Tërmeti nga zoti dhe qameti nga i zoti…

1058
Sigal

Nga AGIM JAZAJ

Këto ditë ra një tërmet, jo dhe i vogël, me 4.5 ballë magnitutë, nga të dhënat sizmologjike, i cili la pas dhe një dridhmë të madhe! Epiqendra e këtij tërmeti u shënua (jashtë qyteteve të banuara) në bashkinë e Selenicës, madje në njësinë vendore, malore të Bratit. Në fshatrat; Vërmik, Bashaj e Matogjin. Në vend u shkaktuan dëmtime, fatmirësisht jo në jetë njerëzore! Nga 15 familjet e dëmtuara, 5 prej tyre, më të dëmtuarat u evakuon në shkollën e fshatit Bashaj, bën më dije kryetari i bashkisë Përparim Shametaj, i cili bashkë me ekipin e tij, administratorin e njësisë vendore Sezai Balilaj etj, ishin mes banorëve të dëmtuar. Mirëpo tërmeti i vogël, me qendër jashtë qendrave të banuara- qyteteve: Tërmeti nga zoti dhe qameti nga i zoti! Paralajmëron një hata të madhe brenda qyteteve, të paralajmëruar shumë më herët dhe e pa parandaluar!

I zoti po rrokullis gurë

Këtë hata me klithma të forta, e ka përcjellë deri në kupë të qiellit edhe shefi i emergjencave civile, në prefekturën e Vlorës; Mynyr Gjika, i cili ka parë me sy, ka prekur përditë gjendjen, ndërsa njerëzit e bëjnë gjumin të drithëruar përgjatë këtyre 27 viteve: Rrezikun që kanoset nga tërmetet. Mirëpo, ka të verbër që nuk do të shikojnë, të shurdhër që nuk do të dëgjojnë, të marrë që nuk do të kuptojnë! Zyrtarët, qeveritarët e kanë stacionin vetëm në dhënie, mbajnë fjalime përpara “kazanëve” si i quajnë legenët! Aftësia për të dëgjuar: Është mundësi për të kuptuar, për t’u korrigjuar, zotësi për të drejtuar! Banorët e paktë të atyre anëve thonë se, nga tërmeti u rrokullisën edhe gurë nga mali. Si i thonë llafit edhe fati po na zë me gurë, po na rrokullis gurë! Robi nuk e ndal dot dorën e zotit, por robi nuk ka ndalur as dorën e gjatë, të marrosur të robit këto kohë, madje i ka zgjatuar dhe ndërsyer dorën, duke rrokullisur gurë, e me urën e zjarrin në dorë, në tru e në gojë, ka ndezur zjarr gjithë vendin! Hall i madh! Po rrokullis gurë, jo vetëm nga maja e “Tartarit” që ranë këto ditë mbi fshatrat e Matogjinit, Bashajt, Vërmikut, pa bërë zarar, por nga maja e malit Shqipëri, po rrokullis gurë, po ndez me urën e zjarrit kudo zjarrin e marrëzisë!

Nuk kishin shkollë, po nuk vepronin pa mend

Miku i moçëm Kristo Mërtiri, atje mes Këlcyrës e Mezhgoranit, i rrahur me vaj e uthull, sapo dëgjoi tërmetin e ndodhur në bashkinë e Selenicës, na telefonoi, dhe na uroi: “Shyqyr që kini shpëtuar paq!” Na përgëzoi për kryebashkiakun, i cili ndodhet në çdo pëllëmbë të territori të bashkisë, natën dhe ditën! Mirëpo ai nis e mollois: “Të parët tanë të moçëm, ndoshta nuk kishin shkollë, po kishin mend, nuk vepronin pa mend. Mateshin se ku do të ngrinin shtëpinë, kasollen, stanin… Shtëpinë do ta ngrinin në vende të larta, të qëndrueshme, kurrë nuk zinin tokën e bukës. Nuk mund të ndërtonin shtëpinë poshtë urës, buzë lumit, në grykë të përroit, poshtë gurit! Nuk cenonin themelet e shtëpive. Dhe nëse do të vepronte ndonjë i marrë, kishte “Çeçua biçak”. Po kjo traditë e vyer, pse jo dhe pjesë e memories, pse është fshirë nga memoria?! Nëse do të vepronte ndonjë i marrë, kishte “Çeçua biçak”. Po sot Çeçua i ndërsen të marrët dhe biçaku ka vajtur në myqe”- si i thonë llafit!

S’po dëgjojnë as Mynyrin?!

Është fjala pra, hataja e ndërhyrjeve në palcën e pallateve, rrënimi nga dora barbare e njeriut të marrë. Përgjatë këtyre viteve të marra, njerëz me kufizim intelekti, me doza të larta marrëzie, kanë ndërhyrë pothuajse në shumicën e apartamenteve të banimit, sidomos në katet e para, duke thyer, cenuar themelet, kolonat, shqyer muret, tubin e gazit, ujit, soletën trotuarët, kanë pushtuar hapësirat e përbashkëta, hapur dyer e dritare jashtë projektit, duke dëmtuar skeletin e pallateve! Kanë thyer “kolonat vertebrale”, brinjët, kockat, këmbët, kokën e pallateve! Të marrët me marrëzinë e pa fre, kanë ndërhyrë në themelet, muret, në gjithë infrastrukturën e tyre me ndërtime biznesesh, zaptime, deformime dhe cenime të tyre. Këtyre të marrëve s’u ka thënë askush: “Ndal!” Banorët e apartamentit 1212 dhe jo vetëm këta në Vlorë, janë të kërcënuar nga rrëzimi i Pallatit, për shkak të ndërhyrjeve nga Zaptues- Pushtuesit e Qendrave Shëndetësore, të cilët kanë ndërhyrë, thyer themelet, kolonat, kanë hapur mure dhe dritare, kanë rrethuar banorët me “klon” krevate, duke mbrojtur zaptimin e objekteve shtetërore dhe krimin me “lulishte” nga të marrët, ndonëse dhe Portali i përkthyer ,“Pordhali” me nr. 11521 datë 01.03. 2018: “Shqipëria që duam”- ua quan të drejtë banorëve legalë, pas verifikimeve nga grupi i punës, por grabitqarët, zyrtarët ende zvarrisin dhe komprometojnë, “bashkëqeverisjen”! “Zyrtarët” rrogëtarë, të lidhur me muret, poturet dhe ushkurët, vijnë e shkojnë, shkëmbejnë shkresa: “Njeri hidh e tjetri pirdh”, shikojnë e shënojnë ne fletë bakalli e “Puthu me Milon”. Vendimet pijnë uji te “Çezma e Thatë” Kjo është hataja e ditës së sotme, e cila ka klithur dje për hatanë e nesërme, duke hedhur shkëndijën nga krahina e Mesaplikut: vendlindja e shkrimtarit të çmuar Shevqet Musaraj… Zoti mos e thëntë e mos e dhëntë një tërmet me mbi 5 ballë… dhe apartamentet e cenuara nga dora barbare e njerëzve të pa përgjegjshëm, të cilët nuk llogarisin as kokën e tyre, kanë sjellë këtë hata, do zënë zverkun, do të zënë nën vete, të parët barbarët! Larg qoftë, nëse ai tërmet do të kish qendrën e tij në qendër të Vlorës? Atëherë zyrtarucët e pushtetit, poshtë rrënojave, ndoshta do t’i binin rradakes, të kujtoheshin edhe për klithmat e Mynyrit Gjikës!

Liria kufizuar dhe liria e shthurur

Liria në të gjithë botën e lirë është e kufizuar, por vetëm për shqiptarët është e shqyer, e pa kufizuar, e shthurur… E drejta e njërit për të përfituar, nuk duhet të cenojë të drejtën e tjetrit për të jetuar. Jeta në bashkësi, në gjithë botën e qytetëruar, qoftë dhe në shumëfishin e milionëve më shumë se sa ne është e sanksionuar me ligje dhe norma. Por, noti mësohet në moshë të vogël, pema e merr drejtimin në vitet e para të mbirjes! Ndoshta është me vend, e vonuar që në lëndët mësimore, të përfshihen edhe rregullat e jetë së qytetarit në bashkësi, me qëllim të nis përgatitja e vonuar e gjeneratës së re qytetare.