Të vjedhësh e shesësh atdheun për t`u pasuruar vetë”

851
Bardhyl BERBERI 
Ne për Atdheun tonë Shqipërinë shitëm shtëpi harxhuam të gjitha pasuritë për çështjen kombëtare
Në Manastir para pak ditësh takova një burrë të moshuar. Është Pandi Qiriazi, pinjoll i familjes patriote që u shkriu gjithë pasuritë e tyre në Manastir duke ngritur shtypshkronjën ku shtypeshin abetaret dhe libra shkollore shqip dhe shumë material të tjera në shërbim të çështjes kombëtare. Gjatë ditëve të Kongresit të Manastirit në hotelin e Qirjazëve në Manastir qëndruan delegatët e Kongresit …Me sytë rrafsh me lot më thotë : 

– Ç`bëhet andej nga Shqipëria? … Dëgjojmë lajme të këqija …Ne për Atdheun tonë Shqipërinë shitëm shtëpi harxhuam të gjitha pasuritë për çështjen kombëtare ndërsa këta politikanët e sotëm po shesin Atdheun për t`u pasuruar vetë …Çfarë nuk dëgjojmë. Paratë e vjedhura shpenzohen në mënyra nga më të ndryshmet … Për të bërë qejf nëpër lokale, hotele, plazhe, shkuma party, apo për të bërë spektakle mburravecësh nëpër dasma … duke larguar sa më tepër punën dhe afruar qejfin, për ta mbushur Shqipërinë, jo me punëtorë dhe zanatçinj, por me qejflinj të dhjamosur të rehatuar që i fitojnë paratë duke abuzuar me pushtetin me tenderë apo koncesione. Kjo lloj paraje pa djersë ka një destinacion të caktuar …Po t’i hedhësh një sy Raportit Statistikor Evropian sheh se në Shqipëri harxhohen më shumë para për aktivitete ilegale, për prostitucion dhe drogë dhe shumë më pak për ilaçe! Askush nuk e ka të lehtë të fitojë para pa djersë me tenderë dhe abuzime me pushtetin Që nga ata lypësit e vegjël që të ngatërrohen çdo ditë nëpër këmbë, ai punëtori i ndershëm që e nxjerr paranë me gjak majë skelave dhjetëra kate të larta duke rrezikuar jetën, që nga ai që rrezikon me biznesin e tij deri tek ai krimineli në emër të këtyre parave të fëlliqura merr jetë njerëzish. Si mund të fitosh miliona euro me abuzime?! Kjo para pa djersë përdoret edhe për abuzime seksuale dhe qejfe të shfrenuara dhe orgji nëpër shtetet fqinje… Janë ata që çunin apo gocën me paratë vjedhura i çojnë nëpër shkollat më të shtrenjta nëpër botë, ata nuk shkojnë pse kanë ndonjë talent apo ndonjë meritë, por vetëm për t’u ngrehur me paratë e vjedhura të babit hajdut, puna që e kryejnë më së miri është ndihmesa e pakursyer që japin për t’i përhapur Shqipërisë namin e vendit të hajdutëve, budallenjve me brirë. Për rezultate shkollore as që flitet, nga shkollat kthehen ashtu siç kanë shkuar dhe Shqipërisë i shtojnë radhët e ushtrisë së mediokërve. Nëse me paratë e vjedhura çuni dhe goca ndoshta nuk drogohen dhe as nuk shkojnë në shkolla të shtrenjta, por hapin një biznes, ata imitojnë babin: Nuk paguajnë taksa, nuk sigurojnë të punësuarit, ose dhe më zi, futen në politikë, duke sjellë pasoja katastrofike duke u ulur në parlament. Ky takëm zengjinësh blejnë, makina dhjetëra mijëra euro që i ngasin me 150 km në orë në mes të qytetit, vrasin edhe polica rrugorë. Në Shqipërinë e sotme ku sasia më e madhe e parave në qarkullim është ajo nga vjedhja e parasë publike, nuk të gjen asnjë e keqe, nuk ka asnjë rrezik. Paren publike të vjedhur nga babi kalamajtë e babit hajdut mund ta shpenzojnë pa frikë. Tek ne veset kthehen në modë dhe meritë dhe të gjithë garojnë të bëhen të tillë, shpenzimi i pareve të vjedhura është diçka pa pasoja imediate, diçka që aty për aty nuk vihet re. Epidemia e qejfit me paret e vjedhur ka plasur keq në mes të kësaj varfërie dhe taksash që lulëzojnë çdo ditë nga qeveria duke i rrjepur lëkurën popullit. Janë taksa të gabuara që ve qeveria në një kohë të gabuar …Zoti kryeministër mos shto taksat, po jepu pronarëve lekët e pronave që u a kanë zaptuar .Vendimet e pronave të vitit 2011 kanë ngelur prej gjashtë vjetësh që ju jeni në pushtet vetëm 70 % pa dhënë asnjë këst! Falë parave të vjedhura, Shqipëria po mbushet me drogaxhinj, qejflinj, parazitë, të sëmurë depresivë, burgaxhinj. Nuk e dimë se në çfarë letargjie kemi rënë. Të vishen sytë nga zhgënjimet dhe nuk dimë se çfarë mallkimi patëm nga kjo klasë politike në këto 27 vjet. Nuk po heqim dot, as pluhurin as dhe baltën .Ngelëm të përulur dhe të heshtur para botës, në terr e në muzg. Atdheu ynë të kanë marrë peng këta kusarë që nuk duan Vetingun dhe Evropën dhe japim mend Amerikës se kë duhet të zgjedhë president. Kemi mbetur një popull i heshtur dhe i përulur nga kjo klasë politike mediokre që vetëm një punë di të bëjë mirë atë të zhvatjes të popullit të tyre fukara. Atdheu ynë ke mbetur pengu i politikanëve mediokër dhe hajdutë …
Sigal