Thoma Goga/ Erioni në autobus?!…

642
Më kujtohet mirë; ishte e premte. Dola nga shtëpia më herët, pa shtrënguar vapa. Thashë të mbaroja ca detyra shtëpie dhe ca porosi të gruas time të vetme… Nxitoja të zija autobusin e radhës se, ndoshta tjetri edhe mund të vonohej. Para meje një djalosh. Nxitonte dhe ai. Dikush e ndaloi dhe e përqafoi. Pas tij një tjetër nga larg bërtiti: “Urime Erion, suksese!”. Heu, fshiva sytë, kryetari i bashkisë në këmbë! E po, thashë, e ka me qejf si ditë e parë…Kur ai ndaloi e po priste në të njëjtin stacion, aty ku do prisja dhe unë. Çfarë fati, do të udhëtoja afër kryebashkiakut të ri. 
Pas pak i afrohet një grua rome duke zgjatur dorën.
– O çavo, na fal ndonjë lekë. Bëj sevap, të dhëntë zoti shnet! 
Erioni, si djalë xhentil, i hodhi dorën në sup me njerëzillëk gruas rome. 
– Më vjen shumë, shumë keq. E di sa ngushtë më ke zënë, – tha ai, – sot është dita e parë e punës. Kur të marrë rrogën e parë, në fund të muajit tjetër më tako. Nuk bëhet fjalë se do të jap diçka. Unë jam i ndjeshëm ndaj komunitetit tuaj… 
Pastaj futi dorën tjetër në xhep dhe i zgjati lypses një kartëvizitë.
– Urdhëro, -i tha, -këtu ke numrin e telefonit, adresën e punës dhe atë të e-mail-it. 
Gruaja rome shau nëpër dhëmbë harixhinçe e iku, se në çast erdhi autobusi. Ndërsa unë po vrisja mendjen se edhe ky udhëtim i kryebashkiakut me autobus, mund të ishte diçka simbolike. Mbase ka parë edhe VIP-at e botës që veprojnë kështu. E po mos u çudisni! S’ka shumë kohë që edhe Mbretëresha e Anglisë, Elisabeta I, udhëtoi me një autobus në Londër, në shenjë proteste për ngritjen e çmimit të karburanteve. Dhe kryeministri anglez Cameron menjëherë e uli çmimin. Këtë lajm e dhanë të gjitha mediat. Tashti po vrisja mendjen; të ketë imituar Mbretëreshën, që është “ca hollë” nga ekonomia? Nuk e di! Të mos merremi me thashetheme. Në çast erdhi faturinua, një djalë trashaluq, që mezi manovronte mes njerëzve. Po shikoja se si do reagonte kryebashkiaku i ri. 
– Lekët ose abonetë, – bërtiste trashaluqi. Dhe Erioni futi dorën në xhep. Pashë që u rrudh në fytyrë. 
– Më falni, -iu drejtua me zë të ulët e gjithë kulturë faturinos.- Kam ndërruar kostumin e ri, sepse sot është dita ime e parë e punës. Lekët i kam te kostumi tjetër.
– O çuni, dua lekët unë e jo përralla. Të rroftë kostumi. Je dhe alamet djali… 
– Edhe një herë më mirëkuptoni; unë jam Erion Veliaj, kryetari i ri i bashkisë Tiranë. 
– E more, ashtu thonë të gjithë ata që ngjajnë me ty. Ku e di unë kush është Erioni i vërtetë?
Erioni si rrufe nxori nga xhepi një letër dhe ia zgjati faturinos.
– Urdhëro, -i tha, -këtu ke numrin e telefonit, adresën e punës dhe atë të e-mail-it. 
Atë moment edhe faturinua u çel në fytyrë.
– Eriono, më falni. Ju e kuptoni, unë bëj detyrën. Edhe ju suksese për detyrën. Sa herë të udhëtosh me mua, nuk të pres biletë. Mos e rruaj fare…
Po udhëtimi i parë i Erionit nga shtëpia për në punë me autobus nuk kaloi, edhe pa një episod tjetër. E dreq o punë, thashë me vete, ku më ndjekin mua këto skena! Një “xhepist”, ( çudi se “rrallë” ka nëpër Tiranë), duke përfituar nga gjullurdia, futi dorën në xhep të xhaketës së Erionit. Po kryebashiaku i ri, që e urren këtë ves dhe këtë kategori parazitësh, falë dhe vigjilencës apo ndjeshmërisë, e mbërtheu dhe i bërtiti; 
– Nuk jetohet kështu duke vjedhur qytetarët, more djalë. S’ke turp!
– Turp të kesh ti, – ia priti “xhepisti”,- s’ke një kokërr leku në xhep.- Dhe zbriti me vrap nga autobusi, që për fat ishte në stacion, duke i treguar Erionit, kartvizitën që i kishte vjedhur. Atë ku kishte të shënuar numrin e telefonit, adresën e punës dhe të e-mail-it…
Pas pak erdhi stacioni tjetër e autobusi ndaloi. Zbriti Erioni, zbrita dhe unë. Mirë ai, po shkonte me gëzim në punë, po unë…Për një moment m’u duk vetja sikur kisha filluar punë si shoqërues i Erionit. Ej bela, thashë me vete, harrova dhe detyrat e gruas… 
Sigal