin mjaft diskutime) 

Z. Kryetari: Sipas rregullave, nuk mund të bisedohet në detaje, por përgjithësisht. 
Z. Abdyl Sula -Si e thashë në fillim, përgjithësisht mungojnë shumë sende që gjenden në statuset e botës si dhe ka shumë sende të tepërta që mungojnë në statuset e botës. 
Z. Sulejman Delvina-Ato që janë të tepërta, si dhe ato që mungojnë , mund të na i thoni. Zëra -Këto janë detaje, kur të bisedohet për detaje, atëherë mund të bëhen këto diskutime. 

Z. Koço Tasi- Në bazë të vendimit të Parlamentit u caktua një komision për zgjerimin e Statusit, në të cilën ndodhesha edhe unë. Për sa mundi, komisioni nuk u largua nga Statusi i Kongresit të Lushnjës. Ai thotë se shteti shqiptar është monarki konstitucionale dhe ne kështu e lamë. Statuti i Lushnjës thotë se vendin e mbretit e zë përkohësisht Këshilli i Lartë dhe ne kështu e lamë. Komisioni caktoi ato të drejta që u përkasin fuqive legjislative dhe ekzekutive dhe nuk u largua nga baza. 

Zëra- Me qenë se Statuti është një gjë me shumë rëndësi, të lihet për nesër. Vihet në votë vazhdimi apo mosvazhdimi i mbledhjes dhe vendoset që bisedimi për zgjerimin e Statutit të lihet për nesër. 

MBLEDHJA 40. 
Z.Kryetari: Më parë se të hyjmë në rendin e ditës, dua t’ju pyes se ç’duhet të bëjmë për ata deputetë që u është mbaruar leja dhe nuk kanë ardhur ende këtu… Bisedim mbi zgjerimin e statutit provizor të shtetit shqiptar. Këndohet artikulli 1 

Z. Milto Tutulani- Duke qenë se jemi në zgjerimin e Statutit të Lushnjës, më duket se duhet të ruajmë esencën e këtij Statuti. Me formimin e këtij artikulli, më duket se ata të komisionit kanë dalë nga kompetencat e tyre, pse nuk është e vërtetë që Statuti i Lushnjës përmban një formë monarkie kushtetore, përkundrazi, shpirti i këtij statuti, që Këshillit të Lartë nuk i jep asnjë votë dhe krijon një senat omnipotento, është përkohësisht deri sa të vijë mbreti demokrat me regjencë. Me shtet monarkik kushtetor kuptohet se të drejtat i ka monarku dhe pasi disa nga këto të drejta ia lë kationit/kombit, prandaj quhet kushtetore; përkundrazi kur të drejtat i ka kationi/kombi dhe vetëm disa të drejta i jep mbretit, atëherë quhet mbretëri demokratike dhe sipas Statutit të Lushnjës, mbasi të gjitha të drejtat i ka rezervuar populli për vete dhe disa i ka hequr dhe ia ka dhënë Këshillit të Lartë, qysh mundet forma jonë pas këtij Statuti të quhet monarki kushtetore; nga këto jam i mendimit që të hiqet nga ky nen fjala monarki kushtetore dhe në vend të tyre të vihet fjala shtet konstitucional. 

Z. Sulejman Delvina-Me fjalën monarki kushtetore është pranuar ardhja e mbretit. Unë jam i mendimit që të quhet monarki parlamentare, pse ka qeveri që ka konstitucion, por s’kanë parlament, teksa ne jemi një qeveri parlamentare. 

Z. Luigj Gurakuqi: Komisioni i formuar prej Parlamentit, në të cilin kam pas qenë edhe unë, ka pasur për bazë zgjerimin e Statutit të Lushnjës dhe më duket se këtë barrë e ka kryer, duke mos u larguar nga baza. Artikulli i parë që shteti shqiptar qeveriset prej një qeverie monarkike kushtetore u formulua kështu duke u bazuar në Statutin e Lushnjës, i cili thotë se , Këshilli i Lartë zë vendin e mbretit deri sa të vijë. Ky, pra, edhe në qoftë se atëherë nuk u tha se shteti shqiptar është monarki, ky kuptim del vetvetiu nga artikulli i Statutit të Lushnjës që përmenda. Sa për konsekuencën që mund të rrjedhë nga fjalë të tilla, nuk duhet të preokupohemi, pasi në artikullin e parë shtojmë se vendin e mbretit e zë përkohësisht Këshilli i Lartë me të drejtat e caktuara në mënyrë taksative në këtë Statut dhe se, kjo shtojcë, është konsekuencë e paragrafit të parë. Komisioni i Statutit, duke vënë për bazë se qeveria jonë, është një qeveri monarkike kushtetuese, nuk e kapërceu kufirin e Statutit të Lushnjës, pasi Këshilli i Lartë do të jetë deri sa të vijë mbreti. Prandaj jam i mendimit që të pranohet ashtu sikur është, se kjo mënyrë nuk sjell asnjë konsekuencë. 

Z. Nikolla Ivanaj: Kujtoj se shteti shqiptar e, sidomos qysh prej Kongresit të Lushnjës, ka një qeveri popullore konstitucionale. Duke pasur parasysh interesat e përgjithshme të shtetit e të popullit shqiptar, sot për sot, besoj se është detyra jonë të mos largohemi nga ky princip dhe se detyra për t’i dhënë shtetit tonë një formë monarkike, konstitucionale apo republikë, nuk na përket ne, por mbledhjes së përgjithshme. Prandaj në artikullin e parë të thuhet kështu: Shteti shqiptar qeveriset prej një qeverie popullore, në ballë të së cilës rri Këshilli i Lartë, pse me të vërtetë nuk jemi as qeveri monarkike as republikë, por vetëm popullore. 

Z. Milto Tutulani: Nuk është e vërtetë si thotë z. L. Gurakuqi se forma që tregohet monarki kushtetore është konsekuenca e pikës që vendin e mbretit e zë Këshilli i Lartë dhe se bisedimi i ndryshimit nuk ka një vlerë praktike; sepse statuti i Lushnjës nuk tregon formën definitive të shtetit, por i krijuar nga nevojat e asaj kohe ka parasysh vetëm si do qeveriset Shqipëria deri sa të vijë mbreti dhe të zërë jetën definitive, kështu më duket nuk del ndonjë konsekuencë e tillë; sa për vleftën praktike them se do të ishte një absurditet që të kesh një statut demokrat dhe ta quash monarkiste, por nuk duhet harruar se edhe ky kompletim nuk do të mundet të parashikojë dhe të zgjidhë gjithë çështjet shtetërore dhe duke qenë kështu, në ndonjë rast statuti provizor mund të heshtë dhe, në të tilla raste të heshtjes del çështja, që në heshtje të statutit për kompetencën e asaj çështjeje kush do të jetë kompetent. Përgjigja ka për të dalë kështu: Po të jetë monarki është regjenca dhe po të jetë demokraci mbretërore kompetent është populli. Dua të them që në monarku del delil ( fakt) kompetenca për monarkun dhe në republikën mbretërore del fakt kompetenca për popullin.

(diskutimet vijojnë…)