Tefik OSMANI/ Abuzimi me konkurset e punësimit

188

OPINION/ Sot konkurs do të thotë vetëm garë, seleksion dhe në praktikë nuk vrapon asnjeri

Fenomeni më i përhapur sot në Shqipëri, padyshim mbetet edhe konkursomania, e cila ka bërë “strehë” në të gjitha institucionet e shtetit. Personalisht  mendoj se, konkursomania, ka qenë dhe mbetet gjesti më i pakuptimtë, derisa konkurset nuk bazohen mbi ligjin dhe drejtësinë ligjore. Mendoj se, në sisteme të ndryshme politike që kalojnë shoqëritë njerëzore, çuditërisht ato marrin kuptime dhe nënkuptime të ndryshme e të veçanta dhe kjo vjen nga emërtimi që i jep shoqëria fenomeneve që përkufizohen me  këtë term të ri. Të gjithë e dimë se çfarë ngjyrimi të deformuar morën në kohën e diktaturës shumë fjalë si…, parti, borgjez, pasuri, klasë shoqërore, proletar, i deklasuar, funksionar,  zbor, dezhurn etj., që sot tingëllojnë krejt ndryshe dhe shpesh herë edhe qeshim kur i kujtojmë, ndonëse me dhimbje për  nënkuptimet dhe peshën e tyre në atë kohë. Pas rënies së diktaturës dhe ndryshimeve të mëdha politiko- shoqërore, edhe gjuha jonë shumë e bukur, filloi të risistemohet në fjalorin e ditës me fjalë të fjetura deri në atë kohë si, liria e fjalës, ekonomia e tregut, tregtia e lirë, korrupsioni, deputeti, trafikanti  etj.. Me kalimin e viteve ato filluan të marrin edhe ato kuptime të ndryshme pa u larguar nga rrënja, ku disa u lartësuan e disa u zbehën dhe u zhvleftësuan. Ne bisedat e përditshme shpesh dëgjojmë në disa vende pune apo profesione të administratës shtetërore në të gjitha nivelet e të gjitha pushteteve, fjalë që kanë kuptime absurde. Të njëjtin vlerësim, jo më kot, ka marrë edhe fjala si tender, konkurs, OJQ, shoqëri civile etj., që si këto ka shumë. Pa dashur të bëj analizë, po të kërkosh origjinën e fjalës “konkurs” rezulton se vjen nga folja “konkurroj” nga latinishtja cuncurrere (cum+currere), të vraposh së bashku. Sot kuptimi i konkurrimit largohet shumë nga kuptimi “të vraposh së bashku” sipas origjinës, sigurisht ndoshta në sensin figurativ mund të gjendet një lloj korrespondence, por vetëm në sensin figurative. Por çfarë kuptimi ka atëherë? Sot konkurs do të thotë vetëm garë, seleksion dhe në praktikë nuk vrapon asnjeri. Kështu, të sqarosh kuptimin duke u nisur nga etimologjia është e kotë për qëllimin e kuptimit konkret dhe aktual të fjalës. Në Shqipëri sot si kudo në botë, përdoret shpesh edhe konkursi në çdo fushë, në rastin në fjalë për studime e projekte urbanistike, që në kuptimin logjikën time është, për të përzgjedhur më të mirin, por atyre që “vrapojnë së bashku” do t’i thuash ca gjëra më parë, si detyrë projektimi që të bëhet konkursi dhe këto gjëra ja thotë “ai” që organizon konkursin. Organizatorët e konkurseve zakonisht, vendosin disa kritere e terma që asnjëherë t’i të mos marrësh pjesë dhe jo të fitosh. Përzgjidhen vetëm ato studio dhe arkitektë që parapëlqen “ai”, më të mirët skualifikohen. Në Durrës konkurset për sheshet i fitojnë më së shumti profesorë universitetesh italiane. Këto  përzgjedhjesh nga më të çuditshmet, të lenë të mendohesh e të dëshirohesh, kur shikon se ka dalë në “pazar” fati i qendrës të qyteteve tona. Një arkitekt më tregonte se, në vitin 1971, na mbajti një ligjëratë në Universitetin e Tiranës një arkitekt nga Vjena, me emër në fushën e arkitekturës, me gjithë ekspozenë që i bënin arkitektët shqiptarë për ndërtimet tona me granil të gërvishtur në Tiranë, për çudinë e të gjithëve vlerësimi i tij ishte për kompleksin e pallateve “agimi” dhe “shallvaret”. Arkitekti nga Vjena dha asokohe porosi “bëni kujdes me aksin e bulevardit dhe e quajti “Shën -Elize” e Tiranës, kujdesuni për parkinget”. Qytetet në historitë e tyre shënojnë e dëshmojnë përgjithësisht, se janë produkte të përpjekjeve të ideve të mençura e zgjidhjesh të shtrira në kohëzgjatje që arrijnë në shekuj. Ndaj është marrëzi që qytetet të preken në të gjitha pikat e për zgjidhje definitive. Shoqëria njerëzore është në proces zhvillimi të vazhdueshëm dhe zgjidhjet e nxituara do të binin në kundërshtim me dëshirat e qytetarëve.