Thoma Goga/ Marinëza, “bombë” e shkuar “bombës” ose “Gërdeci i dytë…

499
Shkak për këtë shkrim u bë një kronikë televizive ku banorët e fshatit Marinëz janë shtruar në spital, ku edhe fëmijët mezi marrin frymë, ku oksigjenin e ka “rrëmbyer” koncensionari, ku sikur të mos mjaftonte varfëria, u bie dhe kjo “bombë” e kaluar bombë. Teksa po ndjekim me shqetësim ngjarjet në fshatin tonë të dashur Marinëz, më bëri për shtypje etiketimi që i bënte një televizion. Duke dhënë kronikën për fshatin që po mbytet nga gazrat “e ëmbla”, poshtë shkruhej me titra “Shqiptarët e Marinëzës të kontaminuar nga nafta dhe gazrat”. E pra, e shkruar apo e thënë kështu, të duket se fshati ynë i dashur Marinëza na qenka një ishull i harruar “shumëkombësh”, por që na paska edhe shqiptarë..(?). Sikur këtë lajm po e jepnin ca media të huaja dhe jo këto tonat. Paradoks mediatik, por që brenda tij ka ca përqindje “të vërtetash”. Në fakt është një fshat që vetë shteti, sidomos pas vitit 1991, e ka harruar. Përsipër këtij “ishulli” të artë ka dy vlerësime. Shteti kujdeset shumë për koncesionarët e huaj, sepse “na sjellin fitime të majme në buxhet”, por siç del edhe nga bilancet financiare këto fitime nuk janë ato që duhet të ishin. Abuzime financiare po dalin në dritë, pakujdesi teknik edhe ndotje mjedisi, kontaminim i tokës e mbi të gjitha ndotja e ajrit që e bënë Marinëzën të pajtueshme. Koncensionarë që vazhdojnë të shpojnë edhe rrëzë shtëpive të banuara, sikur të mos u mjaftojë fusha e madhe naftëmbajtëse, koncensionarë që shpojnë jashtë kushteve teknike edhe brenda qendrës së banuar, edhe pse ka ca parametra që nuk të lejojnë. Ata që jetojnë mbi tokë janë të destinuar të vuajnë pasojat e një shfrytëzimi barbar, kurse pjesën e nëntokës (pra, pjesën e artë të këtij “ishulli”) e kanë në dorë ca të huaj që vetëm shtrydhin nëntokën duke u mohuar banorëve edhe ajrin e pastër. Ku është parulla e madhe “DO TË BËJMË SHTET”? Apo për “shqiptarët” e Marinëzës kjo parullë nuk ka vlerë?! Ja pra, pse më bëri përshtypje këndvështrimi i një kronike. Edhe ajo kronikë m’ u duk si e shkruar nga një dorë e huaj koncensionari që i vlerësoi banorët si “shqiptarët e Marinëzës”. Ta lëmë paradoksin e të vazhdojmë me shtetin tonë që duket se i mban iso të huajve. Në prononcimin publik edhe ministri i Energjetikës z. Gjiknuri foli sikur të ishte zëdhënësi i koncensionarit kanadez. Sipas tij “gazrat ishin të ëmbla dhe se këto fenomene janë të zakonshme në zona naftëmbajtëse”. Kujt ia thotë këto mbroçkulla ky ministër? Ata banorë që jetojnë prej shekujsh aty e njohin më mirë se ai informacionin për prodhimin dhe teknologjinë e naftës. Ndërsa kanadezët dinë dhe duan vetëm të shtrydhin çdo pasuri të nëntokës, pa pyetur për jetët e mbitokës, shteti ynë të mos harrojë jetët e qytetarëve të tij. Po bëjmë një paralelizëm. Qeveria e sotme doli dhe fitoi zgjedhjet e qershorit 2013 edhe me motivin që të mos përsëritet Gërdeci i cili mori 26 jetë të pafajshme dhe disa qindra jetë të tjera të sakatosur. Dhe populli, përfshi edhe “shqiptarët e Marinëzës”, votuan për përmbysjen e asaj qeverie që ngriti me babëzinë e saj Gërdecin si fenomen. Ndërsa në Gërdec për disa minuta apo dhe disa orë u krijua ai bilanc tragjik dhimbjeje, në Marinëz kemi një “Gërdec” të heshtur që mund të përfshijë jo vetëm fshatin, por dhe një perimetër më të gjerë. E pra, ku është ndryshimi midis qeverisë që iku dhe “rilindjes” që erdhi me daulle të mëdha? Kanë të drejtë banorët e Marinëzës të pyesin: Kjo ishte rilindja e tyre? E për këtë pyetje jo retorike ka vetëm një përgjigje. Po nuk u vu dorë e fortë mbi këtë fenomen, mbi këto gangrena, Marinëza nuk pret rilindje, por siç duket i erdhi radha rivdekjes së heshtur. Ja “Gërdeci” i dytë…
Sigal