Stigmata e Dritëro Agollit, nga Zylua te sistemi që i lind ata

703
Shpendi TOPOLLAJ

(“Kalorësi Lakuriq” romani i ri i Dritëro Agollit)
Ndeshja e heshtur apo e hapur midis shkrimtarëve të shquar të çdo vendi e çdo kohe me shtetarët burokratë në përgjithësi apo tiranët në veçanti, është e njohur. Jo vetëm mprehtësia e kritikave të tyre, humanizmi karakteristik që i dallonte apo kundërvënia e guximshme ndaj padrejtësive shoqërore, por edhe dashuria, respekti dhe autoriteti që ata gëzonin në popull, bënte që diktatorët, jo vetëm t`ua kishin frikën atyre, por edhe t`i urrenin ata. Historia e letërsisë botërore është e ngopur me shembuj të tillë, ku në analizë të fundit, të fituar kanë dalë shkrimtarët, Pra, Dantet, Hygotë, Lorkat, Manët me shokë, të cilët ndëshkimi, largimi e përbuzja, i dhanë veprës së tyre një vlerë akoma më të madhe dhe një shkëlqim të ri. Këtë të vërtetë e pa dhe e përjetoi edhe shkrimtari ynë i shquar, Dritëro Agolli, gjatë viteve që studioi në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Leningradit (sot San Petersburg) të ish Bashkimit Sovjetik. Këtu ai dëgjoi akoma më mirë, jo vetëm për fatin e Pushkinit dhe të Lermontovit në kohën e Carit, por edhe për “herezitë” e simbolistit A. Bllok, lirikes së pikëlluar A. Ahmatova, zotit të plotfuqishëm të detajit, “refuzuesit” të detyruar të çmimit Nobel, B. Pasternak, fanarit intelektual O. Mandelshtamit, tragjikut të regjimit totalitar V. Majakovski, reformueses së vjershërimit rus M. Cvetajeva, lirikut të papërsëritshëm S. Esenin, antikonformistit J. Jevtushenko, të përzënët nga Instituti i Letërsisë, B. Ahmadulina, apo të të dëbuarit nga atdheu së bashku me klithmën e tij kundër tiranisë J. Brodskij. Pa shkuar pak më vonë tek ai disidenti sypatrembur, nobelisti i famshëm A.I. Solzhenicin. Por, jo pak, ai pa edhe në atdheun e tij. Realizmi socialist zhdanovian kishte ligjësitë e veta dhe, mjerë ai që guxonte t`i shkelte ato. Ca më shumë ai që kishte pasur një grua ruse dhe një fëmijë me të. Për hir të së vërtetës, regjimi komunist, duke parë talentin e tij e përkrahu. Arriti deri kryetar i Lidhjes së Shkrimarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, anëtar i Komitetit Qendror dhe deputet i Kuvendit Popullor. Dhe ai nga ana e tij kishte besim se gjërat do të shkonin mirë në këtë vend të varfër. Ndaj, mangësitë fillimisht nuk i shihte te sistemi për të cilin shkroi, por te veset e zyrtarëve që ishin shkëputur nga hallet e popullit dhe po rendnin pas rehatisë e mirëqenies personale, çka dukej sheshit se po i tjetësonte. Pikërisht për këtë, nuk e kurseu stigmatën e artit të tij shpotitës në gazeta dhe sidomos në faqet e revistës aq të kërkuar “Hosteni”. Por me kalimin e kohës, duke parë varfërimin e përditshëm, prishjen e karaktereve njerëzore, uniformizmin e mendimeve, mungesën e lirisë së fjalës e të lëvizjes, të flamosurën, të egrën dhe të pambarimtën, luftë klasash, një njeri si ai, nuk kishte sesi të mos e kuptonte se kjo nuk qe mëkat i njerëzve, sesa i vetë sistemit hipokrit, i cili ishte vënë totalisht në shërbim të Zeusit. I kujtohen fjalët e Cassierer – it – I cili duke analizuar ndikimin e madh të Rusoit te Kanti që admironte aq shumë “Emilin” e tij, mendonte si ai për idenë, sipas së cilës pavarësia e njeriut ndaj njerëzve të tjerë duhet të vështrohet si njera nga vlerat më të larta. Dhe shtonte: “Njeriu që varet nga një tjetër nuk është më qenie njerëzore, ai e ka humbur këtë shkallë, ai është vetëm shtesë e një njeriu tjetër, shkruan Kanti”. Pastaj është e habitshme kur mendon se Mbreti bari Sirusi i Madh qysh para 2500 vjetëve kishte formuluar kartën e parë të të drejtave të njeriut, e cila, e fiksuar në një cilindër balte dhe e ruajtur në muzeun e Londrës, thotë: “Nuk do të lejoj askënd të zotërojë pasuri të tundshme apo troje të të tjerëve me forcë dhe pa kompensim. Për sa kohë që jam gjallë, do ta ndaloj punën e detyrueshme të papaguar. Sot, deklaroj se kushdo është i lirë të zgjedhë fenë e vet. Njerëzit janë të lire të jetojnë sipas fesë së tyre dhe të zgjedhin një punë, me kusht që të mos dhunojnë kurrë të drejtat e tjetrit. Askush nuk do të dënohet për fajet e të afërmve”. Mirëpo te ne, bëhet vetëm ajo që thotë njëshi. Pra, miliona mendje duhet të mendojnë, të vishen, të sillen, të hanë, të jetojnë aty ku thotë ai. Ata edhe për qumshtin duhet tia mjelin dhisë siç thosh ai, edhe tokën ta punojnë sipas këshillave të tij, edhe grurin e misrin ta mbjellin ku dhe kur mendon ai, edhe naftën ta gjejnë atje ku urdhëron ai, edhe fqinjin ta spiunojnë se do ai, edhe të dënurin me vdekje ta përcjellin me gëzim e brohorima se ashtu do ai, edhe të afërmit t`i internojnë se ashtu i është tekur atij, edhe bar të hanë se mos lëndohet lavdia e tij, edhe këngë të këndojnë për ‘trimëritë’ e tij. Vetë Dritëroi është miqësor e pa qibër. Takon me të njejtën përzemërsi intelektualin, punëtorin, bujkun, romin. Ulet me ta dhe e kthen ndonjë gotë, shpesh duke ndenjur zgjuar gjithë natën. Ndaj ata i hapen atij, i tregojnë mangësitë e vështirësitë që hasin, rezervat ndaj shtetëzimit të gjithçkaje që derivojnë nga vendimet e plenumeve. Por edhe pa folur fare ata, ai e sheh vetë realitetin e trishtuar. Dikur fshatari e kishte një qengj për mikun a një pulë, kurse tani aha… as gotën e dhallës për të vegjlit nuk a ka më. Atje lart dhe nëpër gazeta e konferenca, raportohet me shifra marramendëse. Por shifrat nuk hahen. Ato janë vetëm pluhur, i hedhur syve. E sa do shkojë kjo? Se gënjeshtra vete deri diku dhe pastaj i del boja. Këto shejtan mungesash duken edhe në qytet, ku dyqanet janë bosh. Njerëzit, ashtu në heshtje duket se pyesin: – Ky na qenka socializmi?! Pakënaqësia sa vjen e shtohet. Nisin e thurren barcaleta. Ndërgjegja e shkrimtarit i thotë atij se, si misionar që je, ngrije zërin. Ja Ismaili e kishte provuar herë pas here. I qenë hapur goxha telashe, por qenë kapërcyer. Shteti e nuhaste se populli e donte edhe më shumë shkrimtarin. Ndaj dhe nuk guxonte ta godiste. I bënte mirë llogaritë për këto punë. Tërhiq e lësho, gjithmonë me bindjen që e di se nuk e duan, por ta shfrytëzojë sa më shumë të talentuarin. Sidomos atë që kishte një emër të shquar jashtë vendit. Edhe Dritëroi vetë e kishte provuar një herë seriozisht. Ishte viti 1973 kur u botua ai, Zylua i tij. Dhe si u prit!… Me çfarë kënaqësie! Po godiste paaftësinë e servilizmin. Shteti hop! Bëri sikur se kishte me të, por me ata të paudhët. Sikur ishin vetëm disa… Por autori e dinte se tani e keqja ishte shumë më e madhe; tek ajo që kishin ndërtuar. Tek ajo që i kishin besuar. Tek ajo që po i zhgënjente paturpësisht. Kjo i pillte të tillët. Ata ishin në natyrën e tij. Pa ata, ai sistem patjomkinian, merrte fund. Partia që ishte mbi gjithçka, në interes të saj, po ngrinte ngrehinën e kalbur të pushtetit, ku duhet pranuar se njërin tra e kishte shumë të fortë: atë të diktaturës. Të diktaturës së gjoja proletariatit. Që shqip duhet kuptuar; të Neronit. Të atij që po u merrte jetën shokëve të tij dhe po u shpartallonte familjet. Kudo zotëronte terrori, frika e varfëria. Dhe ç`pret nga njerëzit e shkretë, veç përkuljes së shpinës dhe duartrokitjeve. Nga thellësia e ndërgjegjes qytetare, shkrimtarit i vinte një zë: Ku je ti, njeriu i baltës? Pse hesht? Gjej një mënyrë të mençur dhe shprehu. Ata do të kuptojnë të parët. Se nuk ka njeri t`ua thotë troç: – Ku po e shpini këtë vend? Pse po e prishni racën tonë të bukur? Do t`u zërë mallkimi i tyre. Ndofta kështu do t`i ndihmosh edhe vetë ata. Por fundja të vejë si të vejë. A nuk ishte Platoni ai që pjesën e fundit të “Fedoni” – t të tij ia kushtonte Sokratit “njeriut për të cilin do të thoshim me dëshirë, se ndër ata njerëz të kësaj kohe, të cilët ne kemi mundur të njohim, ai ka qenë më i miri, më i urti, më i drejti.”? Ndaj, dreq u bëftë! Më mirë Sokrat i vojtur, se derr i kënaqur. Nuk e zgjat më shumë dhe vendos të shkruajë një roman, ku e ku më ashiqare dhe më kurajoz se “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Do fliste pa maska, krejt lakuriq, ndaj dhe romanin ashtu do ta quante: “Kalorësi lakuriq”. A do të ishte vetë ai në lëkurën e personazhit kryesor? Apo s`kishte sesi të ndodhte ndryshe, si në cilindo libër të shkruar deri më sot. A do ta merrte subjektin nga realitetit i zymtë, apo do të sajonte diçka, në dukje të pangjarë, por që fundja çdo kush do ta kuptonte se asnjë fantazi nuk mund t`ia kalonte realitetit dhe, sido që të stisej, tek ai realitet do bazohej. E ku kish më mirë sesa të zgjidhte ca intelektualë, madje akademikë, të cilët në praninë e grave të tyre do shfaqnin vanitetin dhe anën karikatureske të marrëdhënieve mes tyre, të cilat më shumë se dobësi karakteresh, ishin të imponuara nga ajo se si sistemi me diabolizmin e tij i kishte strukturuar sjelljet e njerëzve. Gënjeshtra, hipokrizia, falsiteti, servilizmi, interesi, në radhë të parë, kishte pushtuar mendimet dhe qendrimet e tyre. Dy akademikë korrespondentë, shkojnë herë pas here te profesor Xheladin Apollonia, njeri me autoritet të madh në shkencat ekonomike, i cili teksa përgatiste kumtesën për konferencën kombëtare, nuk harronte për asnjë çast të vendoste duart nën sqetulla si Lenini dhe të theksonte slloganin “vlera, mbivlera, ligji themeltar e të tjera”. Ai gjithashtu besonte shumë te planifikimi, si shkopi magjik i mirëqenies, se planifikim kishte dhe vetë natyra. E bënte këtë, pasi donte t`i përmbahej rreptësisht kërkesës që vinte nga lart se “Teoria është gjeneratori”. Dhe ana qesharake ishte se gjithmonë në funksion të këtij parimi, i lindnin ide gjeniale, të cilat dhe ata dy anëtarët korrespondentë që ngjanin si dy pika uji, Zyrap Kandari (që sepse të vjen ta quash Koqe Kandari) dhe Sotir Kucka (pse jo dhe Sotir Kuçka) edhe pse e dinin kotësinë e tyre, e brohorisnin me entuziazëm të shtirë, për të mos thënë të pështirë. Edhe pse biseda e tyre , që rrotullohet rreth domosdoshmërinë së teorisë marksiste – leniniste dhe sidomos të planifikimit, është anemike dhe jo për nivelin e tyre, ato bëjnë sikur habitet me gojtarinë e profesorit. Ngjarjet zhvillohen kryesisht në studion e Xheladin Apollonisë dhe nga mënyra sesi janë vendosur personazhet dhe si dialogojnë, të bëhet se je duke parë një teatër. Se në të vërtetë, këtu të gjithë janë nga pak teatralë, madje shumë teatralë. Dhe nuk e kanë keq; se ja, vetë profesori falë postit që mban e ka dërguar vajzën në Vjenë për kurim të …bajameve. Ndaj, dy “siamezët” korrespondentë, bëjnë sikur janë të shqetësuar për të, pasi e dinë se ai edhe pse është çensori i madh, përsëri ka në dorë ardhmërinë dhe sigurinë e karrierës së tyre, pra të mundësisë që edhe ata të gëzojnë më shumë favore. Mirëpo autori i librit ka gjetur një mënyrë mjaft origjinale për t`ua prishur këtyre aktorëve monotoninë e qetësisë, duke u sjellë një njeri tepër interesant të quajtur Dane Gajtani, shok fëmijërie i profesor Xheladinit. Lexuesve u kujtohet se në zhargonin popullor, është përdorur rëndom shprehja “se mos biesh në ndonjë hundëlesh”. Ja, një hundëlesh i tillë është edhe ky tersi, mik i profesorit që kur hyn në studion e shokut të fëmijërisë, veç akademikëve dhe grave të tyre, gjen edhe Ritën, motrën mjeke të Sotirit. Profesori e do, por ky burrë i gjatë si një lis dhe që nuk e heq nga dora kapelen e kashtës, përveçse shakatar i madh, seç ka një zakon të keq, nga i cili profesor Apollonia rri me gjak të ngrirë: ai po të hodhi dorën në qafë, të fut dhe gishtin prapa. Por më shumë se kaq, ai është kontrapedal. Pa pasur fare drojë, atë që mendon, ta përplas në fytyrë. Por belaja është se ai më shumë e ka me qeverinë dhe kështu të hap telashe që si mban toka. Kur nisi lufta për tufëzimin e bagëtive ai si Nekludovi i Tolstoit, u flet fshatarëve në sy të të deleguarve se “Po t`i hiqni lopët nga shtëpitë dhe t`i futni në pronën e përbashkët, do të vdisni… Ky do të jetë hapi i fundit drejt varfërisë.” Më shqip nuk kishte si thuhej. Veç ama fshatarët tanë nuk ishin ata bujkrobërit e kontit rus të mbushur me dyshime; ata ishin bujkrobërit e Partisë dhe ndofta fare pa konshiencë, i përgjigjeshin atij, duke e quajtur provokator dhe armik: “Do t`ia falim lopët Partisë. Për atë ne jemi gati të falim jetën, jo lopët. Do të shpëtojmë nga bajgat.” Vini re sa therëse është kjo ironi. Kurse këta që rrinë duke lavdëruar njeri – tjetrin për sofizmat e goditura të referateve, ai i tall faqeza, duke u kujtuar se, asgjë nuk vjen nga fjalimet e tyre pa bereqet, ndërkohë që mjerimi ka pllakosur kudo, demokracia po vdes shkallë – shkallë dhe virtytet njerëzore po shkatërrohen. Vetë ata që e rrethojnë në atë studio i quan hije dhe nga hijet thotë del dhe shkenca hije. Le po sajon aty për aty ca vjersha me spec, duke thënë për vete se: 

Po vjen nga vrapon tufëzimi 
Nga qan për një qengj çdo fshatar, 
Po vjen ku gjëmon dikutimi 
Për ligjin e madh themeltar. 

Se ai, andej vinte vërtetë, se pasi e kishin shkarkuar si kryetar kooperative e kishin lënë si veteriner. Dhe ky lloj veterineri, papritur bëhet patetik: “Mua të gjithë ju më jeni neveritur. Të gjithë: akademikët, gratë, drejtuesit, rrugët, qytetet, kalimtarët… Ngado shoh lajkatarë dhe hipokritë që fshehin të vërtetën, që mizerjen e quajnë arritje, që ligjet absurde ekonomike e shoqërore i bazojnë teorikisht për të justifikuar varfërinë dhe për t`i vënë këto ligje e këto parime në vitrinat e dyqaneve në vend të mishit, qumështit, djathit dhe patateve… Xhungël lajkatarësh dhe gënjeshtarësh! Në këtë xhungël bëni pjesë edhe ju…” Dhe kujton djalin 28 vjeçar që vdiq në fshat nga mungesa e serumit, kur vajza e profesorit dërgohej në Vjenë për të kontrolluar bajamet… Dhe për çudi, ky burrë që krijon situata komike me hundën e tij me lesh, me karakterin e tij dhe kurajon për të folur açik, i bën përshtypje të veçantë, për të mos thënë se edhe i hyn në zemër, Ritës, e cila urren edhe të vëllanë si pjesë të kësaj maskarade ku tirret teori me lugën e zbrazur. Por Rita ende nuk e ka pozicionin të përcaktuar; ajo është e lëkundur në bindjet dhe frikërat e saj. Ajo e pëlqen paturpësinë dhe lakuriqësinë e mendimeve, shprehet autori, por pa rrezikuar në qëndrimet politike… Kurse ky lloj burri i paparë, as që do t`ia dijë për pasojat politike. Ai i befason të gjithë, kur deklaron se jo vetëm që do të marrë pjesë në konferencën shkencore, por edhe do të diskutojë atje, qoftë edhe pa qenë në listë. Dhe do t`i thosh mendimet e tij ashtu siç i ndiente ai. Dhe kur vëllai i Ritës e pyet në është konsultuar me literaturë ekonomike, ai ia kthen: “- Pse, ka ndonjë literaturë të tillë në vendin tonë? Unë nuk di të ketë! Jam konsultuar vetëm me literaturën që kanë shkruar dhentë dhe lopët e fshatit tim!..” Dhe ditën e çeljes së konferencës, Dane Gajtani, duke sjellë ndërmend reagimin e ashpër të Xheladin Apollonisë teksa lexonte fjalën e tij, meditonte: “Shkenca ka një moral. Ku shkoi ky moral? A mund të bërtasë shkencëtari si gardian burgu? Me këtë moral idetë zyrtare nuk mbrohen me diskutim, por sigurohen me roje, ndërsa idetë kundërshtare hidhen poshtë kategorikisht dhe burgosen.” Pika kulmore e këtyre ngjarjeve, pra e vetë romanit, mbetet zhvillimi i konferencës shkencore, ku në prani të delegatëve që s`ishin tjetër, por brigadierë të veshur me rroba kombëtare, gjeologë popullorë, barinj dhensh me arritje të larta, rapsodë që këndonin me lahutë e çifteli, zyrtarë me çanta në dorë, heronj të punës socialiste me yje të artë në gjoks, të ftuar spitullaqë, pra djali i shokut.., vajza e shokut.., dhëndri i shoqes.., dhe dy anëtarëve të Byrosë Politike, Tersiti shqiptar Dane Gajtani, mban atë fjalimin tronditës, gati – gati akuzues, i cili nuk është tjetër, veçse fjalimi i paharruar i vetë Dritëro Agollit, kalorësit të vërtetë lakuriq, në Kongresin e 10-të të Partisë së hutuar që sapo kishte hedhur hapin e parë të rinovimit. Dhe reagimi i sallës po ai; armik, mosmirënjohës, bukëshkalë. Ca të vërteta tha i ziu Xheladin për skamjen, radhat dhe se pa liri të pronës private në fshat dhe në qytet, nuk ka as liri të individit dhe e mbytën. Njëri nga udhëheqësit kryesorë, i tërbuar dhe i nxirë në fytyrë, i hakërrehet që nga tribuna: “ – Ti po hedh baltë në realitetin tonë dhe po na servir mendime borgjeze dhe revizioniste!” Po kush na e bëri peshqesh një njeri hundëlesh si ky në këtë konferencë? Këtë e sqaron fare thjeshtë Sotir Kucka, duke deklaruar se atë e kishte sjellë profesori Xheladin Apollonia, duke nxjerrë kështu edhe inatin e mos respektimit të faljes së një ideje nga ai, por dhe duke shpresuar t`i zerë vendin. Kaq qe, dhe Profesori i famshëm u bë profesori – i shkretë dhe për të t`u dhimbsur. Uli kokën pa guxuar të zgjaste dorën për të marrë në pushim, qoftë dhe një kokërr mollë nga tavolina e udhëheqjes ku qe ulur. Tani mollët, trimëroheshin t`i merrnin akademikët korrespondentë. Vetë Dane Gajtani, tani pyet veten: “Kaq e fuqishme të jetë gënjeshtra? Çfarë force satanike duhet të ketë?” Por nuk di të japë përgjigje, veçse të presë prangat, nga të cilat edhe simpatizantja e tij Rita, nuk di si ta qetësojë. Dhe sipas zakonit të vjetër, vijon vjershërimi, por tani për veten e tij: 

“Ç`t`u desh të shkosh në tribunë, 
Atje diskutimi ç`t`u desh, 
O Dane Gajtani me gunë, 
O hunda e madhe me lesh.” 

Këtu autori ka zgjedhur një shprehje shumë domethënëse: “…ndodh që dhjetë a njëzet minuta mendimesh mund të shembin përnjëherësh dyzet apo shtatëdhjetë vjet të jetës së njeriut.” Kjo vlen për të, për akademikun Xheladin Apollonia dhe për këdo në këtë vend, ku njeriu nuk di në duhet t`i mbajë apo t`i hedhë flamujt e grisur, gjë që për mjeken Rita ishte e pakuptimtë dhe që e shpjegonte, se atë mund ta dinte vetëm ai kalorësi lakuriq ose ndofta kjo mund të ishte dhe vajtimi i tij. Turp për ata që s`kishin arritur as te mendimi i Sirusit të Madh. Turp edhe për këta të sotmit që tallen me popullin si ata që shkuan. Dhe nder për Dritëro Agollin që edhe pas vdekjes vazhdon të dritërojë si Sokrati i Greqisë së Lashtë! 
Sigal