Dr. Qemal Lamaj: Të mbrojmë pasurinë kombëtare, kromin që na ka dhuruar natyra

1275
Sigal

Dr. Qemal Lamaj

Në Tropojë, në Zogaj, është zbuluar para vitit 1990 rezerva e madhe e kromit, një nga më të mëdhatë në botë. Zbulimi është dokumentuar nga Qeveria dhe Ministria e Industrisë e Minierave. Dokumentet ndodhen në Arkivin e Shtetit. Në rast se dokumentet nuk gjenden, atëhere të bëhen verifikime. Punonjësit e Institutit të Minierave dhe Institutit të Kromit që kanë kontribuar janë pothuajse të gjithë të gatshëm të dëshmojnë e të vërtetojnë këtë fakt. Kam patur rastin që të njihem me të dhënat e zbulimit dhe bashkë me disa specialistë që e zbuluan dhe punonjës të Institutit të Kromit të shkoj në Zogaj. Kjo rezervë bashkë me të tjera në sasi më të vogla në Kukës, Pogradec etj., nuk janë vënë në shfrytëzim në atë kohë për arësye se vazhdonte me suksese puna në minierën e madhe të Bulqizës dhe nuk ndjehej nevoja për tu zgjeruar më tej. Për këtë arësye, Zogaj u vlerësua një pasuri e jashtëzakonshme kombëtare që ju lihet si trashëgim brezave të ardhshëm. Me këtë këndvështrimi të vizionit të së ardhmes, mendoj se është jetike që të mbrojmë këtë pasuri gjikante kombëtare dhe ta përdorim me shumë kujdes. Mendoj se e vërteta për zbulimin e kësaj rezerve të kromit është e domosdoshme të njihet gjerësisht nga gjithë shqiptarët. Natyrshëm kërkohet të mos heshtim ndaj njoftimeve të përsëritura për gjoja zbulimin sensacional të kohëve të fundit. Me këtë qëndrim është e nevojshme të mbetet e qartë, se nuk i bëhet jehonë së kaluarës socialiste. Nuk është rasti për të politizuar çështjen e kohës e të zhvillimit intensiv të industrisë zbuluese e përpunese të mineraleve, por të vlerësimit që kërkohet të kemi sot dhe në të ardhmen për të ruajtur dhe përdorur me përgjegjësi pasurinë e madhe kombëtare të kromit, naftës, bakrit, hekur-nikelit etj. Më 20.03.2018, është publikuar dhe postohet në rrjetet sociale me përsëritje një shkrim se në Zogaj të Tropojës u zbulua një masiv kromi, ndër më të mëdhenjtë në botë. Mendohet e theksohet se ajo do t’i sigurojë shtetit miliarda të ardhura. Këtë njoftim e ka bërë të ditur me një shkrim të tij në median miliarderi shqiptar nga Tropoja që jeton në New York, Sahit Muja. Ai është i njohur për biznesin e mineraleve.Në artikull jepet një informacion shtesë lidhur me këtë rezervë gjigante duke bërë edhe përllogaritjet e sasisë së kromit në dollarë. Ndërsa ndan edhe fotot nga vendi i zbulimit, Muja thotë se po punohet e investohet intensivisht për ta përgatitur për shfrytëzim këtë trup gjigant që do i shërbejë mirëqenies së popullit shqiptar. Informacioni për rezervën gjigante të mineralit të kromit në minierën tonë në Tropojë është shumë i saktë. Por koha e zbulimit është e hershme dhe daton para vitit 1990. Këtë fakt autori i shkrimit e pranon edhe vetë. Autori i shkrimit që është edhe investitori kryesor përqëndrohet vetëm në punën e bërë kohët e fundit. Ai thotë se “Në këtë minierë shteti shqiptar e ka zbuluar 1 milion ton krom. Ky trup gjigant me trashësi dhe cilësi është një ndër 3 trupat më të mëdhenj të kromit të vërtetuar nga minierat në botë. Pas shumë vizitave studimi të inxhinierëve më të mirë të botës është konfirmuar kjo rezervë e pa shoq nga cilësia dhe sasia. Gjatë 8 viteve është investuar shumë në hapjen e minierës, hekurudhë nëntokësore, elektrifikim, ajrim janë bërë shumë e shumë tunele horizontale e vertikale për të bërë të mundur zbulimin. Tashmë çdo gjë është vërtetuar dhe trupi gjigant shihet me sy. Po punohet dhe investohet intensivisht për ta përgatitur për shfrytëzim. Bazuar nga përllogaritjet e shkencëtarëve më të mirë në planet rezerva në këtë minierë i kalon 500 milionë ton. Momentalisht kjo burime kombëtare është ndër asetet më të vlefshme minerale në botë. Një ton krom kushton $300 dollarë. Po të kthehet në ferro-krom shumë cilësor me karbon të ulët çmimi shkon $ 7000 toni.

Autori thekson dhe premton publikisht se “Ky thesar i çmuar është dhe do jetë në shërbim të mirëqenies së popullit shqiptar. Shqipëria ka një ligj të përkryer për sa i përket mineraleve dhe se shteti ka fitime kolosale nga biznesi mineral. Shteti merr nga biznesi mineral në të gjitha anët.

Tatimi mbi fitimin, renta minerale, tvsh në të gjitha produktet që përdoren në miniera, taksa doganore në mjetet për miniera, tatime në rroga të punëtorëve, qira për portet, tokat, elektrikun dhe shumë e shumë obligime tjera. Shqipëria do të përfitojë me qindra vite që vinë nga ky mineral i çmuar që është shtylla kurrizore e industrisë botërore. Kromi është i pa zëvendësueshëm dhe shumë i rëndësishëm.

Vizioni ynë ka qenë dhe do mbetet përherë të ndjekim rrugën e Zotit e të punojmë në interes të Kombit Shqiptar. Në si shtetas Amerikan u kthyem për të investuar në tokën Nane. Punuam shumë u munduam me mish e me shpirt t’i ndihmojmë e punësojmë vëllezërit tanë në këto zona. Ndihmuam e ndihmojmë jetimë e të varfër. Sollëm djersën tonë e ndamë me të tjerët. Nuk morëm, as do të marrim as një para nga Shqipëria po të gjitha fitimet i investuam e do t’i investojmë në trojet shqiptare.

Zoti i madh e kishte bërë këtë thesar për shqiptaret e ne ndjejmë një obligim të jashtëzakonshëm për t’u përkujdesur e zhvilluar këtë aset në shërbim të popullit tonë të shumëvuajtur. Ne do të zhvillojmë minierën, do të ndërtojmë fabrika pasurimi e shkrirjeje, do të përkushtohemi me të gjitha forcat për të përdorur këtë aset për kombin shqiptar. Zoti i bekoftë e bashkoftë trojet shqiptare, Zoti e bashkoftë kombin shqiptar.”

Premtimi është formuluar bukur. Është i mirëpritur kur investon një bisnesmen me origjinë shqiptare dhe mendon për bashkëkombësit! Njëkohësisht, mendoj se është me vend të kërkojmë prej tij transparencë dhe mbajtje të premtimeve publike për shfrytëzimin e kromit në dobi të gjithë shqiptarëve. Ai dhe kompania e tij, kanë të drejtën e marrjes së vlerës së investuar për vënien në shfrytëzim të minierës, të fitimit të ligjshëm etj. Nuk ka biznes që funksionon pa realizuar fitime. Në të kundërtën falimenton. Rëndësi ka të zbatohet me rigorozitet marrëveshja kontaktore, të shfytëzohet miniera sipas kritereve teknike, të përdoren makineri e pajisje bashkëkohore, të investohet për zhvillimin, të zbatohen kriteret e mbrojtjes së punonjëve, paga dinjitoze, të mbrohet mjedisi etj. Përvoja e deritanishme tregon se investitorët e huaj premtojnë në emër të tyre dhe luten tek zoti për shqiptarët. Në praktikë ndodh e kundërta. Ata zbatojnë ligjet e ashpra të kohës së kapitalizmit primitiv të para 200 vjetëve, fitojnë, shkatërrojnë me pa përgjegjshmëri rezervat, ndotin mjedisin, nuk tregojnë kujdes për jetën e shëndetin e punëtorëve dhe të popullsisë në zonën që shfrytëzohet, janë përhapur sëmundje të rënda me pasoja, kanë ndodhur vdekjeje e plagosje të rënda gjatë punës etj. Është e domosdoshme të rivëmë në vëmendje tragjedinë që ka ndodhur e vazhdon me pasurinë e kromit të Bulqizës dhe të Naftës në zonën naftëmbajtëse të Fierit. Këto vendburime shfrytëzohen barbarisht nga koncesionarët dhe çuditërisht prej tyre pretendohet se dalin me humbje, nuk paguajnë detyrimet në buxhetin e shtetit. Qeveria, Ministria e Industrisë, institucionet e tjera të specializuara të inspektoriatve, kontrolli i shtetit kanë për detyrë që të ndikojnë, të monitorojnë, kontrollojnë, mbrojnë interesat kombëtare, jetën e shëndetin e punonjësve, ruajtjen e mjedisit etj., në zonat e shfrytëzimit të mineraleve e pasurive të tjera natyrore.