Thanas Meksi/ Harmonia fetare shqiptare, traditore dhe pasuri e pallogaritur

627
Sigal

Filantropi Vangjel Zhapa, dashurinë për fenë e njësoi me dashurinë për dijen, shkollën dhe arsimimin

*Etnolog

Dikur shqiptarët shpreheshin me krenari: “Feja e Shqiptarit është Shqiptaria”. Shprehje kuptimplote për kohën që përdorej dhe shumë e drejtë, sepse atëherë në plan të parë ishte forcimi i shqiptarizmit dhe së dyti ky forcim do të kryhej edhe nëpërmjet fesë. Dhe ky shtet shqiptar u krijua me autorësi shqiptare që në kohën e prijësit të madh Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Dhe feja, besimi tek Zoti shkoi paralelisht me shtetin, ndoshta edhe më shpejt, sepse shqiptarët kanë besuar që në lashtësi në fe. Fakti që shqiptari e do Zotin dhe beson tek perëndia, tregon se Ai e do vendlindjen e Tij, dheun e Tij, Atdheun e Tij Shqipërinë. Dhe kur ikën e largohet dashurinë e le në vendlindje, në Atdhe, dhe kthehet shpejt!…

Bamirësi laboviti me famë europiane Vangjel Zhapa, nga Labova e Zhapës, Odrije- Gjirokastër, vendlindjen Labova e quante “Vend i shenjtë i takimit me Zotin”. Dita përkujtimore ishte 2 shkurti që edhe sot labovitët dhe të larguarit, në këtë datë mblidhen në Labovë, në Kishën e Papandisë dhe festojnë ditën e bekuar.

Mbasi ndërtoi disa kisha në zonën e Labovës, Tërbuq e Hundëkuq, ai në vitin 1834 ndërtoi në fshatin Hormovë xhaminë dhe teqenë për besimtarët myslimanë.

Por filantropi Vangjel Zhapa dashurinë për fenë e njësoi me dashurinë për dijen, shkollën, arsimimin. Fakti ishte se ai qe i pari në jug të Shqipërisë,  që në vitin 1860 hapi Gjimnazin e Labovës, për djem e vajza, tregoi se dija dhe mësimi është pjesë e fesë, e dashurisë për Zotin, për t’u bërë i ditur dhe i dobishëm për veten, familjen dhe Atdheun tënd.

Flasin për këtë qëllim 127 shkollat e ngritura nga Vangjel Zhapa, që nga Vlora në Gjirokastër, Sarandë, e deri në Çamëri. Programi i këtyre shkollave përmbante edhe mësim feje. Krahas me osmanishten apo greqishten, mësohej edhe shqipja. Por harmonia fetare, midis feve kryesore shqiptare është një thesar i pallogaritshëm, i mbështetur tërësisht në traditën tonë të vyer shekullore. Ajo është një pasuri e madhe, cilësi i mirënisë sonë intelektuale. Si e tillë ajo është e vyer. Ajo i ka shërbyer  me kohë unitetit të kombit tonë, arsimimit të bijve dhe bijave të tij, dashurisë së tyre për atdheun dhe vendit e të parëve tanë. Shqiptari e ka skalitur në mendje dhe zemër këtë harmoni. Njeriu duhet të jetojë në harmoni dhe bashkuesi, në mirësi me njeri tjetrin, pavarësisht se çfarë feje i takon. Tradita e kërkon dashurinë me njeri –tjetrin.

Një simbiozë e çuditshme dhe shumë interesante mbizotëron në lagjen Kala të Elbasanit. Në këtë lagje jetojnë bashkë të krishterë dhe myslimanë, brenda mureve të Kalasë shekullore. Kalaja është ndërtuar në shekullin e III-IV nga romakët dhe është rindërtuar në vitin 1466 nga turqit. Por gjithmonë brenda saj kanë jetuar në harmoni banorë të feve të ndryshme.

Ndërtesat e kishës së Shën Mërisë dhe xhamisë, nuk janë më larg se 30 hapa larg nga njëra- tjetra. Shikon në kishë myslimanë dhe në xhami të krishterë në harmoni të plotë me njeri – tjetrin. Në gjithë këtë kohë që ka kaluar asnjë prishje s’ka ndodhur në xhami dhe as në kishë. Afër xhamisë jetojnë familje të krishterësh dhe afër kishës familje myslimane, që kujdesen dhe ruajnë “shtëpinë“ e Zotit. Në këtë periudhë tradicionale, s’ka ndodhur asnjë vjedhje apo grabitje në kishë apo në xhami. Përse vallë?

Të vjetrit shprehen: “Njerëzit ruajnë institucionet fetare dhe Zoti ruan njerëzit”. Kurse në Tërbuq, fshat në Odrije, tregojnë një të vërtetë: Ne ndërtesën e shkatërruar të Manastirit të Tërbuqit, nga lufta, mësynë në një ditë të bukur ca të paudhë, të një shtëpie, bashkë me gomar e qen. Morën qoshet e mureve, gurët dhe i vendosën në shtëpinë e tyre. Por, të nesërmen vunë re se gomari kishte ngordhur, qeni kishte marrë arratinë, ndërsa i zoti i shtëpisë, u gdhi i pamundur dhe zuri shtratin, deri sa vdiq.

***

Në vitet 80-të të shekullit të XX në Elbasan ndodhte diçka e çuditshme!… Në kisha dhe xhamia “dyndeshin” të rinj dhe të reja. Vajza e priftit martohej me djalin e hoxhës dhe e kundërta: vajza e hoxhës martohej me djalin e priftit. E paparë për atë kohë! Në lagjen Kala myslimanët dhe të krishterët festonin së bashku festat fetare, tek njeri-tjetri. Kalajasit ishin bërë iniciatorë të martesave të mësipërme. Padyshim që flitej për një harmoni të vërtetë fetare dhe shkuesi të jashtëzakonshme. Në këtë bashkuesi kanë influencuar disa karakteristika dhe nocione të reja me kahje perëndimore.

Së pari arsimi i të rinjve dhe të rejave, shkolla Normale e Elbasanit me dyert e saj të hapura për të pasur dhe të vobektë, lëndët mësimore emancipuese, veçanërisht lëndët e dyta si: muzika, gjimnastika, punëdorja etj., afronin nxënësit me njëri-tjetrin, të njiheshin edhe më mirë.

Së dyti profesionet që merrnin si arsimtarë, mjekë, ekonomistë, që kjo lagje dhe gjithë Elbasani, ka me qindra, mijëra, thyente bestynitë dhe i bashkonte intelektualët.

Arsimimi dhe intelektualizmi zhvillon harmoninë fetare, largon dhunën dhe urrejtjen, afron dashurinë me njeri-tjetrin. Janë shumë të pakta vrasjet dhe dhuna në Elbasan, veçanërisht në lagjen Kala.

Kuvendi i Pajtimit Kombëtar, misioni “Nënë Tereza”, i zhvilluar para disa ditësh në sallën e UNECSO-s e vuri theksin në këto drejtime, për të zhvilluar më tej harmoninë fetare si thesar i vërtetë dhe i paparë i Shqipërisë, nënvizuar edhe me takimin me Papa Françeskun.

Etnolog

Thanas Meksi