Taksat na shtohen e na rriten bashkë me varfërinë

772
Ilirian DEMIRI
Mirë Veliaj që vetëm na gënjen, po ne të tjerët pse duhet t’i vemi pas pa bërë asnjë fjalë? 
Ç’nuk po ndodh në këtë Shqipërinë tonë. Për t’u ngjitur në majën e pushtetit, kërkesa e vetme duket se është: Të jesh mashtrues. Shqiptarëve u kujtohet si u ngjit në majë të bashkisë Erjon Veliaj. Edhe sot e kësaj dite vazhdon të premtojëe të mashtrojë, madje edhe “të shëtisë” nëpër televizione. Duke na premtuar, por edhe duke na futur duart nëpër xhepa. Kështu vitin e kaluar na molloisi për nevojën e një takse të re,”taksën për përmirësimin e infrastrukturës arsimore”. Shprehimisht: “Është një taksë e përkohshme. Përmes saj do të mundësohet ndërtimi i 17 shkollave që fëmijët tuaj të mos mësojnë me turne”,- premtoi Veliaj, qytetarëve që u çuditën për këtë taksë të re, të cilën ua ngarkoi në shpinë.

Veliaj taksën po e vjel çdo muaj prej afro dy vjetësh. Po deri tani vetëm ka heshtur dhe s’na tha një fjalë se ku shkuan e ku po shkojnë milionat e taksës gjatë afro dy viteve ?
Tani, Veliaj, mendon se shqiptarët kanë harruar premtimin e tij për ndërtimin e 17 shkollave. Këto ditë nxori në shesh një tjetër studim. “Ndërtimin e 17 shkollave, prej të cilave 10 shkolla 9 vjeçare dhe 7 shkolla të mesme do të ndërtohen përmes partneritetit publik – privat. Për këtë kemi gati edhe studimin e fizibilitetit”,- në tregoi Veliaj. Kryetari i bashkisë nuk po na thotë ndonjë fjalë për taksën e arsimit, po këto ditë na solli një peshqesh tjetër, rritjen e taksës së ujit të pijshëm. “Kështu do të mund t’u sjell ujë gjatë 24 orëve”,- na premtoi Veliaj.

Mirë Veliaj që vetëm na gënjen, po ne të tjerët pse duhet t’i vemi pas pa bërë asnjë fjalë? Sepse Veliaj, para se të na sjellë ujë gjatë 24 orëve, duhet të na tregojë se, kur do të na sjellë një pikë ujë të pijshëm në çezmat tona? Pasi uji që sjell ai deri tani nuk vlen për asgjë. Ne ujin e pijshëm e blejmë, bile edhe për gatim. Se uji që na sjell bashkia jote, more Erion, bën vetëm për të larë halenë dhe jo për gjë tjetër. Dhe ne vetëm për atë punë e përdorim. Ndaj nuk e kemi shumë për merak në na vjen uji 13 orë në ditë, apo 24 orë në ditë. 

Në të vërtetë, ne banorëve që jemi në katet e larta na duhet të “fluturojmë” dy herë në ditë me kova për të blerë ujin e pijshëm, kur nga poshtë dëgjojmë:”Hajde ujë nga Selita”. Nuk e dimë nga është uji, po të paktën, ia bëjmë qejfin vetes se uji është i pastër dhe është vërtet i Selitës, siç thonë tregtarët, që ti, o kryetar, duhet t’i kontrollosh. Atë e përdorim për pije edhe për gatim. Jemi të detyruar, sepse Ti nuk na sjell asnjë pikë uji për pije e për gatim.

Këtë Erionit ia kemi treguar kushedi sa herë. Po atij çfarë i themi ne të varfrit nga njëri vesh i hyjnë, nga tjetri i dalin.

Dhe për ta marrë miratimin e taksës së re për ujin, Erioni ia ka gjetur anën. Ta miratojë në korrik, kur të gjithë janë me pushime dhe të mbytur nga vapa.

Bëje çmimin e ujit sa të duash, vetëm na trego se kur do të na sjellësh një pikë uji të pijshëm. Që një ditë të mos e blejmë ujin nëpër lloj lloj botesh që na e sjellin pranë pallatit. Këtë Erjoni nuk na e garanton, bile as i shkon mendja ta artikulojë. 

Në Tiranë kanë banesa të tyre edhe qytetarë që nuk jetojnë në tiranë. Janë në emigracion, apo në ndonjë qytet tjetër, pak rëndësi ka. Po edhe atyre u duhet t’i binden Erionit, e t’i paguajnë gjobën që u vendos Ai. Sepse rritja e taksës kohë e pa kohë shqip i thonë gjobë. Sepse edhe ata thonë: kush na siguron se këto para shkojnë vërtet për ndërtimin e shkollave ?

Gjatë këtyre dy viteve, bashkia e Tiranës i ka rritur jo pak taksat e saj. Ka shtuar edhe taksa të reja, siç është taksa e infrastrukturës arsimore. Është një taksë që po mblidhet prej dy vjetësh. Po deri tani nuk dimë se çfarë është bërë me të. Përderisa bashkia na thotë se ndërtimi i shkollave të reja do të kryhet përmes partneritetit publik – privat. 

Është e vërtetë, që në disa shkolla mësimi kryhet me dy turne. Po një gjë e tillë në shkollat tona ndoshta është mangësia më e vogël. Pasi shumica e shkollave në zonat rurale nuk kanë asnjë lloj baze materiale. Ndërsa në të gjitha shkollat, bile edhe në ato në qendër të Tiranës të gjitha aktivitetet kryhen me investimet e vetë prindërve. Bile janë vetë prindërit që blejnë me paratë e tyre edhe mjetet didaktike apo të pastrimit të shkollave. Aq sa mësuesit gëzohen si fëmija, kur marrin vesh se në klasën e tyre ka fëmijë të ndonjë biznesmeni. Këtë e di mirë Erioni. Në këtë situate, kur bashkia sa herë i teket Eronit, rrit e vendos taksa, heshtja e komunitetit është e çuditshme. Sepse Eroni as nuk do t’ia dijë se shumica e shqiptarëve janë të papunë dhe po i shtyjnë ditët në mjerim të plotë. Dhe mjerimi ua mbyll gojën dhe i bën të heshtin. Është një turp i madh për këtë klasë politike që ç’nuk po bën t’i largojë hallexhinjtë nga vendi. Dhe shumica duke mos ditur nga t’ia mbajnë kanë gjetur një rrugë të vetme: të largohen ku të mundin nëpër Evropë për t’i shpëtuar Erionëve që kanë zënë të gjitha karriget e pushtetit. Aq sa këto ditë po mbërrijnë emisarët evropianë për të na kërcënuar: nëse nuk ndalet vrulli i azilantëve do të rikthejmë vizat për shqiptarët. 
Sigal