Skafistët si “burra të besës’’, kodi i tyre i nderit dhe… të tjerët

195

Nga Gëzim ZILJA

Tetëdhjetë të zhdukur sipas prokurores së Vlorës, 24 sipas policisë, në harkun kohor të tre viteve. Prokuroria ka në proces shtatë raste, ku faktet dhe provat janë me bollëk. Disa analistë rreken të mbrojnë qeverinë, duke luajtuar me numrin e viktimave se një pjesë janë mbytur, janë zhdukur vetë nga frika dhe në pak raste janë vrarë. Ndonjë gazetar në Vlorë, shkruan e thotë se Vlora po lulëzon, nga dita në ditë po ngrihen vepra madhore dhe kjo puna e të zhdukurve është propagandë që bëhet nga të djathtët për të diskredituar qeverinë e për të prishur imazhin e Vlorës. Japin si shembull shtimin e numrit të turistëve në verë dhe qetësinë që zotëron aty. Kjo është e vërtetë, ama, ata që merren me kultivimin dhe transportin e kanabisit nuk janë hajdutë xhepash, celularësh e fustanesh; janë aq të fuqishëm sa furnizojnë Evropën me drogë dhe me paratë e tyre blejnë gjithçka dhe hesapet i kanë me njëri-tjetrin. Drogë në Vlorë ka filluar të mbillet aty nga fundi i vitit 1992. Por deri në fillim të vitit 2000, dominonte transporti i klandestinëve, si taksi dhe më pak i kanabisit. Paratë ndaheshin midis tyre dhe krerëve të policisë. Kontrolli thuajse ishte inekzistent. Kur policia e shtetit filloi ta shikonte me përparësi këtë fenomen një pjesë e mirë e pronarëve të skafeve u kthyen në ndërtues e biznesmenë të mëdhenj. Hoqën dorë nga skafet dhe iu vërsulën tokave me dhe pa zot duke i blerë për një copë bukë ose duke falsifikuar gjithçka.

Denoncimet janë aty në gjykata e prokurori. Vetëm ishullin e Sazanit nuk mundën ta privatizonin se sa për Karaburunin krimi bën, mu dhe dosjet shtohen, zhduken apo stivohen, duke stërpasuruar gjykatësit e prokurorët. Si mund të ndërtoheshin aq shpejt pallate në Vlorë, në çdo cep e skaj pa një kapital fillestar? Nga u gjetën ato para? Një pjesë e mirë e ndërtuesve në Vlorë e ka një histori, që lidhet me transportin klandestin e të tjera veprime të paligjshme. Sot janë qytetarë nderi, miq e shokë me pushtetarët, e disa janë deputetë. Të tjerë më pak të mençur e më shumë të babëzitur u hodhën nga kanabisi, i cili filloi të kultivohej me shumicë, duke arritur kulmin në vitet 2015-2016. Në fshatrat e Vlorës, jo vetëm në zonat e thella, por edhe ato periferike bima e kanabisit mbillej e korrej ditën me diell. Parcelat ishin ndarë dhe çdo parcelë kishte një kujdestar në policinë e Vlorës ose atë të Tiranës. Edhe kur me vullnetin e mirë pjesa e shëndoshë e policisë, (tek e cila unë besoj ende) organizonte ndonjë aksion, ai dekonspirohej që pa nisur dhe policia gjente ndonjë qyqar në arat e shëndetshme, të gjelbëruara me kanabis.

Komunikata e policisë së Vlorës për të zhdukurit e të vrarët ishte thellësisht e politizuar. Midis të tjerave thuhet: Vrasjet në Vlorë janë ulur me 50%, nga 12 të vrarë në vitin 2017, në vitin 2018 janë vetëm gjashtë. Po të shkojmë me logjikën e policisë e të kemi parasysh se viti 2018 nuk është mbyllur ende dhe si rregull vrasjet në Vlorë bëhen në muajt e verës dhe muajt e funditvitit, shifra (mos e dhëntë zoti) pritet të rritet. Por ajo që të bën pesimist është trajtimi që u bëhet vrasjeve në përqindje sikur të ishte therrje pulash e gjelash për Vitin e Ri. Policia nuk ka pse bën komente në raste të tilla. Sepse edhe për një vrasje ajo e ka për detyrë të bëjë të pamundurën për ta zbardhur. Sipas asaj që shikohet, jo vetëm në Vlorë, një pjesë e policisë qysh nga fillimet e demokracisë është e inkriminuar dhe e politizuar. Le të kontrollohet pasuria e ish-drejtuesve të policisë e shefave të krimeve e antidrogës qysh nga viti1992. Do të habiteni se pjesën më të madhe do t’i gjeni si deputetë në parlament, ndërtues pallatesh dhe sidomos aksionerë kudo në hotele, rezidenca, firma turistike e pronarë klubesh sporti. Policia e shtetit në segmente të saj është e inkriminuar po aq sa gjykatat e prokuroritë. Dhe së fundi: Nuk janë skafistët e keqja e këtij vendi. Në ditët tona ata janë taksistë, që për hir të varfërisë marrin në sy edhe vdekjen. Mbytja e skafistit 61 vjeçar Q. L. është një shembull mjaft kuptimplotë.

E kam njohur këtë njeri të mirë dhe prindërit e tij qysh fëmijë. Pjesën më të madhe të jetës, ndoshta e ka kaluar ne det, duke peshkuar. Pastaj u mor me skafe me ëndërrën të ndërtonte një shtëpi për së mbari aty mbrapa shtëpisë buzë rrugës, njëkatëshe me tjegulla, dhomë u kuzhinë, stil sovjetik, ku ishte lindur e rritur. Mbi 20 vjet bëri skafistin, por shtëpia e tij e re nuk u mbarua kurrë. Të udhëtosh me gomone apo skaf, të ngarkuar me thasë plot me kanabis në një det gjashtë apo tetë ballësh, në moshën 61 vjeç, është marrëzi e kaluar marrëzisë. Vetëm lufta për bukën e gojës, për mbijetesë ose një hall shumë i madh, të detyron të marrësh në sy vdekjen e të udhëtosh me një stuhi të tillë. “Nëse do të kisha aq lekë sa të blija një fllugë (anije peshkimi e vogël) – më tha dy muaj para se të mbytej, – nuk do të bëja më pilotin. Po ti e ke parë se shtëpia ime ka njëzet vjet dhe ende s’po e mbaroj dot. Duhet të bëj dhe nja katër-pesë rrugë e kështu ndoshta mbarojnë hallet e mia. Do të të marr edhe ty në anije, nëse ia dal, se e di që e ke qejf peshkimin.” Sigurisht që Q. L. nuk ishte kriminel, as vrasës. Kështu është pjesa më e madhe e skafistëve. Kuptohet që pronarët janë qeveritarë, biznesmenë, e jo rrallë gjyqtarë, prokurorë e policë. Po për këtë skafistët nuk flasin. Bëjnë burg, dalin prej andej, hyjnë sërish në burg, por kurrë nuk tregojnë pronarët dhe organizatorët. Sepse mendojnë që janë burra të besës. Heshtja është kodi i tyre i nderit.