Tefik OSMANI/ Helmet nga Siria!? Kur do të flasin deputetët e Elbasanit?

503
Sigal

Opinion lidhur me situatën e rënduar nga protestat masive kundër sjelljes së helmeve nga Siria në Shqipëri

Lajmi i kobshëm për ardhjen e helmeve kimike nga Siria në Shqipëri, prej disa ditësh po shoqërohet me protesta popullore, me indinjatë qytetare nga grupe të ndryshme të shoqërisë civile , nga rrethe intelektualësh, por edhe nga pjesëmarrja aktive e disa kryetarë bashkish e komunash. Ata çdo ditë po i thonë “JO” ardhjes së armëve kimike dhe demontimit të tyre në Shqipëri, me protestat e tyre, me kërkesat paqësore por edhe ultimative madje, ndaj klasës politike, Kryeministrit Rama, Parlamentit dhe Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë. Kjo padyshim nuk tregon antiamerikanizëm, por tregon dinjitet kombëtar e nivel europian të mentalitetit të shqiptarëve. Ne tashmë jemi ndryshe, kemi nisur zgjimin nga përgjumja e një tranzicioni të gjatë e rraskapitës, dhe kërkojmë të jemi të barabartë me të gjitha shtetet e tjera të botës së zhvilluar. Klasa jonë politike, duhet të bëjë divorcin me metodat e deritanishme të gjoja “mbajtjes së pushtetit”, duke përdorur dhe duke i imponuar vetes servilizmin, përulësinë, dhe poshtërimin ndaj të huajve. Edhe në Elbasan, lajmi ka ardhur si rrufeja në qiellin e pastër, por është pritur me indinjatë fillimisht nga qytetari i parë Kryetari Bashkisë Qazim Sejdini, duke u pasuar nga të rinjtë, dhe shtresat e tjera të shoqërisë. Ata kanë disa ditë që mblidhen dhe protestojnë, për jetën e tyre, për të ardhmen dhe mbeten të vendosur në kërkesat e tyre drejtuar zotit Rama. Por ajo që të bie në sy, dhe mbetet çuditërisht e pashpjegueshme, është heshtja e deputetëve të Elbasanit, atyre që më shumë se kurrë u takon të thonë fjalën e tyre dhe ngrenë fort zërin në foltoren e Parlamentit dhe zyrën e Edi Ramës. Kanë marrë votat e shumicës dërrmuese të qytetareve të Elbasanit, u kanë premtuar  në 23 Qershor atyre, se do të jenë “pranë halleve dhe problemeve, dhe zëri tyre në të gjitha forumet drejtuese të shtetit”. Por deri sot asnjë prej tyre, nuk ka dalë qoftë edhe në mediat lokale të Elbasanit dhe të bëjë qoftë edhe një deklaratë formale dhe servile për helmet siriane që pritet të vijnë në Mjekës dhe që do të intoksikonin gjithë qytetin brenda një kohe fare të shkurtër. Asnjë prej deputetëve nuk duket qoftë edhe në zyrat e PS lokale, apo në zyrat e tyre të “pritjes së popullit”  për të dëgjuar hallet dhe shqetësimin e qytetarëve për gjëmën që po i kanoset Elbasanit. Qytetarët dhe votuesit e tyre, aktualisht janë lënë vetëm, pa përkrahje, pa mbështetje, dhe duke u treguar se, “ne deputetët vërtetë morëm votat tuaja, vërtetë ju premtuam ca gjëra, por tani jemi nën urdhrat e kryetarit, mos u mërzisni më mirë do të bëhet”. Kjo është tallje, përbuzje dhe pabesi që u bëhet shumicës së qytetarëve të Elbasanit. Por duket se i vetmi që ka dalë në mbështetjen e tyre është Qazim Sejdini, kryetari bashkisë, i cili po fton edhe kolegët e tij drejtues si kreun e Prefekturës mjekun Arben Kamami, t’i bashkëngjitet refuzimit për futjen e helmeve siriane në territorin e Elbasanit. Gojëmbyllurit,  siç i quajnë qytetarët e Elbasanit  tashmë deputetët e tyre, duket se qysh minutën e parë i janë nënshtruar diktatit  të heshtjes duke u kthyer në vegla qorre, dhe robotë të telekomanduar vetëm për të votuar “pro” ose “kundër” në Parlament. Elbasani shpesh ka mbetur i zhgënjyer nga deputetët e tij në këto 23 vite, nga kontributi i tyre për qytetin dhe qytetarët, por sërish ka pranuar ti votojë ata që kanë premtuar “mrekulli”. Deputetët e Elbasanit, ata me banim në këtë qytet dhe ata që u importuan në 23 qershor, duhet të jenë kokulur para qytetarëve që i votuan. Kjo sepse deri sot asnjeri prej tyre nuk ka dalë në foltoren e Parlamentit dhe të  bëhet avokat i interesave dhe halleve të tyre, asnjeri prej tyre nuk merr guximin dhe të dalë hapur në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të tyre. Elbasani është sot qyteti me mbi 200 mijë banorë, ku afro 50 për qind e popullatës është e papunë, e varfër, dhe me probleme të mprehta sociale. Por sërish qytetarët e tij kanë kurajë të ngrihen dhe të kundërshtojë hyrjen e helmeve kimike sepse e duan jetën, e duan qytetin , e duan të ardhmen e fëmijëve të tyre, kurse deputetët paskan dashur vetëm mandatin.