Solli TASHI*/ Shëndeti ynë, në dorën e injorancës

641
Sigal

Qumështi është i vetmi produkt ushqimor që i siguron organizmit të njeriut të gjitha lëndët e nevojshme: proteinat, yndyrat, vitaminat, lëndët minerale etj.. Këto janë lehtësisht të asimilueshme nga organizmi i njeriut dhe produkt bazë për rritjen e fëmijëve. Por qumështi është edhe një mjedis i favorshëm për zhvillimin e mikrobeve që dëmtojnë  organizmin e kafshëve dhe jetën e njeriut. Mikrobet në qumësht, brenda 12 orëve, shumëzohen me miliona herë. Me anë të qumështit përhapen sëmundje te rrezikshme si: afta epizotike, bruceloza, tuberkulozi etj., të cilat transmetohen dhe te njeriu. Theksoj se vërehen mjaft defekte me higjienën e qumështit, që nga procesi i mjeljes, ruajtjes dhe transportit të tij nga ferma blegtorale deri në qendrat e përpunimit dhe të shitjes. Akoma edhe sot bëhet transporti i qumështit me fuçi kauçuku, të cilat bëhen shkak për zhvillimin e mikrobeve gjatë transportit. Kush do ta ndalojë këtë rrezik për shëndetin e njeriut? Aktualisht qumështi shitet me shishe plastike në mes të ditës. Vetëm ena duket…se për siguri nga ana shëndetësore e bagëtive s’bëhet fjalë. Kush na garanton nga bruceloza? Cili është ai fermer që e njeh sëmundjen që në fazën fillestare?Ku shkojmë kështu me këtë indiferentizëm? Qumështi meriton të shitet pranë supermarketeve të licencuara dhe pasi të jetë sterilizuar në qendrat e përpunimit. Konsumatori duhet te ndërgjegjësohet dhe të heqë dorë nga blerja e qumështit në rrugë. Pushteti vendor, (komunë- bashki), nuk duhet të tolerojë tregtimin e qumështit me pagure plastike. I keni vizituar  ndonjëherë fermat blegtorale ku ushqehen dhe milen lopët .S’të vete mendja ta shikosh qumështin pale ta konsumosh. Një absurditet higjenik i paparë. Mungon dezinfektimi i stallës me gëlqere, i grazhdeve të ushqimit…Mungojnë gropat e dezinfektimit të këmbëve të njerëzve që punojnë në fermat blegtorale. Kjo gjë bën të favorshme futjen e infeksioneve në fermat blegtorale. Këto janë masa profilaktike që duhet të zbatohen me korrektësi. Në mjekësinë veterinare, kjo është “A”-ja e punës.

Stallat e bagëtive duhet të shndrisin nga pastërtia dhe duhet të mbretërojë rregulli për ruajtjen e shëndetit të njeriut dhe kafshëve. Askujt nuk duhet t’i duket e tepërt dezinfektimi i këmbëve kur të futen në fermë apo për mjeljen e bagëtive. Gropat dezinfektuese janë harruar fare nëpër spitalet tona pa le në stallat e blegtorisë.Pyesim:Si do t’u pritet rruga infeksioneve?

Ministria e Shëndetësisë nuk duhet t’i neglizhoje këto masa profilaktike, por duhet t’i vendosë menjëherë në zbatim, për t’i prerë rrugën infeksioneve (pse jo edhe atyre që hyjnë nga jashtë shtetit). Çfarë vërehet tjetër në fermat blegtorale? Përveç kushteve jo te mira higjienike, mungon hartimi racioneve ushqimore në mënyrë shkencore për t’i plotësuar nevojat e kafshëve me lëndë proteinike, minerale, yndyra, vitamina, aminoacide të pazëvendësueshme që nevojiten për gjendjen fiziologjike dhe prodhimtarinë e kafshëve. Pra vërehet një të ushqyer në mënyrë mekanike, diletante, joshkencore, pjesë e rutinës së përditshme dhe kështu nuk plotësohet bilanci ushqimor vjetor. Prandaj gjendja shëndetësore e kafshëve sot ka rënie dhe prodhimtaria gjithashtu. Mungon dokumentacioni zooteknik shkencor ku te pasqyrohet mosha e kafshëve, prodhimtaria e tyre dhe vlerat racore. Si mund të përzgjidhen kafshët e reja e produktive pa një studim të tillë të mirëfilltë që vjen si rezultat i shënimeve periodike të specialistit. Ç’specialist mund t’i thuhet “fermerit” që ka një tufë lopësh dhe drejton në mënyrë amatoreske si një bari tufën dhe nuk njeh as bazat elementare të shkencës së blegtorisë apo masat profilaktike ndaj sëmundjeve më të rrezikshme? Përzgjedhja e kafshëve të reja bëhet më dobët se praktika e ish-kooperativës…

Një fenomen tjetër që vërehet është futja e kafshëve në prodhim jo në moshën dhe peshën e duhur sipas standardeve racore.  Absolutisht nuk duhet të lejohen të futen në prodhim para moshës 18 -muajshe dhe peshës trupore 70% të vlerës së standardeve racore. N.q.s nuk do të zbatohen këto rregulla, prodhimtaria e kafshëve të reja do të jetë e ulët. Në disa ndërtime blegtorale mungon padoku i lëvizjes së kafshëve, një lëvizje fiziologjike e domosdoshme. Gjithashtu kafshët aty marrin rrezet ultravjollcë të domosdoshme për sintetizimin e vitaminës  “D” në lëkurë. Kjo e fundit ka një rol të rëndësishëm për bashkimin e fosforit me kalciumin dhe për pasojë mungesa e vitaminës  “D” sjell çrregullime në sistemin kockor dhe zhvillimin e kafshëve te reja. Një dukuri tjetër është therja masive e kafshëve te reja, viçave. Ata skatohen në moshë të njomë, 1-3 muajshe duke mos pasur vlerat e duhura ushqyese, ndërkohë që mund të theren në moshën 18- muajshe, kohë që marrin vlera të plota ushqyese dhe janë me leverdi për fermerët. Ato shiten me vlerë 30.000 lekë, kurse n.q.s do të shiteshin në moshën 18- muajshe do të fitonin 300.000 lekë. Kjo është një humbje e madhe për fermerët dhe prodhimin e mishit në vendin tonë. Prandaj ministria e Bujqësisë dhe drejtoritë e rretheve duhet të ndalojnë kategorikisht therjen e viçave në moshë të re.

Duke mos ditur rëndësinë e punës së zooteknikut, pronarët në fermat blegtorale (për efekte ekonomike) angazhojnë vetëm veterinerë të cilët nuk përballojnë dot punën e zooteknikut.

Prandaj dhe shumë ferma blegtorale sot janë drejt falimentimit. Ministria e Bujqësisë e vlerësoi punën e bujqësisë dhe blegtorisë në Lushnje dhe ka ideuar performancë të re në drejtorinë e Bujqësisë. Kjo është diçka e mirë, por unë mendoj që të mos ketë drejtori të Institutit të Kërkimeve Bujqësore, por të caktohet një përgjegjës që të ndjekë punimet e kësaj drejtorie i cili të mbulojë punët e saj dhe një përgjegjës të Institutit të Kërkimeve Blegtorale, i cili mungon në Lushnje. Kjo e fundit është e domosdoshme që të zhvillojë më tej punën racore gjenetike të kafshëve. Në Lushnje është e domosdoshme të ngrihet laboratori i diagnostikimit të sëmundjeve të kafshëve dhe laboratori i kontrollit të ushqimit të tyre mbi baza shkencore me specialistë kompetentë. Është e domosdoshme të ngrihet bërthama racore e kafshëve prej të cilave merret materiali gjenetik për riprodhim dhe t’i pritet rruga importimit të materialit gjenetik nga jashtë, e cila është e kushtueshme. Është për t’u përshëndetur reforma e qeverisë në arsim dhe hapja e shkollave profesionale. U bë hapi i parë për hapjen e shkollës së mesme bujqësore në Zadrimë, por është domosdoshmëri që këto shkolla të mesme të shtrihen në gjithë vendin. Nuk mund të ketë zhvillim të bujqësisë dhe fermave blegtorale pa fermerë të arsimuar, që të kenë njohurit bazë të kultivimit të bimëve bujqësore, gjithashtu nuk do të ketë zhvillim të blegtorisë pa fermerë të kualifikuar që të njohin mirë mbarështimin e kafshëve, teknologjitë e reja të të ushqyerit dhe luftimin e sëmundjeve. Në mënyrë të organizuar dhe kontrolluar këto njohuri mund të merren  në shkollat e mesme profesionale. Prandaj, mendoj që pranë gjimnazeve është domosdoshmëri të ketë shkolla te mesme profesionale për degën e bujqësisë dhe blegtorisë, veçanërisht fshatrave.

Është e vërtetë që vendi ynë ka prodhime bujqësore e blegtorale autoktone nga të cilat përmend gjedhin e vendit, shpendët, të imtat, të cilat populli ynë i ka në traditë, por duhet t’i shtojë me fanatizëm, sepse kanë vlera të larta ushqyese dhe janë me të vërtetë bio. Bujqësia shqiptare ka potenciale të rralla dhe të nënvlerësuara. M.B duhet të dijë t’i angazhojë ata për të nxitur e rritur prodhimet bujqësore dhe blegtorale, si dhe për t’i dhënë jehonë edhe jashtë kufijve të vendit tonë, në tregun Europian.

   *Specialist zooteknik