Takimi midis Presidentit francez Macron dhe homologut të tij rus Putin, shpresë për paqe dhe mirëkuptim në botë…

592
Diana Skrapari

Kreu francez i shtetit Emmanuel Macron takoi homologun e tij rus, Vladimir Putin në një ceremoni të madhe në Kështjellën e Versajës. Pas një shtrëngimi duarsh pak a shumë të ngrohtë pavarësisht marrëdhënieve të ftohta mes dy vendeve, udhëheqësit shkuan për të punuar dhe për të trajtuar tema të nxehta të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare. Kjo vizitë pune ka trajtuar çështjet e mëdha ndërkombëtare të momentit. Ukraina në fillim, ku marrëveshjet e Minskut kanë dështuar, të bllokuar nga tanket ruse në Donbass. Emmanuel Macron pohoi në G7 se “Rusia ka pushtuar Ukrainën”, ka bërë thirrje për një takim tjetër të formatit të “Normandisë” ku përfshihen Franca, Gjermania, Rusia, Ukraina për të ringjallur procesin e paqes. Një tjetër çështje e diskutueshme është edhe Siria. Presidenti francez ka kërkuar “për të biseduar me Rusinë” për të arritur në të ardhmen “zgjidhje gjithëpërfshirëse politike.” Ai konsideron se largimi i perëndimorëve mbi këtë çështje për të pasur një armëpushim të favorizuar nga Rusia, Turqia dhe Irani dështoi. Përsëri, konteksti është i favorshëm për kthimin e Francës, e cila ka kërkuar gjithmonë largimin e Bashar al-Asad nga pushteti në Siri. Diplomatët besojnë se Vladimir Putin nuk konsideron se presidenti sirian mishëron një zgjidhje për vendin e tij në të ardhmen. Ndërhyrja ushtarake ruse nuk mundi të rifillonte procesin politik. Të gjithë, sot kanë interes të dalin nga udhëkryqi ku ndodhen. Të dy presidentët njoftuan synimin e tyre për të bashkëpunuar në luftën kundër terrorizmit. Emmanuel Macron ishte i gatshëm për të qenë pragmatik, veçanërisht për të diskutuar “, me përfaqësues të Assad-it.” Por ai gjithashtu vuri në dukje dy problemet e Francës për sa i përket përdorimit të armëve kimike dhe ndërhyrjen humanitare në Siri. Për sa i përket dosjes siriane, Presidenti francez tha se “çdo përdorim i armëve kimike (në Siri) do të ketë një përgjigje të menjëhershme” nga Franca, dhe ai donte të “forconte partneritetin me Rusinë.” Presidenti i ri francez ka folur në favor të “tranzicionit demokratik” në këtë vend, por duke ruajtur një shtet sirian. Ai ka insistuar se diskutimet në këtë tranzicion duhet të përfshijnë “të gjitha palët e interesuara në konfliktin sirian, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e Bashar al-Asadit.”Nga ana e saj, presidenti rus tha:”Më e rëndësishmja është lufta kundër terrorizmit.” Presidenti francez ka propozuar për të ngritur një grup pune që ekspertët mund të vizitojnë Moskën dhe Parisin. Lidhur me çështjen siriane, ne besojmë se ne nuk mund të luftojmë kundër kërcënimit terrorist duke shkatërruar shtetin sirian. Për sa i përket Ukrainës, dialogu ka qenë më i hapur. Qëndrimi i zotit Putin se “sanksionet” kundër Rusisë nuk do të kontribuonin për të zgjidhur krizën e Ukrainës, presidenti francez u përgjigj duke kujtuar se nuk do të ketë “një diskutim” të formatit të Normandisë ku u takuan presidentët Putin dhe Poroshenko në vitin 2014 duke bashkuar Rusinë, Ukrainën, Francën dhe Gjermaninë për të shmangur një përshkallëzim të tensioneve në këtë vend. Një problem tjetër ka qenë edhe fushata presidenciale franceze. Emmanuel Macron ka marrë përsipër përjashtimin e gazetarëve të Rusia Today dhe Sputnik gjatë fushatës së tij elektorale, duke akuzuar haptazi dy mediat ruse se kanë qenë “agjentë ndikimi”. “Kur organet e shtypit kanë përhapur shpifje, ata nuk janë gazetarë, ato janë organe me ndikim,” tha presidenti francez, duke këmbëngulur: “Rusia Today dhe Sputnik ishin organe me ndikim gjatë kësaj fushate, që në mënyrë të përsëritur kanë shpifur. “Presidenti shpjegoi se pse ai kishte bojkotuar gjatë fushatës mediat pro-Kremlinit Sputnik dhe Rusia Today. Rusia Today dhe Sputnik kanë pasur vështirësi për të mbuluar fushatën e Emmanuel Macron. Të akuzuar se kanë favorizuar kandidaten Marine Le Pen, programi i të cilës u konsiderua më shumë në përputhje me interesat ruse, këto dy media kanë qënë kundër Emmanuel Macron. Presidenti foli edhe për një thashethem për një llogari të mundshme të fshehur offshore të përmendur nga mediat ruse. Fyerje që ai nuk ka hezituar t’ia thotë haptazi gazetarit të ‘Rusia Today’ gjatë një konference për shtyp nga Kështjella e Versajës. “Të gjithë gazetarët e huaj profesionistë, duke përfshirë edhe rusët, kanë pasur akses në fushatën time. Është e thjeshtë. Rregullat janë kështu dhe do të jetë gjithmonë kështu”, tha Emmanuel Macron, para se të shtonte: “Dhe për këtë, është e rëndë që shtypi i huaj, duke pasur shumë ndikim, ka ndërhyrë në thashethemet e përhapura në një vend demokratik. Dhe për këtë, unë nuk e toleroj ” “Pra, ne do të themi të vërtetën: ‘Rusia Today’ dhe ‘Sputnik’ nuk janë sjellë si media dhe gazetarë, por ata janë sjellë si organe ndikimi dhe të propagandës së rreme, asgjë më tepër” , përfundoi Presidenti. Të dy Presidentët përmendën fakte historike. Presidenti francez në veçanti përshëndeti Carin, Pjetrin e Madh (1672-1725) që erdhi për të “kuptuar misteret e mbretërisë, e cila kishte habitur botën”, duke e përshkruar Versajën si “kulmin e artit të epokës ku përgatiteshin idealet e iluminizmit “. “Historia na mëson se ai u kthye në Rusi me disa ide të reja”, tha Emmanuel Macron duke iu referuar edhe të ftuarit të tij në Kështjellën e Versajës. Por Presidenti rus foli për Anne de Kiev, e cila ishte e bija e Princit të Madh, Iaroslavit të Ditur, e cila u martua me Henrin e parë, dhe ka qenë themeluesja e dy dinastive evropiane (Les Valois dhe Burbonët). Kjo ishte një mënyrë e presidentit rus për të sjellë në kujtesën e Europës trashëgiminë e Rusisë së përjetshme, që lidh fatet e Moskës dhe Kievit, tani në konflikt të hapur. “Diplomacia nuk është një çështje kimie personale, por konsiston në sjelljen e zgjidhjeve për probleme konkrete. Ngrohtësia ndodhet në këtë dhomë dhe në historinë që na rrethon. Ne patëm një dialog të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë. Ne i thamë gjithçka njëri tjetrit” u shpreh Emmanuel Macron. Në këtë takim bëhej fjalë për dy liderë që donin të ringjallnin marrëdhëniet diplomatike të vendeve të tyre, të prishura prej vitesh nga sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë; me anulimin e shitjes së luftanijeve franceze, Mistral dhe shtyrjen e një vizite të mëparshme të Presidentit rus në tetor, në kulmin e betejës së Aleppos, të bombarduar nga forcat e regjimit sirian dhe avionët rus. Armiqtë dhe miqtë i ndryshojnë shpesh vendet e tyre, armiqtë e djeshëm mund të jenë miqtë e sotëm dhe miqtë e sotëm mund të bëhen armiqtë e të nesërmes, ashtu siç thoshte një proverb francez i shekullit XVII, “Sot mik, nesër armik.” Shpresojmë që Rusia dhe Franca të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre për të mirën e tyre të përbashkët, por edhe për të mirën e vendeve të tjera, fati i të cilave varet pikërisht nga ndërhyrjet e këtyre dy vendeve.
Sigal