Speciale/ Ish Presidenti i Shqipërisë Alfred Mojsiu dhe Dr. Halim Kosova shprehin vlerësimet e tyre për Frank Shkrelin

778
Alfred Mojsiu: Frank Shkreli një njohës i thellë i situatës 
E vlerësoj si njeri, ai është një njohës i thellë i situatës sonë si të kaluarës si të tashmes dhe jo thjesht si një shqiptar, por si një diplomat. Ai ka kontribuar shumë në zhvillimi e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Amerikës në të gjitha situatat dhe gjykoj, se shkrimet e tij kanë një vlerë të madhe, jo vetëm historike, por edhe studimore për t’u njohur nga intelektualët tanë këtu, në Shqipëri. Unë e përshëndes Frankun dhe më pëlqen vërtet ideja që po publikoni një përmbledhje të shkrimeve të tij. 
Dr. Halim Kosova: Zë sa larg, aq edhe afër nesh 
Kënaqësi si gjithmonë që të kesh mundësi të shkruash sado pak rreshta për Frankun…nëse do më duhej ta përkufizoja atë, do të thosha pa u menduar shumë, që ai është një talent i lindur në fushën e gazetarisë dhe të publicistikës, atdhetar i pa epur për çështjet shqiptare në interes të kombit në çdo kohë. Fëmijëria e tij e vështirë, arsimimi që në fillore nëpërmjet shumë vuajtjeve e vështirësive e bën atë gjithnjë e më të fortë, si dhe kalitën tek ai vendosmërinë për të arritur çdo synim në jetë. Këto veçori të tij patën fatin të konsolidohen dhe perfeksionohen në vendin ku lindi demokracia dhe liria e individit, në SH.B.A, ku Franku pati mundësi të shkollohet, formohet dhe të ushtrojë me sukses profesionin e tij. Që të mos e fsheh të vërtetën, sa herë që gazeta “Telegraf”, tashmë shumë e konsoliduar në tregun e përditshëm, del herët në mëngjes, gjëja e parë që shoh është; – çfarë ka shkruar Franku sot? Cili është problemi që ai analizon dhe si? Për kë e ka fjalën dhe çfarë duhet bërë? Sepse ai për mua personalisht mbetet busull e saktë orientuese, për vlerësimin e situatave brenda dhe jashtë vendit… njeri enciklopedik që përveç analizës së këtyre situatave, nuk harron kurrë të shkruajë dhe kujtojë njerëzit me të ndritur të Kombit tonë, kontributin e të cilëve asnjë brez nuk duhet ta harrojë…ai është njeri që mbi të gjitha nuk harron kurrë familjen apo mësuesen e fillores dhe jo vetëm nuk e harron, por e nderon duke e kujtuar me talentin e tij të veçantë në momente delikate. Çdo njeri mirënjohës në jetë, që nuk harron familjen, shoqërinë, mësuesit e parë si dhe ka besim të pa lëkundur në Zot, është gjithmonë i vlefshëm për vendin dhe kombin e tij dhe Frank Shkreli mbetet besnik i këtij postulati, ndoshta të pa shkruar, por thelbësor për secilin nga ne. Me njerëz të tillë, shoqëria edhe nëse nuk ka mundësi t’i prekë dhe takojë nga afër, ka mundësi të njihet nëpërmjet publikimeve të tyre, duke t’u krijuar natyrshëm ideja që edhe ti je rritur së bashku me të e njiheni prej kohësh…kështu më ka ndodhur dhe mua. Falënderim të veçantë kam për botuesit e gazetës “Telegraf”, të cilët bënë të mundur të përmbledhin në një libër të vetëm shumë analiza, mendime si dhe kujtime të publicistit shqiptaro- amerikan Frank Shkreli, të cilat lexuesi shqiptar do të ketë mundësi t’i lexojë, rilexojë dhe reflektojë drejt në jetën e përditshme në shërbim të familjes, vendit dhe Kombit të tij…
Frank Shkreli dekorohet me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” 
Njëri nga gazetarët dhe publicistët më të shquar shqiptarë, që jeton dhe vepron në Amerikë, Frank Shkreli është nderuar nga presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani me dekoratën “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, njërin nga titujt më honorifik shqiptar. Frank Shkreli është dekoruar me motivimin për kontributin atdhetar të dhënë si gazetar, publicist dhe drejtues i Divizionit Euro-Aziatik të “Zërit të Amerikës”. Dekorata i është ndarë gjatë vizitës së Presidentit Nishani në SHBA. Në dëshminë motivuese të Presidencës shqiptare thuhet: “Në nderim të veprimtarisë së palodhur atdhetare për çështjen kombëtare, si dhe në respekt të rolit e kontributit të çmuar, dhënë për dekada me radhë si veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut; farkëtues i lidhjeve të gjithanshme shqiptaro-amerikane, duke u shndërruar në një simbol të rrallë e të vyer të shqiptarizmit”; zotin Frank Shkreli me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së shquar atdhetare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e redaktor i Seksionit Shqip dhe drejtues i palodhur i Divizionit Euro-Aziatik të “Zërit të Amerikës”, duke përhapur, mbrojtur me paanshmëri dhe lartësuar vlerat e parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë”. 
Sigal