Të mos fshihemi prapa gishtit

735
Sigal

1- Erë fushate zgjedhore…

 Nga 12 përparësitë e vendosura si detyra shtëpie për politikën shqiptare, në mënyrë që të mos dështojmë për herë të tretë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, deri më sot kjo politika jonë e madhe e trazicionit të tejzgjatur ka realizuar vetëm  tri prej tyre. Marrëveshja mes pushtetit dhe opozitës në nëntorin e vitit që shkoi, u duk sikur po i vinte në udhën e zgjidhjes të gjitha ato detyra , pa realizimin e të cilave nuk mund të fitohet statusi i vendit kandidat për në BE.

 Jemi tani në fillim të gushtit, pra gati një vit nga ajo marrëveshje, dhe politika jonë i është rikthyer fushatës së parakohshme për zgjedhjet e vitit që vjen, duke harruar fare marrëveshjen e nëntorit të vjetshëm.

 E ka harruar atë marrëveshje në radhë të parë pushteti aktual i Tiranës, sepse nuk është në interes të këtij lloj pushteti integrimi i vendit në BE. Dhe kemi mbetur vetëm me tri përparësi të realizuara, çuditërisht ato përparësi ku kërkohej dhe bashkëpunimi i opozitës: Zgjedhja e Avokatit të Popullit, miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar dhe reforma zgjedhore, kjo e fundit e kthyer në një retushim gati kozmetik, apo më shqip e sabotuar pikërisht nga institucioni ndërkombëtar përgjegjës për zgjedhje me standarde – OSBE-ODHIR-i(!)…

  Po të mos numërojmë si një sukses të padëgjuar edhe atë rekordin e padërguar ende në Gines, që brigadieri i këtij lloj pushteti bën viti për vit me vetveten për të qëndruar në këmbë  në ujin e kaltër të Dhërmiut, përparësitë e caktuara nga Brukseli mbeten vetëm ato të tria që përmenda më sipër. Pse? Sepse ky lloj pushteti nuk e do integrimin e vendit ne BE dhe vetëm përpiqet të fshihet prapa gishtit, duke bërtitur se e pengon opozita edhe për të bërë detyrat e veta(!)…

  Se nuk është opozita, por është ky lloj pushteti ai që ka harruar të dëgjojë thirrjet e përsëritura të BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zgjedhjen e një presidenti konsensual, duke quajtur konsensual një president të caktuar si roje të interesave të pushtetit e jo si roje të Kushtetutës dhe të interesave kombëtarë. Mjafton të kujtojmë rikthimin e këtij pushteti tek marrëveshja e famshme e “caktimit të kufijve detarë”me Greqinë, marrëveshje që cenonte rëndë tërësinë territoriale të Republikës sonë, vetëm për të marrë si këmbim një mbështetje për pushtetin aktual nga fqinji ynë jugor dhe kuptohet vetiu se pushteti i sotëm i Tiranës nuk është i interesuar për integrimin e vendit në BE, por vetëm për të ruajtur më çdo kushte karriget e veta dhe doemos rutbetë që sjellin ato karrige…

  Nuk është opozita ajo që për shtatë vjet të tërë e mban Televizioni Shqiptar si një rajon të policisë propagandistike të pushtetit, edhe pse ai televizion paguhet me taksat e qytetarëve të këtij vendi të varfër. Edhe për ta lëshuar Televizioni Shqiptar nga kthetrat e propagandës bolshevike, mos  e detyron gjë opozita pushtetin aktual të Tiranës? Apo mos e detyron gjë opozita këtë lloj pushteti, që të krijojë shtabin e vjedhjes së radhës në zgjedhjet që priten të zhvillohen vitin tjetër? Mos e detyron gjë opozita këtë lloj pushteti që të kthejë dhe Policisë e Shteti në një polici speciale për manipulimin e votave? Mos e detyron gjë opozita këtë lloj pushteti që dhe lëvizjet në polici t’i bëjë sipas “të vjelave” në votimet e shkuara dhe jo sipas meritave profesionale? Mos e detyron gjë opozita këtë lloj pushteti të kalbur keq e më keq përdita nga zullumet e veta, që të përdorë dhe heqjen e imunitetit si një top propagandistik në prag të fushatës së re zgjedhore?…

 Kush i ka shpëtuar drejtësisë duke përdorur koracën e imunitetit, opozitarët apo pushtetarët? Se sikur janë jo pak , por nja katër apo pesë ministra të këtij pushteti, të cilët qëndrojnë përsëri në radhët e qeverisë me “tolerancë zero” ndaj korrupsionit, sepse i kanë shpëtuar drejtësisë pikërisht në sajë të korruptimit të dreqësisë dhe të koracës së imunitetit…

 Por ja që ky lloj pushteti ka nisur shumë herët të ndiejë erën e fushatës së re zgjedhore dhe po përpiqet që me propagandën bajate për heqjen e imunitetit, duke ndryshuar përsëri Kushtetutën me ngutje të madhe e nëpër mjegull parullash, sikurse e ndryshuan tok me opozitën në vitin 2008. Vërtet që atyre ndryshimeve  deformuese ua pa dopbinë me të tepërt ky lloj pushteti, por ua pa gjëmën demokracia e këtij vendi, që po deformohet për ditë e më keq. Ua panë gjëmën atyre ndryshimeve deformuese të gjitha institucionet kushtetuese, që po bien një nga një në një dorë të vetme dhe tani shqiptarët e thjeshtë si autori i këtyre radhëve nuk habiten as nga deklarimet partiake të presidentit të ri të partisë-shtet, që na siguron se “kryetari i Shërbimit Inteligjent është në dorë të kryeministrit” dhe Prokuroren e Përgjithshme do ta heqë sepse ashtu i kërkon partia, që e shpuri nga Ministria e Brendshme në presidencë. Madje, të shkretët shqiptarët e thjeshtë nuk kanë pse të habiten as nga përçartjet e një vulehumburi, që në kërkim ëndërror për të vënë në kokë kurorën mbretërore të gjyshit, arrin t’i nxjerrë sheshit dhe lakrat e gjyshit të vdekur , duke falënderuar zabitët e carit rus, që ndihmuan me “trimërinë” e tyre prej mercenarësh të sillnin në pushtet një mercenar të të huajve (!)

Dhe këto i dëgjojnë shqiptarët nga i nipi i mbretit të vetëshpallur, që shërben dhe si i këshilluar politik i presidentit partiak të Republikës, gjithnjë në pritje për t’u shpallur mbret në një Republikë Parlamentare (!)  Si mund të fshihet prapa gishtit një synim kaq mbretëror i një vulëhumburi, që nuk ka arritur të mësojë dot  të flasë shqip as për dhjetë vjet të gjatë në Tiranë?

  2. Era e kërmës së pushtetit dhe delirantët e opozitës…

 Deliri i ndoca kryetarëve pa parti apo me parti fantazma, si dhe zgjimi i vonuar për të na numëruar cenet e opozitës i ca pjesëtarëve të opozitës, të bën njëherësh të qeshësh e të trishtohesh. Të bën të qeshësh kërcënimi i këtyre merhum-kryetarëve, që  ankohen se  retushimi i kodit zgjedhor rrezikon t’i lërë pa pjesë në pushtetin e ardhshëm dhe harrojnë që në korridoret e mykura të politikës shqiptare të trazicionit të komanduar nga skema satanike e Partisë së Punës dhe e “armës më të dashur të popullit” i ka lënë të livadhisin si dervishë Malëshove pikërisht vjedhja e votave. Sikurse i ka lënë të shënditen nëpër ato korridore pa dritë e pa ajër të pastër, pikërisht “bujaria” e dy partive kryesore, të cilat i kanë bërë dhe deputetë, madje dhe ministra, vetëm për të bërë më të besueshëm një pluralizëm politik të shtirë…

  Këta derëzes e punëzes kryetarë pa ushtarë, apo me ushtarë të marrë hua sa për kongrese nga dy gjysmat e mëmës, të bëjnë të qeshësh me dhëmballë të fundit kur me delirin e tyre kuturisin dhe të kërcënojnë gjysmat e mëdha të mëmës se “mezi po mbajnë zemërimin e partisë” , që as vetë nuk e dinë se ku e kanë, kur i lëshon deliri i tyre, i ushqyer jo pak nga vetë ata që i kanë pajisur dhe me emra rezervë…

   Por të trishton një palë tjetër , e cila po shtohet mes radhëve të opozitës sa më tepër që afron fushata e re zgjedhore dhe bëhet më e gjallë era e kërmës së pushtetit. Këta demek “udhëheqës” të opozitës, të pompuar më shumë nga bashkëpunimi antiopozitar me pushtetin, duket sikur gëzojnë më shumë që të humbasë përsëri opozita sesa të humbasë pushteti. Dhe mbase këtu nuk i kanë aq gabim llogaritë e tyre vetjake. Sepse me pushtetin çoç kanë dhe ca biznese të “ndershme” të përbashkëta, biznese që nuk i quajnë dhe aq të sigurta, po të fitojë opozita…

Edhe këta nuk janë më pak derëzes e punëzes se delirantët kryetarë pa parti. Sepse dhe këta e kanë mërinë me opozitën dhe krushqinë me pushtetin. Dhe e kanë nga e keqja përpjekjen e tyre për t’u fshehur prapa gishtit. E vetmja gjë që i ka shtuar ca si shumë këto kohët e fundit e madje kanë dalë dhe në publik duke numëruar cenet e opozitës e duke harruar të na thonë se ku kanë qenë kaq gjatë e nuk i kanë thënë në forumet e opozitës ato cene. Po qe se në ato forume nuk u vinte veshin askush, atëherë besoj se kanë pasur kohë me të tepërt të na i bënin publike dhe cenet e opozitës si cene të tyre. Nëse janë vërtet opozitarë. Ashtu siç na thonë…