Të shkosh në shkollë të lartë apo jo, kjo është çështja

188
Bardhyl BERBERI 

Një prind që ka djalin maturant sot kërkonte kredi në një bankë për të ndjekur djali shkollën e lartë . -Ja do të marrim kredi, po më pas kur të mbrojë shkollën e lartë, djali ku do të vejë? Një numër i madh maturantësh do të regjistrohen në auditorë për të vazhduar shkollën e lartë. Por ka dhe një numër jo të vogël që edhe pse kanë mbaruar me rezultate të larta shkollën e mesme janë pesimistë. 

– E pse të shkoj në shkollë të lartë, thotë një maturant tjetër, ja vëllai im mbaroi universitetin shkëlqyer, bëri dhe master shkencor dhe punon kamerier në Tiranë. Prindërit morën kredi në bankë që e shkolluan dhe ende nuk kemi larë kredinë ! 

Mirëpo, pas përfundimit të studimeve pas një dëmi që i kanë bërë buxhetit familjar duke harxhuar para për qira, tarifa, libra, ushqim dhe veshmbathje atëherë vjen një goditje e fortë, refuzim pas refuzimi për të zënë një vend pune. Kjo pasohet me një pesimizëm të madh tek çdo i ri. Është e tmerrshme kur dëgjon që një student, i cili mbaron fakultetin me rezultate të larta të të thotë se nuk ka çfarë i duhet, edhe pse mundohet të marrë nota të larta, sepse përfundon njëlloj, i papunë ose i shtypur në ndonjë punë të rëndomtë që do e bënte edhe ai me arsim 9 vjeçar. Është pikërisht ky pesimizëm që i shtyn të rinjtë të kërkojmë të parin rast për të dalë jashtë vendit, sepse shteti ynë nuk na siguron as elementin më kryesor, sistemimin në një punë në bazë të diplomës dhe titujve shkencorë që ka fituar një i ri… Me të vërtetë është diçka e tmerrshme të mendosh që diploma për të cilën punon fort disa vjet dhe mundohesh të vlerësohesh me nota sa më të larta, i vetmi vend ku do qëndrojë, do jetë korniza në mur. Personalisht mendoj që kjo është e keqja më e madhe që mund t`i bëhet brezit të ri. E gjithë jeta varet nga puna, mënyra si do jetosh, si do ndjesh kënaqësi nga jeta, si do vlerësohesh në shoqëri e shumë gjëra të tjera, varen nga puna që bën nga ajo diplomë që ke fituar me shumë sakrifica dhe kërkon të gjesh kënaqësinë e jetës duke punuar në profesionin që je diplomuar . Është lodhur rinia në Shqipëri. Djem të talentuar që kanë mbaruar fakultetin të pajisur me master, të cilët punojnë nëpër bare, restorantet dhe kafetë dhe vajza me fakultet, madje edhe me master që punojnë si shitëse butiku. E dhembshme është që plot të rinj, të cilët dikur kanë pasur ëndrra të mëdha për të ardhmen katandisen në kamerierë apo shitëse butiku. Kështu siç funksionon kjo gjë në Shqipëri është mënyra më e shëmtuar duke shkatërruar edhe më të voglën shpresë. Momentalisht, ka disa vjet që pas diktaturës komuniste në këto vite të gjata tranzicioni , në Shqipëri mbizotëron nepotizmi dhe klientelizmi. Sot nuk pranohesh në punë sepse në vend tendin punësohet një familjar i një titullari institucioni ose dikush që dikur punëdhënësit ia ka bërë një nder ose favor dhe ka ardhur koha t’ia shpërblejë- me një vend pune. Ajo që është më e keqja është fakti se këta persona të punësuar në këtë mënyrë nuk kanë lidhje me atë karrige që u jep “titullari mik “ dhe e vërteta qëndron se personat që do të punojnë aty ku s’ju takon janë edhe të paaftë edhe të pakualifikuar. Nepotizmi dhe klientelizmi po na mbyt si metastaza kanceroze që shfaqen herë pas here. Kjo është arsyeja pse administrata nuk kryen punë efikase, sepse drejtojnë këta dështakë që i kanë zënë karriget pa meritë ndoshta, jo se nuk duan, por sepse nuk dinë. Janë ulur në ato karrige thjesht për atë page dhe për të bërë ndonjë pisllëk për të marrë ndonjë para të jashtëligjshme nëpërmjet ndonjë tenderi apo akraballëku tjetër.

Kështu shoqëria jonë bën hapa mbrapa dhe rrezikon që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian? 
Rinia është vërtetë shumë e çmueshëm për një vend, ne si shtet duhet të krenohemi me rininë e shëndetshme, inteligjente dhe të mrekullueshme që kemi, dhe shteti duhet që të punojë fort që t’i ndërtojë rinisë rrugë në të cilat çdo i ri do mundet ta dëshmojë veten dhe atë çfarë ai di të bëjë më së miri. Shteti duhet të kujdeset për mirëqenien e tyre dhe t’u ofrojë vende pune, çdo i ri të punësohet aty ku e meriton, në atë post për të cilin është shkolluar dhe kualifikuar. Shumë gjëra kanë nevojë të ndryshohen në Shqipëri, më të vërtete shumë, mirëpo besoj që edhe ne si popull po durojmë pak më tepër seç duhet. Mjaft më me gënjeshtra, fjalë dhe premtime të kota. Është e papranueshme që kryeministri mburret duke thënë që në mesnatë e çon në shtëpi me taksi një djalë i ri që ka mbaruar juridikun! Është e turpshme që djem e vajza të reja pa punë jetojnë nga pensionet e varfra të prindërve të tyre. Kurse një pjesë tjetër e atyre dështakëve që kanë marrë karrige me mik apo të blerë me para jetojnë në një luks të shfrenuar. Kjo duhet të ndryshohet, nëse doni që Shqipëri të mos ngelet në këtë gjendje të mjerueshme. Rastet e tilla kanë kaluar limitin, prandaj është tmerrësisht e nevojshme që njerëzit të kenë në dorë komandën e ndryshimit. Një shtet që drejtohet nga njerëz të paaftë që e kanë marrë karrigen me mik, apo e kanë blerë me para, apo me një teserë partie po e çojnë vendin drejt greminës dhe, nëse punët tek ne na ecin kaq keq, padyshim që është kjo kategori drejtuesish. Ja pra se pse sot të rinjtë janë në dilemë të vazhdojnë një shkollë të lartë apo jo, sepse më pas nuk dihet se mund të përfundojnë kamerier apo taksist për kryeministrin…!