Sulejman Abazi: Shkatërrimi fatal i ushtrisë

593
Sigal

Transformimin e pranuam, por jo kurrë
shkatërrimin.


 

Flet ish-ushtaraku Sulejman ABAZI   


 Pacifizmi shqiptar përball shembullit të Zvicrës! Edhe pse
jemi vend anëtar i NATO-s, tash e 6 vjet, krahasuar me vendet përreth, ndoshta
jemi vendi më i pambrojtur dhe kjo nuk është diçka e zakonshme. Transformimin e
pranuam te gjithë, por jo kurrë shkatërrimin. Të jesh i përgatitur për
mbrojtje, pavarësisht konjukturave politiko – ushtarake dhe kushteve konkrete,
është më shumë se sa zgjuarsi, është tërësisht atdhedashuri.

Është kjo që i ka munguar klasës politike, e cila
gradualisht e solli mbrojtjen në këtë nivel minimal. Abuzimi me objektet
ushtarake, të cilat një pjesë e mirë kanë pasur sistem antibërthamor, kthimi i
tyre sot për muze, turizëm objekt dhe tallje, është një mendjelehtësi që mund
ta paguajmë shumë shtrenjtë. Krahasimi që mund të bëjmë sot me Zvicrën është
kthyer në një ëndërr. Nëse do të flasim për buxhetin ushtarak të saj dhe
përgatitjen që ajo bën për luftë me të gjithë llojet e strukturave dhe
fortifikimin e përsosur gjithëpërfshirës, do të ishim si nata me ditën.

 

Çfarë e detyron këtë vend neutral që të orientohet
në këtë rrugë?

 

Që sa kohë një turmë mendjelehtë po predikon paqen,
kur bota është përfshirë në kaos dhe pasojat po i vijnë rrotull Ballkanit dhe
Shqipërisë? Që sa kohë njerëzit që kanë drejtuar dhe drejtojnë Shqipërinë nuk
kanë kurajë të pranojnë që, janë me një buxhet copë-copë dhe nuk kane asnjë
mundësi modernizimi dhe pajisjesh për FA?! Që sa kohë po mendohet që të
përbaltet gjithçka dhe të braktiset, kur dihet fort mirë që objektet ushtarake
janë pasuri kombëtare dhe asetet e tyre i takojnë gjithë popullit?  Kemi një strukturë shtabesh, por realisht
forca operative operacionale është minimale. Kujt do t’ia lejë barrën politika
në rast të një situate kaosi, apo si përherë vetëm popullit që të mbrojë veten
si të mundet?! Na mbyti pacifizmi dhe kur krahasohemi me vendet kufitare, duam
“të qetësojmë” veten me anëtarësimin në NATO. Për këtë çështje
delikate, personalisht lutem, lutem që unë të mos kem të drejtë, le të dal
krejt ndryshe, por që të flasësh për gjendjen reale dhe të vërtetën kur është
koha, ky nuk është mëkat, por një detyrim kombëtar. Ne jemi bere copë copë, ne
nuk duam veten tonë, ne dimë vetëm të mburremi dhe pak të punojmë për vendin
tonë, ne po i kthejmë kurrizin vendit, po e braktisim atë, sepse nuk jemi të
zot ta detyrojmë politikën të kthejë kursin në interesin qytetar dhe kombëtar. Një çerek shekulli është e mjaftueshme për
të nxjerrë një përfundim të saktë, le të jetë dhe i hidhur. Edhe sa kohë do të
presim dhe të lejojmë që të vazhdojnë të eksperimentojnë mbi ne, duke na
zhvatur pasuritë çdo ditë? Kujt i shërben kjo situatë dhe pse Shqipëria
duhet të mbërrinte deri në këtë pikë? Në Shqipëri dhe në Kosovë çështjet e
sigurisë kombëtare përshkohen ende nga një frymë e theksuar pacifiste, e cila
po e lë vendin zbuluar. Siguria kolektive është njëra anë, siguria e mbështetur
në resurset dhe strukturat e mirë organizuara të vendit për të garantuar
mbrojtjen shtetërore, është tjetër gjë. Është kuptuar keq anëtarësimi i
Shqipërisë në NATO, jo nga specialistët profesionist, por nga politika
pacifiste, që në një situatë të vështirë do të jenë të parët që do të kërkojnë
strehimet për të shpëtuar kokën e tyre. 
Në çështjet e sigurisë ka partneritet, por jo përkulje dhe servilizëm
mbi garanci pa formë dhe përmbajtje. Kjo tallje dhe ky shkatërrim total në këto
25 vite të elementëve të mbrojtjes, është një nga fatkeqësitë më të mëdha që na
kanë ndodhur. Mjerisht, mjerisht këtu po flasim vetëm për shtetin shqiptar, se
sa për popullsinë shqiptare në trojet etnike, ajo ka mbetur tërësisht në
mëshirë të fatit dhe vetëm në varësi të ndërkombëtarëve. Akoma nuk po bindemi
në fjalën e urtë të popullit tonë, që “vetëm i zoti do ta nxjerrë gomarin nga
balta”.  Urojmë që, përvoja mbi
strukturimin e forcave special të orientohet gradualisht në strukturat e tjera,
të cilat duhet të plotësojnë kuadrin e një Force të Armatosur moderne dhe me
kapacitete të mjaftueshme operacionale në mbrojtjen e vendit në kuadrin e
sigurisë kolektive. Shteti duhet të kthejë sytë nga siguria, e lënë deri tani
në periferi, duke u mbështetur në konceptin se, jo çdo gjë do ta presim nga të
huajt, por të jemi dinjitoze brenda NATO-s, duke i shërbyer me atdhedashuri dhe
profesionalizëm rritjes së misionit politiko ushtarak të strukturave të
Sigurisë dhe kapaciteteve për Mbrojtje. Zvicra është një shembull konkret që
flet shumë, shumë, shumë….edhe për ne.