Silvana Berki/ Individi dhe identiteti

769
Sigal

Ndryshimin për mirëqenie shoqërore kohore nuk e sjell kapitali, por kapitalin e sjell zhvillimi individual psikologjik

Është shumë e vështirë të ruash një balancë ndërmjet shoqërisë së vendit, ku jeton me atë që

ke lënë mbrapa për shumë vite me radhë, sepse të dyja lëvizin në të njëjtën kohë dhe detyrimisht nuk mund të gjendesh në të dyja në të njëjtën kohë.

Çëhtja, Kohë, Emigrant janë dy tema që dua t’i ngre sot në këtë diskutim. Kur isha e vogël dhe jetoja në vendin tim, shumë gjëra atëherë dukeshin ndryshe, kur i krahasoj me tani. Çfarë ka ndryshuar brenda këtyre 30 viteve të fundit? Ajo që bie në sy menjëherë nuk janë vetëm ndryshimet dinamike-ekonomike, por psikologjiko-shoqërore. Nuk mund të themi se ato që ndodhën gjatë këtyre viteve ndodhën pa arsye. Sot kemi një Shqipëri që mundohet me mish e shpirt nëpër dhëmbë drejt përparimit, shoh një shoqëri që merr frymë e lirë, qe lufton të gjejë shtegun e vet drejt demokracisë brenda kapacitetit të vet,  një shoqëri që përplaset me moralin, të cilin po e rindërton jo me diktat, por vetëdije dhe mbi të gjitha shoh fytyrat e njerëzve që edhe pse më të lumtur se 30 vjet më parë prapë ankthi nuk ju është larguar. Sociologu skocez Alexis de Tockuevill thotë: “Liria është aftësi, nuk është çështje, të cilën mund t`ja japësh njerëzve si masë legjislative. Është diçka që duhet mësuar dhe edukuar. P.sh. njeriun mund ta zbërthesh nga prangat e skllavërimit, por kjo nuk e bën atë të lirë. Të jetë i lirë ai duhet më parë të ketë besim në vetvete, aftësi të funksionojë i pavarur dhe të dijë të kontrollojë mundësitë dhe dëshirat e pafund që do të ndesh në jetë”.

 24 vite më parë

Kanë kaluar pothuaj 24 vite nga dita që e lashë vendin tim, duke marrë me vete vetëm atë që më identifikonte mua, kulturën me të cilët luftova dhe përballova sfidat që emigracioni më solli. Ju do të mendoni se kam jetuar në një shtet “parajsë” dhe unë nuk e mohoj atë. Në aparencë dhe në krahasim me shumë vende të tjera europiane, Finlanda ka standard të lartë jetese, ndaj edhe përplasja ime si emigrante nuk ka qenë ajo financiare. Keni menduar ndonjëherë pse shumë emigrantë atje në botën e parajsës i dhanë fund martesës shumë vjeçare? Apo, pse shumë emigrantë pësuan jo vetëm zhgënjim, por demoralizim total gjë që i çoi edhe drejt  sëmundjeve psikike? Sigurisht që të gjitha këto kanë një apo shumë shpjegime. Por ajo më kryesorja dhe përplasja më e madhe që ne emigrantët ndeshëm ishte pikërisht botëkuptimi psikologjik. p.sh. nëse patriarkalizmi në vendin tim vlerësohej duke e cilësuar dhe lejuar mashkullin shtylla e shtëpisë, ky fenomen nuk vlerësohej në kulturën, ku shkova dhe sidomos kur ky partriarkalizëm shfaqej me forma shoviniste ndaj femrës. Një tjetër faktor ishte edukimi i fëmijës. Aty ku shkova koncepti i edukimit të fëmijës ishte ndryshe nga ai që unë kisha marrë me vete nga kultura e vendit tim.  Janë pikërisht, të gjitha këto përplasje botëkuptimesh që jo vetëm nxorën në pah defektet e kulturës prej nga vija, por e vështirësuan gjendjen psikologjike të emigrantit dhe pasojat janë nga më të ndryshmet siç edhe unë i kam sjell te libri me 15 tregime, si pesëmbëdhjetë mesazhe jetësore për të lidhur këto dy botë, këto dy kultura paçka se duhej t`i përjetoja unë, apo dikush tjetër për t’i sjellë ato si provë e ndryshimeve sociale që po përjetojmë. Mendimi se eksperienca ime nëpërmjet këtyre tregimeve shoqëroro-psikologjike, si një qartësi të koncepteve dhe fenomeneve të hasura kohës, ku jetojmë mund të ndihmonte  në progresin psikologjik-social të bashkatdhetarëve të mi kudo ndodhen, më ka dhënë forcë, shtytje të vazhdoj dhe gërmoj mbi diferencat dhe fenomenet dëmprurëse për t`i rindërtuar ato mbi një logjikë të shëndoshë. Ne të gjithë kemi dëshirë për fëmijët tanë të rriten jo vetëm të shëndoshë nga ana fizike, por edhe shpirtërore kohës ku jetojmë. Në pyetje është, me çfarë identiteti po i afrohemi kësaj kohe, ku fëmijët tanë po rriten?

Ndaj, po ndalem pak pikërisht tek fenomeni IDENTITET.

Karakteristikat individuale, të cilat na bëjnë të jemi individë, i quajmë identitet. Kur këto karakteristika personifikojnë një grup shoqëror me interesa të përbashkëta, këtu kemi të bëjmë me identitetin kombëtar. Ndërsa emigrant edhe pse është individ, Identiteti i tij përmban në vetvete karakteristika të dy kulturave, dy kohëve dhe dy kombeve, gjë që e bën atë të pasur në mbartjen e shumë kulturave, por në të njëjtën kohë edhe të vështirë ruajtjen e një balance ndërmjet të dyjave, sepse në të njëjtën kohë çdo gjë lëviz. Ndërsa, kur këto karakteristika cilësojnë mentalitetin dhe fenomene të një kohe të caktuar kemi të bëjmë me identitetin e kohës, ku jetojmë, moderne apo postmoderne, pra origjinalja apo sipërfaqësorja, baza apo irealja. Megjithatë, sado origjinalja të vishet, të zbukurohet me silikon, të bëj operacione plastike, prapë se prapë asgjë nga këto nuk e ndryshon përbërjen origjinalitetin e saj. Ne ngelemi të lakuriq të qenie biologjike që lindim dhe vdesim. Po ashtu, toka, pyjet, malet, uji i burimeve ngelen të pacenuara nga origjinalja megjithë këtë zhvillim global postmodern në të cilën po jetojmë.

 Ndaj pyetja ime është: Cilat janë këto ndryshime që na identifikojnë si kohorë sot? Dhe cilat janë ato veçori që na bëjnë të mos ndihemi të tillë? A janë format e të menduarit tonë? Si na identifikon e kaluara jonë historike?Nëse do të merrnim vetëm fenomenin e të “menduarit”, do të vazhdoja të pyesja: cila ka qenë mënyra analitike që është përdorur para 100 vjetësh dhe, cili është ndryshimi me analitikën e sotme? Po të analizojmë këto dy fenomene do të jemi në gjendje të përcaktojmë edhe identitetin e mentalitetit tonë kohor, ku qëndrojmë. Ja p.sh. nëse nxitja e një konflikti më parë është gjykuar duke drejtuar pyetjen: Çfarë po ndodh? Sot preferohet të bëhen pyetje: cili ishte shkaku i ngjarjes? Ndryshimi në mes këtyre dy pyetjeve është se e dyta shërben si parandaluese. Duke analizuar para kohe ç’pasojë mund të sjellë një X veprim në të ardhmen, jemi në gjendje edhe ta parandalojmë të keqen. Me këtë dua të sjell në pah se edhe ndryshimet shoqërore europiane nuk kanë filluar revolucionin e tyre me tregun e lirë, as me zhvillimin liberal kapitalist, por me një revolucion psikologjik, me formën e të menduarit psiko-analitik që prej 1800. Ndaj, e hapa sot edhe si temë sepse ndryshimin për mirëqenie shoqërore kohore nuk e sjell kapitali, por kapitalin e sjell zhvillimi individual psikologjik. Nëse perëndimorët identifikohen sot për të menduarit psiko-analitik si më të zhvilluar, gjë që mendohet t`i ketë ndihmuar në zhvillimin e tyre social-ekonomik, edhe shoqëria jonë shqiptare duhet të pësoj pikërisht këtë thyerje mentaliteti duke i kaluar një epoke dhe faze zhvillimi të nevojshëm drejt  postmodernizmit. Nuk është aspak mendim skizofrenik të besosh në një mundësi të tillë duke pasur një besim kaq të madh në psikikën dhe intelektin e vendit tënd, sepse Ne,  jemi një komb me mëndje të hapur, i lejojmë të rejat të hyjnë dhe këto janë pikërisht karakteristika që na dallojnë nga të tjerat dhe e bëjnë të lehtë edhe këtë ndryshim të nevojshëm psikologjik, ku dashur pa dashur ne të gjithë jemi dëshmitarë dhe kontribuues të këtij revolucioni psikologjiko-shoqëror.