Të drejtat e ushtarakëve janë shkelur sistematikisht!

Nga Guri BEGO*

Po ushtarakët me ju në krye z.Kujtim, ç’bëjnë? 
Flasim e shkruajmë se ligjet në përgjithësi nuk janë zbatuar e nuk zbatohen ashtu si janë të shkruara por ai i statusit të ushtarakut është shkelur me dy këmbët. Këtu nuk është se po themi ndonjë gjë të re. Tashmë është kthyer në një të vërtetë të gjithë pranuar E po kështu është në Shqipëri, nuk zbatohen ligjet. Ju drejtuesit e shoqatave të shumta të ushtarakëve dhe ne si persona të dëmtuar në mënyrë shpërfillëse mbajmë sytë nga qelli,bëjmë logje Kavaje dhe i lutemi zotit, ishalla ju a shtie në mëndje qeveritarëve. Me gjithë respektin për emrin tuaj, nuk mund të jem dakord me problemet e ngritura në artikullin tuaj të datës 13.04.2017. Jo se ato nuk qëndrojnë, por mënyra dhe forca e veprimit është për të ardhur keq. Ju zoti kryetar, mendoni se në këtë kohë ushtarakët kanë problem dhe shqetësim dëmin moral të tyre.,Nuk jemi nderuar dhe respektuar aq sa duhet! Jo,,zoti kryetar i njërës shoqatë të ushtarakëve, nuk mund t’i largohemi problemit themelor kaq lehtë. Ky lloj diskutimi duhej bërë kur ish ushtarakët tanë të trajtoheshin afërsisht me ata të NATO-s, anëtar i së cilës jemi. Ish ushtarakët sot nëpërkëmben, keq trajtohen, nuk paguhen, nuk marrin atë që ligji u ka dhënë ,mezi dalin me bukë në fund të muajt, s’kanë lekë për ilaçet, s’gjejnë punë dhe shpërfillen gjithandej nëpër zyrat e shtetit e të tjera e të tjera. Ju thoni dhe është e vërtetë që rreth 4000 ushtarakë kanë fituar gjyqet për padrejtësitë që u janë bërë në llogaritjen e pensionit dhe askush nuk e ngre zërin. Të paktën këta katër mijë dhe ju të kishit bërë një protestë. Jo nuk ka pasur. Po atëherë çfarë vlere ka, të themi se na paskan cenuar nderin dhe personalitetin, ku vetëm për to nuk nuk ka vend për ish ushtarakët. Ne nuk na japin bukën e gojës por vetëm na i shkurtojnë. Qeveria është keq me buxhetin dhe vetëm pensionet e ish ushtarakëve gjen për ta përmirësuar atë. Si thoni miqtë e mi, a nuk është turp? Vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë nr.3 datë 24.11.2016 bie në kundërshtim me dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe duhet shfuqizuar thoni ju. Po mirë tani kujtohemi ne, nuk kishim informacion dhe të luftonim për ta parandaluar. Jo të gjitha gjërat këtu bëhen me të thënë, duhet të mbajmë në mendje se fëmija po nuk qau as nëna nuk i jep gji. Unë mendoj, të nderuar kryetarë të shoqatave, po të ishit bashkë si e do dinjiteti i ushtarakut dhe të përgjegjshëm për të drejtat tona, do mund të detyrohej qeveria të zbatonte vendimet e gjykatës kushtetuese, se sa për premtimet nuk bëhet fjalë. Duhet të luftojmë dhe jo të qajmë duke u lutur tani; aman ktheheni, tani që e ka marrë ferra uratën. Siç po e kuptojmë të dyja krahët e politikës nuk janë dashamirëse me ne ish ushtarakët. Kjo për mllefe të vjetra apo për pa aftësi le ta gjykojë secili në mendjen e vet. Statusi i ushtarakut e ka përcaktuar qartë çfarë i takon ushtarakut kur del në pension të parakohshëm dhe kjo është një e drejtë e fituar një herë dhe nuk mund të ndryshojë sa herë ndërrohen qeveritë. Qeveria e mëparshme e sakatoi disa herë ligjin dhe i vuri vulën me aktin normativ famëkeq. Kryeministri i sotëm gjatë fushatës në takim me ish ushtarakët në Vlorë premtoi se ne do zbatojmë ligjin tonë, pra statusin e ushtarakut të miratuar në 2004-2005. Ikën katër vjet dhe asgjë, vetëm fjalë, fjalë. Në këto kushte zoti kryetar kush është detyra jonë?.Se po fiket dhe shpresa ndaj Edi Ramës. Tuneli i të drejtave tona, jo vetëm nuk ka dritë në fund, por nxin. Atëherë?Atëherë të bashkohemi, ju dhe ne dhe të kërkojmë të drejtat tona, të protestojmë me të gjitha format deri sa qeveria t’i vlerësojë ish ushtarakët sipas ligjit. Shoqatat si grup interesi, jo vetëm të bëjnë apel, por të kërkojë fuqishëm të drejtat ligjore që na takojnë. Ta prishim rehatin ju dhe ne. Na thërrisni në protestë. Ushtarakët kanë argument, kanë forcë ato duhen hedhur në tavolinë dhe në shesh. Ata janë më shumë patriotë seç mendohet nga ndokush. Të drejtat tona duhet të kushtëzohen me votën dhe atëherë të shihet fundi i zgjidhjes, data 18 qershor. Ish ushtarakët kërkojnë drejtim dhe operativitet. 

*Ish ushtarak