Tefik OSMANI/ Lefter Koka, një ministër për mjedisin e kontaminuar shqiptar

589
Sigal

Në 23 vjet tranzicion, në qoftë se ka sektor nga më jetikët për Shqipërinë dhe shqiptarët që ka marrë goditje vdekjeprurëse, ka qenë mjedisi. Dhe kjo goditje mjedisit i ka nisur nga ndërtimet e paligjshme që numërohen me mijëra në zonat bregdetare qytete dhe deri në ato rurale, e deri tek  derdhja e pakontrolluar e mbeturinave organike dhe helmeve nga kompani private dhe ndërmarrje të tjera prodhuese. Një kaos i paparë, që ka shpërfytyruar afro 90 përqind të territorit  të vendit. Ekspertët së fundi kanë deklaruar, bazuar edhe në statistikat e fundit zyrtare se, në Shqipëri ka afro 31 pika të “nxehta” mjedisore që kanë nevojë urgjente për ndërhyrje me investime. Kjo konsiston në faktin e thjeshtë, të pastrimit total të këtyre 31 zonave të kontaminuara, ku vetëm 4 prej tyre ndodhen në Tiranë. Përjashtim nuk bëjnë edhe qytete të tjera madje edhe ato bregdetare. Këtë fakt tronditës të mbajtur për 8 vjet sekret e ka zbuluar Ministri i ri i Mjedisit zoti Lefter Koka. Kurajo qytetare dhe impenjimi intelektual i zotit Koka bënë të mundur të mësojmë fakte vërtetë tronditëse lidhur me mjedisin, i cili është burimi jetësor nga ne ushqehemi, dhe kemi kontaktet e përditshme. Ardhja e zotit Lefter Koka në krye të Ministrisë së Mjedisit ka sjellë tjetër impuls në ecurinë dhe drejtimin e strukturave të këtij dikasteri. Duket se eksperienca e tij si në drejtimin e bashkisë së Durrësit, por edhe ndërmarrjeve të tjera biznesi, ka bërë që Ministria e Mjedisit të nisë realisht misionin dhe realizimin e qëllimit të saj. Ajo sot është ndër dikasteret më të rëndësishme të garantimit të një jete të shëndetshme për popullatën e komunave dhe bashkive. Ardhja e zotit Koka, e ka shpërgjumur Ministrinë e Mjedisit, dhe ka vënë në pozita pune strukturat dikur parazite. Nga ardhja në detyrë si ministër, zoti Lefter Koka vendosi dhe realizoi me sukses zbatimin e ligjit në aksionin e prishjes së 120 objekteve pa leje në Krujën turistike, të kthyera në furra gëlqereje, dhe që prej afro 10 vitesh ndotnin gjithë zonën. Ministri Koka mbetet i vendosur të zbatojë ligjin, duke i shpallur luftë pa kompromis antiligjit, duke mos kursyer asnjë objekt që deri tani ka ndotur ajrin, tokën, banesat, lumenjtë, detin, pyjet, rrugët, dhe jetën e qytetarit. Ministria e Mjedisit, e cila deri para pak kohësh vetëm e tillë nuk mund të quhej, tashmë ka misionin e saj, ka projektet e saj, ka stafin e saj të përkushtuar ndaj detyrës, ka impenjimin për të realizuar objektivat dhe premtimet e qeverisë. Shqipëria sot ka shumë nevojë për mjedis të pastër, dhe kjo gjë do të realizohet duke zbatuar kuadrin ligjor dhe duke vendosur para ligjit personat që kanë sjellë këtë katrahurë, e cila ka prishur jo vetëm kushtet jetësore të shqiptarëve, por edhe imazhin e vendit tonë në axhendat e turistëve të huaj. Një mjedis i kontaminuar, padyshim që ka larguar turistët e huaj. Si mund të vërshonin turistët e huaj, në një Shqipëri me 31 vatra të rrezikshme mjedisore? Apo më keq akoma, kur ish-ministri Mjedisit Fatmir Mediu në çdo deklaratë zyrtare, kur ishte në detyrë, përmendte investime, realizime dhe premtime që dëgjonte live nga shefi i tij në mbledhjet e KM. Ministria e Mjedisit prej 8 vitesh ishte kthyer në strehë militantësh, me administratë të paaftë, të lodhur dhe të korruptuar. Por më skandalozja ishte se, asaj administrate i mungonte edhe informacioni më banal, që lidhej me nivelin e ndotjes fjala vjen të uzinave të çelikut në Elbasan, apo të fabrikave të çimentove. Ndjesia e popullatës ndaj mjedisit mbetet në shkallën më të lartë, dhe kjo u zbulua qartë në protestat mbarëkombëtare për ti thënë “JO” armëve kimike nga Siria. Publikimi i një tjetër fakti tronditës për 31 zonat e ndotura mjedisore sërish ka sjellë ndjesi popullore, por edhe habi shokuese. Bëhet fjalë për jetën dhe shëndetin e popullatës. Më e pakta që mund të bëjë Ministria e Mjedisit është dërgimi para përgjegjësisë ligjore të ish-ministri Mediu, që ka fshehur këto fakte tronditëse. Ka ardhur koha që çdo ish-ministër, ish-zv/ministër, ish-drejtor drejtorie, apo zyrtar tjetër që ka shkelur ligjin, ka abuzuar me paratë e shtetit ka dëmtuar jetën e shqiptarëve, dhe bizneset e tyre, që nuk ka realizuar projektet dhe premtimet, por ka mashtruar, të përgjigjet para ligjit. Atë ç’ka shqiptarët nuk e kanë vlerësuar sa duhet deri tani, mjedisin e tyre, tokën, ajrin, lumin, pyllin, detin, këtej e tutje do ta kenë të shenjtë. Opinioni publik ka vlerësuar me tone pozitive, aksionet e Ministrisë së Mjedisit në shkallë vendi, dhe shikon me optimizëm të ardhmen, duke besuar se kjo qeveri, dhe ky ministër i Mjedisit do të mbajnë premtimet dhe do të realizojnë projektet për një Shqipëri të Pastër. Lefter Koka i ka dhënë provat e para, dhe kanë rezultuar të suksesshme, ndaj na mbetet të themi se, Mjedisi Shqiptar ka gjetur së fundi, njeriun e duhur për ta drejtuar, me energji, vitalitet dhe vizion europian.