Simon Mirakaj/ Kalvari im i internimit, 45 vjet

1259
Internim/17 Korrik 1945- 4 Korrik 1989. Muri i Berlinit kishte rënë, komunizmi ishte në grahmat e fundit, megjithatë në Shqipëri vazhdonin dënimet e arrestimet. Në 26 Qershor të 1989, unë me gjithë vëllain, Sokolin mbushnim pesëshen e nëntë të internimit pra 45 vjet, na ishin ngjallur shpresat se internimit tonë i erdhi fundi. Në mbasditen e asaj dite na thërrasin në zyrën e këshillit, atje na priste një oficer i degës të Punëve të Brendshme, Rexhep Çuko që zëvendësoi Vangjel Shtëmbarin, të cilët vinin një herë në pesë vjet që na komunikonin masën e përsëritjes së internimit me pesë vjet, kështu bëri edhe në 26 qershor 1989, duke na lexuar formulën e zakonshme:
– U mblodh Komisioni i Internim-Dëbimeve dhe vendosi t’iu shtojë edhe pesë vjet masën e internimit, pra pesëshen e dhjetë. 
– Firmoseni, na u drejtua oficeri. Shikuam njëri – tjetrin dhe Sokoli prerazi i thotë, nuk firmosim…
U larguam jo shumë të mërzitur mbasi e dinim se ishte fundi i tyre. Nuk kishte kaluar një muaj nga marrja e pesëshes së dhjetë kur na thërrasin përsëri. Atë ditë të katër korrikut, unë po punoja në lëmë me Gjon Markagjonin në kthim gruri. Ishte shumë vapë, të dy ishim me pantallona të shkurtra e me kapelat e kashtës në kokë për t’u mbrojtur nga të nxehtit. Në lëmë s’kishte njeri, vetëm ne të dy dhe zogjtë që çukisnin grurin largoheshin e vinin përsëri pa u shqetësuar nga prania jonë. Nga ora dymbëdhjetë hodhëm lopatat e u drejtuam për në shtëpi. U freskova pak me ujin e kazanit që ishte lënë në diell e u futa në kuzhinë, u shtriva në minder për të pushuar, dëgjoj një zë që thirri: O Sokol…Sokoli nuk luajti e unë I them: 
– Sikur po thërret dikush o Sokol… pa shiko apo më bëjnë veshët. 
Pa mbaruar fjalën hyn Vangjeli, përgjegjësi i apelit. Unë ngrihem nga minderi, ai pa që ne u shqetësuam e menjëherë na tha:
– Kam ardhur t’ju jap një lajm të mirë:
– Ti Sokol edhe ti Simon jeni liruar, ka ardhur një oficer nga Ministria e Brendshme e do të ju komunikojë vendimin. Kunata dhe fëmijët e Sokolit filluan të lotojnë nga gëzimi me lotët e tyre u bashkuan dhe lotët e Vangjelit. 
– Po të gjithë janë liruar? i tha Sokoli. 
– Po, të gjithë jeni liruar, me përjashtim të Xhevat Tarushes edhe ai do lirohet mbas dy muajsh:
– Por, ju lutem, bëni sikur nuk dini gjë. Kunata Vali, me lot në sy i nxori një llokum Vangjelit dhe ai vazhdoi:
– Ne do të bashkohemi të gjithë tek vendi i apelit e prej aty do shkojmë në zyrën e këshillit. 
Mbas pesë minutash u mblodhëm të gjithë tek caku, e prej aty hymë në zyrën e këshillit e u ulëm në stolat që kishte zyra. Vangjeli shkoi e lajmëroi oficerin i cili shoqërohej nga operativi dhe paria e vendit. Sapo hynë iu drejtuan tavolinës e u ulën në karriget, Vangjeli nxori listën e bëri apelin:
– Janë të gjithë e pyeti oficeri?
– Po, iu përgjigj Vangjeli. Oficeri, i cili nuk i hoqi syzet lexoi vendimin:
– Komisioni i Internim-Dëbimit u mblodh dhe vendosi duke parë qëndrimin tuaj të mirë t’iu heqë masën e internimit. Lexoi emrat e të gjithëve me përjashtim të Xhevat Tarushës. Pra, vazhdoi oficeri, nga ky moment ju jeni të lire. Mbasi futi listën në xhep na u drejtua: Për ju kam një këshillë…që mos të merreni me politikë. Ai priti që ne ta falenderonim për lajmin e dhënë, por e pa që priste kot. Mund të largoheni, dolëm vetëm duke ju thënë: Ditën e mirë, e pa ju dhënë as dorën. Sapo dolëm nga dera, filluam të përqafohemi me njeri tjetrin e duke uruar njeri tjetrin u drejtuam gjithsecili për në shtëpinë e vet, duke bërë planet e udhëtimeve. Mbas 44 vjetësh bëra udhëtimin e parë për tek motra Lajdja në Savër pa marrë leje tek operativi (oficeri i Sigurimit). Të nesërmen u nisëm për në Gradishtë tek nanë Palja, tek Mojsi e Leka që kishin pak kohë që kishin dalë nga burgu. Nanë Palja kur na pa i thirri Klores: 
– Klore, dil shpejt se erdhi Sokoli me Simonin e janë liruar, vuri dorën në zemër e nga sytë i rridhnin lot. 
– Nana Pale mbaju, ne jemi lirue, i tha Sokoli. U përqafuam me Kloren e Fatosin. Barakat ishin ngjitur me njëra – tjetrën. Menjëherë mbërriti Leka, Loli me fëmijët, Mojsi, Dava me fëmijët. U futëm të gjithë tek shtëpia e Fatosit, atë natë nuk fjetëm. Lirimi ynë ndodhi plot mbas 44 vjet, në 4 korrik të vitit 1989. 
Pas 41 vjetësh tregon për herë të parë, se si do të asgjësonte familjen e tij, nëse i kapnin rojet
Ja si do t’i vrisja 16 pjesëtarë të familjes sime, nëse na diktonin rojet e kufirit 
Sigal