Sulejman MATO/Reforma në art, teatrot private, ligji i sponsorizimit dhe statusi i krijuesit

522
Sigal

Në një nga esetë e tij poeti amerikan, Ezra Pound   shkruan:”Në qoftë se letërsia e një kombi pëson rënie, kombi atrofizohet, kalbet”, një konstatim që e vlerëson letërsinë si një test për të gjithë artet e tjera, pasi shkrimtarët quhen vetëdija  kombëtare. Ne kemi trashëguar nga e kaluara një traditë të mirë të trajtimit të krijuesve, ishte pikërisht ky kujdes që letërsia jonë trashëgon nga e kaluara shumë vepra letrare të rëndësishme: romane, tregime, poezi dhe skenarë me vlerë, ndërkohë që, në vitet tona krijuesit gjenden në krizë identiteti i shtetit ka hequr dorë për financimin e veprave të shkrimtarëve tanë, një rast tipik, që nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës. U shkri Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, shtëpia botuese “Naim Frashëri”, si dhe Agjencia e Tregtimit të Librave Letrarë. Sot ka lulëzuar botimi privat, i cili kërkon para për botimin e veprave letrare, ndërkohë që, shteti duhet të kishte detyrim për nxitjen e shkrimtarëve të talentuar, pasi veprat letrare janë pasuri kombëtare. Botimi i veprave të disa shkrimtarëve prej shtetit  duhet të ishte një detyrim i sanksionuar me ligj, siç ndodh në shumë shtete të tjera të botës, të cilat janë dhe më të varfër se ne. Librat me tregime, romani, drama, piktura, etj., te ne konsiderohen si një mall tregu, ligji i sponsorizimit të veprave letrare siç është ndërtuar është një ligj pa kuptim. Shkrimtarët kurrë nuk kanë qenë më të varfër dhe më të papërfillur se sot, ndërkohë që nuk janë as 20–të ose tridhjetë krijues të mirëfilltë. Ndërkohë, botohen libra që mbushin boshllëkun e një letërsie të vërtetë, por ky nuk thelbi i problemit, në çdo kohë ndodh të ketë njerëz që kanë para dhe botojnë kujtime ose  krijime, pa i kaluar në  gjykimin e një redaktori letrar. Ky është një problem për Ministrinë e Kulturës, për kontrollin që ajo duhet të bëjë mbi shtëpitë botuese, së paku, të ketë gjoba për ato botime që prekin rregullat gjuhësore.

Krahasimi

Në të kaluarën kemi pasur disa gazeta dhe revista letrare, si: “Drita”, “Zëri i Rinisë” revista “Nëntori”, “Les letres Albanais”, “Pionieri”,”Fatosi”,  etj., të gjitha të mbyllura. Si ka mundësi që Ministria e Kulturës të kthehet thjesht në një ministri turizmi e të mos shqetësohet për botimin e një gazete apo reviste letrare, e financuar si dikur, nga shteti? Ka ndërruar sistemi? Dakort. Por letërsia shqiptare nuk vdiq së bashku me sistemin. Një shtet demokratik ka detyrime për krijuesit e vet dhe s’ka si t’i braktisë, s’ka s’i të mos interesohet për ecurinë e tyre në të gjallë dhe  s’ka si të mos financojë, së paku disa vepra  që i bëjnë jehonë kohës më shumë se dhjetëra koncerte të marra ës bashku dhe më shumë  se shpenzimet e qindra pritje- përcjelljeve dhe shpenzimet e  varavingove turistike, ku hidhen në erë çdo vit miliona lekë. Ministria e Kulturës  është shndërruar në Ministri Turizmi,ministrit të saj, do t’i shkonte shprehja popullore: “Na rrofsh për verë!”. Le të marrim si shembull fqinjin tonë, Maqedoninë. Maqedonia nuk ka tradita si ne me shkrimtarët  dhe nuk është më e pasur se ne, shteti maqedonas financon çdo vit të gjitha librat letrarë të shkrimtarëve të vet. Në Maqedoni jepen çmime të shumta vjetore, çmime vjetore japin dhe  bashkitë e qyteteve. Në Maqedoni  marrin çmime  dhe shkrimtarët shqiptarë dhe, janë përkthyer rreth 20 poetë dhe prozatorë shqiptarë..Merrni trajtimin që iu bën shkrimtarëve Turqia.,ose Siria, një shtet i panjohur për zhvillimin kulturor, në Siri çdo vepër letrare botohet me fonde shtetërorë, në Siri shkrimtari ka status të veçantë,merr një pagë të veçantë  dhe një  pension të veçantë. Në Shqipëri janë miratuar statuset e shumë shtresave, ushtarakët,naftëtarët, minatorët,  marinarët,etj., vetëm shkrimtarët nuk kanë status të veçantë në Shqipëri. Në detyrën e drejtorit të Agjencisë së Tregtimit të Librit, gjatë viteve 1993-‘94, kam pasur rastin  të shkoj nëpër  panaire ndërkombëtare dhe të konstatoj kujdesin e madh që tregojnë të gjitha shtetet evropiane, , madje dhe aziatike, për krijimin e kushteve lehtësuese, për sponsorizimin e vlerave të art-kulturës,  për fondet dhe fondacionet e shumta kulturore që merren me këtë veprimtari të rëndësishme, ndërkohë që libri shqiptar ishte dhe vazhdon të jetë në krizën më të thellë të mjerimit dhe të moskujdesit total të shtetit, po të shtojmë këtu dhe rastin se si shteti u mori shkrimtarëve dhe artistëve ndërtesën e tyre të falur.

Institucionet që u zhdukën 

-Kinostudio “Shqipëria e re”  Ka mbetur vetëm godina e saj, arkiva dhe një studio private. Para nëntëdhjetës kjo Kinostudio, prodhonte mesatarisht 14 filma artistikë në vit, pa llogaritur filmat dokumentarë. Investimi i tij, i llogaritur në vlera monetare arrinte shifrat 60- 80 milionë dollarë. Teatrot dhe estradat e qyteteve, shtëpitë e rinisë, shtëpitë e kulturës, Agjencia e tregtimit të libër- filmit në Tiranë, 168 librari të varura nga kjo agjenci, degët në rrethe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Gjer në vitin 1990 në gjirin e saj aderonin mbi 300 shkrimtarë dhe artistë. Shteti jepte leje krijuese, dieta, orare të reduktuar, krijimtari të lirë. Gjithashtu, ishin kinematë e Tiranës dhe të rretheve, Pallati i madh i Kulturës në Tiranë, etj..  Ngado bëheshin Aktivitete artistike, si Dekadat e Majit dhe festivali vjetor i teatrove, festivalet e këngës dhe valles popullore e shumë të tjera. I them këto jo për shkak të nostalgjisë të një sistemi që kaloi, por për të treguar se ku kanë përfunduar  institucionet krijuese dhe vetë krijuesit e këtyre institucioneve. Krijuesit janë qenie për të cilat ka investuar shteti, flasim për talente të veçanta…dhe për ndihmën detyruese që duhet t’u jepet disa shkrimtarëve dhe artistëve të njohur. Eksperienca e shteteve evropiane na tregon se si mund të punohet me projekte dhe sponsorizime biznesmenësh të lehtësuar nga ngarkesat fiskale. Shtëpia botuese “Naim Frashëri” me paratë e shtetit botonte qindra libra në vit, me një tirazh nga 1000 gjer në 10000 kopje. Sot, kjo shtëpi botuese është mbyllur. Agjencia e Tregtimit të Libër-filmit, e cila sot nuk ekziston, ishte një ndërmarrje me një xhiro të madhe vjetore dhe me një aktivitet të madh, brenda dhe jashtë vendit, merrte pjesë në panaire ndërkombëtare dhe kishte me  mijëra abonentë në shumë shtete të botës. Të gjitha këto institucione ose nuk ekzistojnë më ose janë tjetërsuar. Ligji për sponsorizimet nuk funksionon. Botimet  janë vetëm për “shkrimtarët e vdekur”. Me sa di unë  janë 110 shtëpi botuese,por  asnjë shtëpie botuese nuk i është vënë  si kusht “botimi i një shkrimtari shqiptar”.Ministria bën vetëm një konkurs vjetor të tipit “shou”  dhe jep një çmim, nga  një juri fantazmë, e përbërë nga persona të panjohur. Ne i shohim të gjitha këto me indiferencë, shohim si krijohen nga hiçi aktivitete  me bujë, vërejmë  cinizmin e “autoriteteve” kur përcjellin për në banesën e fundit ndonjë shkrimtar ose artist të njohur, i cili kishte kaq shumë nevojë për ndihmën shtetërore, për së gjalli.

Sot, shtëpitë botuese jepen pas letërsisë së huaj.

Shtëpitë botuese nuk botojnë me paret e tyre. Shtëpitë botuese janë ngritur për të vjelë paret nga disa donacione shtetërore dhe nga disa grafomanëve që   botojnë kujtime dhe mediokritete letrare, në ditët e fundit të jetës së tyre. Ministria  boton vetëm “shkrimtarë të vdekur”. Ministria nuk ndërhyn te shtëpitë botuese për t’ju kërkuar me detyrim botimin e krijimtarisë letrare sipas vlerësimit të një komisioni, i cili duhet të funksiononte pranë saj. Ka krijues që janë hequr nga puna për shkak të bindjeve të tyre, herë nga socialistët dhe herë nga demokratët , ka të tjerë që qëndrojnë pa punë me vite, unë jam një ndër ata që nuk kam trokitur në dyert tuaja për ndihmë edhe kur erdhi në pushtet PD-ja, duke e ndjerë veten pjesë të saj, si një ndër treqind firmuesit e parë që hodhëm firmën për krijimin e Partisë Demokratike.

Sponsorizimi

“Nëse shteti kërkon vërtet të favorizojë shkrimtarët dhe artistët, ai duhet t’u drejtohet shkrimtarëve dhe artistëve dhe jo atyre që flasin në emër të tyre”, thotë Oktavio Paz: Mundësitë janë të mëdha, por kjo kërkon që ky ligj të  bëhet i kuptueshëm nga biznesmenët dhe lehtësisht i zbatueshëm. E kam lexuar disa herë këtë ligj, në pamje të parë duket i mirë:  Një person që kërkon të sponsorizojë botimin e një libri, i hiqet 10 % të tatimit mbi fitimin, por vetëm 4% të xhiros ka të drejtë sponsorizimi dhe kjo e kushtëzuar, 60% të vlerës duhet ta vërë vet autori i librit, pasi, 40% i njihen atij që sponsorizon. E shpjeguar më thjeshtë, do të ishte që, nëse  botimi i 500 kopjeve të një libri me  200 faqe, kushtojnë 1000 Euro,  autori i librit  duhet të nxjerrë nga xhepi 600 euro… Drejtoria e Tatim-Taksave duhet ta njoh sponsorizimin  e disa librave që duhet t’ i sugjerohen, në masën 100%.

Stimulimi i teatrove private

Teatri privat. Ashtu siç  lindën disa universitete private  duke iu krijuar kushte lehtësuese Ministria e Arsimit, ashtu duhet të kishte vepruar dhe ministria e Kulturës duk  stimuluar disa teatro private,me ambiente dhe një financim fillestar. Tirana ka disa qendra që mund të konsiderohen qytete të vogla brenda një qyteti të madh.Është: Lapraka, Kombinati, Kinostudio, Instituti Bujqësor, Senatoriumi…Aktivitetet kulturore dhe artistike në këto qendra mungojnë. Unë mendoj se aktivizimi  dhe stimulimi fillestar i disa teatrove në këto qendra të mëdha banimi do t’u jepte gjallërinë e nevojshme  këtyre zonave pa jetë kulturore. Mundësitë janë, në këto qendra ka ndërtime private cilësore që mund  të shndërrohen me pak investime në teatro duke e parë dhe teatrin si një biznes kulturor fitimprurës…

Nxitja dhe krijimi i veprave dramatike

Një problem më vete është nevoja për vepra letrare dramatike. Kam mendimin se kjo nxitje nuk ka qenë rezultative, kur i kemi varur shpresat tek konkurset letrare. Nxitja s’mund të bëhet përmes konkurseve,  do të ishte  përmes porosive  që mund t’u bëhet shkrimtarëve që të  shkruajnë drama e gjini muzikore, përkundrejt një parapagimi fillestar… Dramaturgjia shqiptare ka qenë dhe mbetet pika më e dobët dhe problemi më shqetësues i teatrove tona. Kam mendimin që edhe sot janë të nevojshëm libretistët. Dikur, vetëm nga se u krijua sektori i libretistëve Kinostudioja arriti të sigurojë prodhimin e 14 filmave në vit. Në Teatrin Popullor ka qenë libretisti që merrej me sigurimin e veprave kombëtare. Në Teatrin e Operës dhe Baletit, kanë qenë libretistët ata që kanë shkruar libretet, mbi bazën e libreteve janë kompozuan  shumë  vepra muzikore. Në TOB, janë vënë mbi 12 vepra kombëtare. (Tre vepra muzikore janë me libretet e mia.) Gjinia e dramës dhe e komedisë është specifike,ajo kërkon përkushtim të krijuesve, ndaj, duhet menduar dhe për dramaturgët e ardhshëm, pasi drama dhe komedia janë gjini skenike të vështira,  të mbjellim sot që të korrim mot. Mediat  televizive duhet të mbështetin dhe ta stimulojnë  me ligj dhe falas krijimtarinë letraro- artistike kombëtare. Tirana pa jetë kulturore- artistike  është një qytet i vdekur. Dhe vendi ynë pa shkrimtarët bashkëkohorë është një vend pa memorie.

Statusi i krijuesit

Një prej çështjeve më kryesore që dua të ngre është ai i statusit të krijuesit, i cili duhet të diferencohet nga statusi i artistit. Krijuesi është tjetër. Për sa kohë ekzistonte Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve kishim dhe ne Institucionin tonë, ku mund të drejtoheshim, tashmë shkrimtarët dhe artistët janë lënë jashtë çdo mundësie institucionale. Është fjala për statutin e anëtarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, që kanë mbetur pa një institucion të vetin, i cili do t’i mbante në marrëdhënie me shtetin, që nënkupton ndihmën ekonomike dhe profesionale të shtetit. Në mungesë të një institucioni të veçantë, siç ishte ai i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, shteti e ka për detyrë për t’i marrë  në mbrojtje krijuesit e vet, me ligje të veçanta, ku të përfshihet: punësimi prioritar, pagat e veçanta të asistencës, pensionet e veçanta dhe sponsorizimi i botimeve letrare artistike.