Tik-tak apo tiki-taka, zoti Lu?

695
Nga Gentian Gaba 
Zdhens  i  PAA
31 janari u mbyll me një tjetër paralajmërim për politikën shqiptare. Ambasadori Donald Lu, nga llogaria e Facebook-ut e Ambasadës Amerikane, kërkoi llogari për dollarët e shpenzuar nga taksapaguesit amerikanë për të ndihmuar shqiptarët në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ndonëse pritshmëritë e tij për datën dhe cilësinë e rezultatit ishin tejet të sakata (muaji janar dhe peshq të mëdhenj), politikanët, policët dhe prokurorët, e zhgënyen z. Lu.
Ky komunikim i ashpër, por i përgjithshëm, pasi u nuk u përmend emri i atyre që ishin zotuar për këto “kapje”e dhe afate, u mbyll me një “tik-tak” që simbolizon jo vetëm trokitjet e akrepave të orëve të shkuara, por edhe ripërcaktimin e një afati të ri kohor për rezultatet. Në këtë rast Ambasadori u tregua përsëri i përgjithshëm, pasi e shtyu afatin për në pranverë.
Për shumëkënd ky tik-tak nuk është asgjë e re, madje tingëllon si një “tiki-taka”.
Për ata që nuk janë dashamirës të futbollit dhe tifozë të Barceleonës, “tiki-taka” përkufizon një stil loje të bazuar te pasimet e shpeshta dhe me një prekje. Qëllimi i këtij rrjeti pasimesh, të zhvilluara me shumë qetësi dhe në hapësira të ngushta, është imponimi i lojës ndaj kundërshtarëve; të cilët janë të detyruar të lodhen duke ndjekur topin.
Lojtarët e politikës, ata që janë fansat më të çmendur të pandëshkueshmërisë, e kanë mbajtur mirë topin e drejtësisë. Madje kanë shfaqur një talent të tillë, saqë e kanë bindur Ambasadorin Lu se po luanin për të njëjtin objektiv.
Sorollatja (kujtojmë se Reforma u votua në korrik 2016), akuzat, kundërakuzat dhe vonesat janë provat më të forta se kishte një vullnet të qartë politik për të depërtuar në mekanizmat e drejtësisë; ju duhej vetëm kohë për të gjetur rrugën e duhur, dhe kjo ishte pikërisht “tiki-taka” institucionale me Reformën.
Ky stil loje, me drejtësinë e trajtuar si top, duke nisur nga ligji (i famshëm) 109 pika 3, zgjedhja unilaterale të Prokurores të Përgjithshme të përkohëshme; përzgjedhja njëngjyrëshe e anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së, marrëveshja midis PPP-së Arta Marku dhe ministrit të Brendshëm Famtir Xhafaj, dëshmojnë se jemi përballë një dështimi spektakolar të Reformës
Ndonëse kishte si qëllim krijimin e një drejtësie të pavarur, falë “tiki-takës”, kontrollin e drejtësisë e mori një nga dy skuadrat: ajo që kishte votat në parlament dhe mbështetjen e duhur të ndërkombëtarëve. 
Na bindën t’i besonim përrallës se të gjithë bashkë (politikanë, policë dhe prokurorë), nën drejtimin e z. Lu në cilësinë e ‘arbitrit”, do të luanin një lojë në të cilën trofeu do të ishte “peshku i madh”. U gënjyem, ndoshta bashkë me ne edhe z. Lu, se ata që janë për në “grep” ose për në “furrë”, do të reformonin drejtësinë shqiptare duke u vetndëshkuar.
Tashmë, arsyet e dështimit të këtij procesit duhet të jenë të qarta, jo vetëm për Ambasadorin, i cili shpesh herë u tregua i ashpër më “kartonat” ndaj opozitës duke e bërë akoma më të lodhshme garën e saj për të balancuar palën tjetër në këtë proces; por edhe për ata qytetarë që presin drejtësi dhe jo gjyqe politike, të cilat cungojnë besimin ndaj perëndeshës me sy të lidhur. 
Ndonëse më 1 shkurt erdhën arrestimet e disa ish-drejtuesve, nuk mund të quhen sinjale për fundin e pandëshkueshmërisë; i përkasin një logjike selektive, me nuanca të forta politike, që i ngjason më shumë luftës për pushtet. 
Për këtë arsye, jemi në një moment kritik të jetës politike. Pushtetet po përqendrohen në duart e një autoriteti të vetëm. Mungesa e ndarjes midis ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit do t’i bëjë devijimet arbitrare pjesë të lojës, derisa Mazhoranca do ta mbajë midis këmbëve të saj Qeverinë, Parlamentin dhe këtë drejtësi më të politizuar se kurrë.
Për ata që presin ndonjë peshk të madh, të dalë nga radhët e partisë më të madhe që po qeveris vendin prej pesë vitesh, le të përdorim përsëri metaforën e futbollit, nëpërmjet një citimi të Johan Cruyff, “nëse topin e kemi ne, të tjerët nuk mund të shënojnë gol”.
Këtë e kupton edhe një trupeshk.
Sigal