Skandali i Ministres së Arsimit/ Detyrohen mësuesit e arsimit parauniversitar të hapin adresë në WhatsApp që t’u kontrrollohen bisedat dhe bindjet

970
Sigal

Edhe Ministrja e re e Arsimit nis punën duke kërcënuar mësuesit

Festa e mësuesit po troket në derë. Po, tashmë mësuesit i ka zënë frika dhe të dridhurat. Ata e dinë mirë, se tashmë kjo nuk është më festa e tyre, po dita kur me ata mund të tallet kujt ia do qejfi. Mësuesi i shkretë e di mirë se, një ndryshim sado i vogël me të cilin përballen nuk vjen për mirë, por u shtie dridhmën të gjithë mësuesve të shkretë. Tmerrohen nga frika se çfarë do t’u ndodhë. Ata e dinë mirë, bile krenohen hidhur (sepse vetëm për këtë mund të krenohen sot) se janë skllevërit e vetëm mbi këtë tokë, skllevër me të cilët mund të tallet kushdo si ta ketë qejfin. Aq sa sot mësuesve të shkretë u ka mbetur vetëm të mallkojnë prindërit që i dërguan të studiojnë mësuesinë, të kthehen në skllevër, jo thjesht për t’u shërbyer majmunëve në pushtet, po edhe t’i dëfryer ata. Është kjo arsyeja që çdo ndryshim i tremb ata. Ja, u ndryshua ministrja… Mësuesve nuk u plasi se në vend të Lindita Nikollës, erdhi Besa Shahini. Po u trembën, se kushedi çfarë do të sillte nga Kosova kjo Besa. Qëndruan vetëm pak kohë në heshtje, kur iu plasi … te dera. Më parë u qe kërkuar adresa e email-it për të gjithë mësuesit, madje edhe kush nuk e kishte një të tillë duhet ta hapte. Dhe mësuesi skllav, kujt nuk ia ka dhënë atë të bekuar adresë! Ministrisë, kryeministrisë, partive politike etj., etj. Dhe të gjithë çfarë nuk u dërgojnë mësuesve. Duke i lajkatuar, por edhe duke i trembur e frikësuar. Kur mësoi Ministrja e re, se mësuesit nuk dinë të kundërshtojnë i shkoi mendja se çfarë mund t’iu punonte? Ndonjë gjë të re, që të trembeshin më shumë se deri tani. Dhe e gjeti zgjidhjen. Po u kërkon të çelin të gjithë WhatsApp. “Po çfarë iu duhet WhatsApp-i ynë, kur ato çfarë duan të na i dërgojnë mund të na i çojnë shumë mirë në adresën e email-it që kemi dorëzuar”,- thanë mësuesit. Ndërsa Ministrja e re ua bërë të ditur gjithë mësuesve se “Këtë e dua unë për të komunikuar me ju. Nëse nuk keni telefonat që duhen, mund t’i blini duke marrë kredi. Po adresa në WhatsApp-it për secilin është e domosdoshme.”

Mësuesit tashmë i ka zënë tmerri. Disa kanë marrë kredi për arsimimin e fëmijëve dhe nuk u jep banka kredi tjetër pa shlyer kredinë e parë. Nga ana tjetër, janë kërcënuar se, nëse nuk hapin adresë në WhatsApp largohen nga puna. “Ramë nga shiu në breshër!”,- I thonë me zë të ulët njëri tjetrit mësuesit. Edhe Lindita çfarë nuk na bëri dhe na hardallosi, po kjo kosovarja do të tallë menderen që ditën e parë me WhatsApp. Mësuesit janë tmerruar sa nuk i zë as gjumi për WhatsApp- in e Ministres kosovare. Eh, moj Ministre kosovare! Ti e di mirë se në fundin e vitit 2017, Kryeministri dhe paraardhësja juaj u premtuan mësuesve rritjen e pagës gjatë 4 viteve të mandatit të dytë të Rlindësve me 40 për qind. Tani kur kanë kaluar dy vjet ose gjysma e mandatit të rilindësve, paga e mësuesve nuk është rritur asnjë qindarkë. Për çfarë e do adresën e re?! Apo thjesht për t’u tallur me ne? Sepse si kosovare që je, e di mirë, se mësuesit në Kosovë, shtet me moshë 11 vjeç, pagën e mësuesit e ka 600 – 700 euro, kur ne në shtetin 106 vjeç e kemi vetëm 400 – 450 euro. Ndaj, pse na detyron të marrim kredi që të kënaqesh ti? Ne dimë vetëm të heshtim, ndërsa Ju vetëm të shpikni lloj lloj idiotizmash, thjesht për të na poshtëruar. Ja, tani periudha e dytë e mësimit ka nisur me një shpikje të re, me vlerësimin e nxënësit me iniciale. Ndërsa punët me shkrim i vazhdojmë si më parë, me nota. Moj zonja Ministre, idiotizma të tilla i gjen vetëm në këtë Shqipërinë tonë, ku është ngritur e lulëzon një gjysmë shtet që po çudit dynjanë. Dhe nxënësit duhet t’i themi: Me gojë ke marrë Kose T, ndërse me shkrim ke marrë 10. Ndërkaq unë mësuesi yt kam marrë kredi për të blerë një telefon me WhatsApp. Se kështu i pëlqen Besa Shahinit nga Kosova, ku vëllezërit e motrat e saj mësuese atje, paguhen gati dyfish nga ne. Po ne na detyrojnë të marrim kredi, se kështu u pëlqen atyre. Moj Ministrja jonë! E di se, në shkollat e kësaj Albanie nuk ka asnjë lloj baze materiale? E dini se, rreth 25 për qind e shkollave as nuk janë të elektrifikuara? A e dini se pjesa më e madhe e shkollave nuk kanë asnjë libër letrar etj., etj. Ne, këtej kufirit albanez, jemi shumë të interesuar kush ua kujtoi të nxirrni kunj me mësuesit e shkretë. Dhe kur pa?! Tani në prag të festës së mësuesit. Mësuesit e dinë mirë se më ta mund të tallet kush të dojë. Ja, ta vëmë një bast së bashku, moj Ministrja e Arsimit, më 7 mars të gjitha emisionet humoristike do të vënë në lojë mësuesit. Të gjitha emisionet do t’i filmojnë nxënësit duke u blerë dhurata mësuesve. Edhe pse asnjë mësues nuk ua kërkon dhuratat, po fëmijët dhe prindërit e tyre duan t’i falënderojnë për punën që bëjnë gjatën një viti. Po ju të tjerët, më 7 mars do të gajaseni duke i vënë në lojë mësuesit, që pranojnë ndonjë dhuratë nga nxënësit. Duke mos i parë si profesionistë të vlerësuar, por duke i parë thjesht si lypsarë.

Pranoje këtë bisedë me mua zonja Ministre dhe mos u trego mësuesve bankën për të marrë kredi për një idiotizëm me brirë. Pasi adresën e email-it të çdo mësuesi e keni mbi tavolinë, natyrisht që kur ke marrë zyrën në dorëzim nga Lindita. Pasi ajo me email na ka dërguar përshëndetje pa bukë. Ke parapëlqyer WhatsApp-in, por të paktën mos na kërcëno me largim nga puna. Mjaft jemi tromaksur nga lloj lloj speciesh që mban ajo godinë me emrin Ministri e Arsimit. Që ia keni përçudnuar.

Ermion Dulla