Të papunët..!

1038
Evdal NURI 

I gjen kudo. Në fshat, por më tepër në qytet. Të moshave e sekseve të ndryshëm. Në lagje, rrugë, kafene, por dhe në çdo familje. I gjen kudo dhe në Botë. Jo pak, por mbi një milion. Shqiptarë ka dhe në emisferën e veriut në Islandën e ftohtë, dhe në atë të jugut në Australinë e Zelandën e Re të largët. I gjen për një jetë më të mirë, mbase atje ku kanë lindur s’pyesin s’i janë e çfarë hanë! Digjen në verë, mbyten në dimër. Dhe natyra “sikur hakmerret”! Në dukje ka interesim. Qeveritarët ” i qajnë hallin”, por gjë s’japin. U kërkohet “llogari” pse shtëpitë i kanë ndërtuar në fushë e jo në kodra. Mirë e kanë, por ja që kjo u bë. Ju, apo të tjerët që ishin para që kanë patur pushtetin, s’i thanë asgjë! Ka dhe nga ata që kanë marrë rrugën e krimit, drogës, apo prostitucionit! Shpjegoje s’i të duash, por fakti është që ka e s’janë të pakët! Këtu të thonë “ka punë, por duhen zanatçinj”. 27 vjet e kanë patur pushtetin si të majtët ashtu dhe të djathtët, si nuk i shkoi në mend që ky vend paska nevojë për profesionistë!? Nga Shqipëria në Gjermani gjatë vitit të kaluar kanë kërkuar azil rreth 28.000 persona. Ikin, jo nga qejfi, por nga halli. Ikin se s’ka punë, por dhe paga mujore është qesharake. Atje ku janë ato para i fitojnë për 3-4 ditë! Kjo gjendje e dëshpëruar na ka sjellë varfëri e dëshpërim. Na ka venitur besimin, “vrarë” shpresën. Kjo i ka detyruar njërëzit të kërkojnë mirëqënie larg, shumë larg atje ku nuk mund ta gjejnë! Të kërkojnë azil politik apo ekonomik rrugëve të Botës, me apo pa dokumente, duke rënë pre e trafikantëve që pasurohen me fatkeqësinë e tyre. Por ç’thotë Ministri i financave? “Ai u shpreh se zhvillimet pozitive dhe rritja ekonomike nuk janë thjesht statistika, por reale.” Sipas Ministrit në 4 vite janë hapur 260 mijë vende pune, ndërsa në zyrat e punës janë 36 mijë vende të lira pune, por duhet kualifikimi i duhur”. Hajde besoji! 2 variante. Nga njëra anë realiteti e nga ana tjetër deklaratat e ministrit. 

-Shifra dhe fakte shqetësuese! 
Duke analizuar shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimor, në tregun e punës në Shqipëri vihet re që shkalla e papunësisë është me e lartë për personat me arsim të lartë, me 14.7 për qind (ku nga tre punon vetëm një), se sa për personat me arsim bazë 8 apo 9-vjeçar. Një të tretën e të papunëve e zënë moshat deri në 30 vjeç. Kjo është shqetësuese. Një tjetër tipar dallues i tregut shqiptar të punës është pjesa relativisht e lartë e të papunëve të dekurajuar të moshës 15-64 vjeç, të cilët përbëjnë 23% të të gjithë individëve. Punësimi është dominuar nga sektori bujqësor dhe nga ai i shërbimeve. E theksojmë këtë, se s’ka investime vendase, por aq më pak të huaja edhe pse flitet shumë. Qeverisë shqiptare duket se i ka shkuar kot investimi për t’iu ofruar qytetarëve shqiptarë zyra pune “moderne. Në fakt si praktikë pune duket e ndershme , mbasi flitet dhe për konkurse. Koha ka provuar se janë joefikase, Edhe në këto zyra ka miqësira e ndërhyrje nga partitë e shumica e personave që janë në kërkim të një rroge nuk kanë zgjedhur që të trokasin në zyrat e reklamuara, mbasi janë të bindur për joefikasitetin e tyre dhe kanë një besim minimal në to. Shumë s’janë profesionistë, edhe pse për zanatçinj ka vende pune thonë. Shumica e të papunëve u drejtohen të afërmve apo miqve, shokëve për të gjetur një punë. Kjo na bind se numuri i të papunëve është shumë më i madh. Një tjetër mënyrë e kërkimit të një pune nga shqiptarët është edhe aplikimi direkt nga një punëdhënës apo me anë të njoftimeve të nxjerra në gazeta. 

Krahasimi me shtetet e rajonit!
Bazuar në shkallën e papunësisë, Shqipëria renditet e pesta në rajon pas:
Maqedonisë (33%), Bosnje Hercegovinës (24%), Serbisë (17.4%) dhe Turqisë (14%). Ndërkohë pas Shqipërisë (13%) renditen: Mali i Zi (11%), Greqia (9.4%) dhe Kroacia (9.2%). Duke bërë një analizë kohore, vihet re se vendi me uljen më drastike të shkallës së papunësisë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit është Mali i Zi, Ndërsa vendi me rritjen më të madhe të papunësisë rezulton Turqia. Tek ne hapen zyra pune, por papunësina rritet. Nëse katër vjet më parë janë punësuar mbi 87.000 veta, siç deklarohet nga mazhoranca në rregull. Por nëse këta kanë zëvendësuar ata me bindje të ndryshme politike puna është krejt ndryshe. Kthimi i emigrantëve për shkak të krizës në vendet ku jetojnë dhe rritja e kërkesës te zyrat e punës nga e personave të cilët janë në kërkim të një vendi pune ka sjellë shtim të numrit të papunëve të regjistruar në Shqipëri. Të dhënat e fundit. Nëse shihet struktura e personave të cilët janë të punësuar në Shqipëri, del se kontributin më të madh e sjell sektori i bujqësisë me rreth 40%. Por në fakt shumë pak prej tyre arrijnë që të paguajnë sigurime shoqërore. Sipas ISSH-së, nga 120 mijë persona, të cilët duhet të jepnin kontribute si të vetëpunësuar, vetëm gjysma e tyre e arrijnë ta bëjnë këtë. Por shumë shpejt edhe mënyra e llogaritjes së nivelit të papunësisë do të ndryshojë. INSTAT thotë se gjatë muajve në vijim organizata botërore e punës ILO do të sjellë një metodë të re ku nuk do të quhet i punësuar një persona në fshat i cili ka një tokë. Kjo në shifra do të sjellë sërish shtim të numrit të personave të papunë. Në tremujorin e dytë të 2017-s, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 13,9 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e papunësisë për meshkujt ka rënë me 1,5 pikë përqindje dhe për femrat ka rënë me 1,7 pikë përqindje. Shkalla zyrtare e papunësisë për meshkujt është 14,9. Me rënie është edhe shkalla e papunësisë në sektorin e industrisë me 2,5 përqind. Papunësisë për femrat është 2,4 pikë përqindje më e ulët sesa për meshkujt. Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 26,4 %. Në terma vjetorë shkalla e papunësisë e të rinjve shfaq tendencë në rënie. Mirë me shifra, por në fakt s’i jemi ? Kjo është kryesorja e kjo na shqetëson. Një milion janë të papunë. Si pasojë 46% e familjeve jetojnë me 5 USD në ditë. Kjo është gjendja. Krahës papunësisë ne po na varfërojnë dhe “Dy P-të” e tjera, pagat e pensionet. Tri P-të na kanë sjellë varfëri, që s’po na ndahet gjatë gjithë kohës! Kjo është gjendja, këto janë shifrat e zvogëluara,në mos më keq . Gjithë të tjerat janë lojë fjalësh sipas bindeve politike, interesave të ngushta të njërës apo tjetra forcë politike.
Sigal