Sigal

Nga Marjana Bulku

Përtej atyre dhjetëra historive me baballarë, tyrbe e teqe që unë kisha dëgjuar në familjen time , zgjodha vetëm njërën për t’ia treguar tim biri , lidhej me një ngjarje reale përjetimi, shërimi edhe prej forcës së besimit. Kishte qenë pikërisht ky akt që ma bëri të afërt këtë frymë bektashizmi që bëhet edhe më e ndjeshme dhe e prekshme kur i afrohesh atyre objekteve të kultit që mbartin brenda njerëz, aktet e tyre dhe mirënjohje njerëzore përreth. Dhe kështu vjen besimi tek unë , si një pasuri shpirtërore e trashëguar , si një pelegrinazh historish  që nuk mbetet aty edhe pse nuk shoqërohet nga praktika a rituale ku demonstrohet apo edhe imponohet mënyra se si beson, leximi dhe thellimi nëpër njohuritë ka qenë mjeti më i mirë për mua për  ta mbajtur gjallë atë. Një lloj spiritualizmi që ndërlidh elementët e besimit me mjetet dhe mënyrat se si transmetohet ai.

Bektashizmi dhe tri shtyllat që e mbajnë në këmbë atë;

E vërteta (harikati)

Dituria (marifeti)dhe

Ligji (sheriati) sot përbëjnë më shumë se kurrë një arsye tjetër për të besuar tek forca e besimit, për të kuptuar se shoqërive  njerëzore u duhen mjetet me të cilat besimi operon ; DURIMI dhe URTËSIA. Misionare në rrugëtimin e tyre shumëshekullor besimtarët dinë të përdorin vetëm një gjuhë, atë të dashurisë, vëllazërimit dhe të përbashkimit edhe kur mbi ta rëndon padrejtësia, xhelozia dhe lufta brenda llojit çka për fat të keq përshkon edhe humanët siç nuk do duhej, dëshira e bazuar në vullnet mban gjallë besimin, mbajti gjallë besimin edhe në kohen kur furia e urrejtjes u derdh me kazma shkatërrimtare përmbi objektet e kultit, pikturat, afresket, simbolet, emrat, librat, shkrimet duke rrënuar materialen që na vërtetoi se sa e patundshme është pasuria shpirtërore. Humanët janë krijesa fatlume që zoti i favorizoi me tërësinë e tipareve fizike e shpirtërore dhe intelektuale që ndërveprojnë duke ndërtuar karakterin atë që kur bashkohet me historitë familjare përshfaq personalitetin, akte e vepra që institucionet e besimit jua adresuan bibliotekave aty ku filozofia dhe misticizmi, janë baza kryeveprash.

Shqipëria është vendi me një seli botërore bektashizmi që nga nëntori i vitit 1925, brenda saj ka një organizim shoqëror, shpirtëror, intelektual që i ka falur shumë historisë, letërsisë dhe diplomacisë. Aty predikohet dashuri për të gjithë e Zoti shikohet si besim lutje e falënderim çka do ti mjaftonte edhe njeriut më të zakonshëm për të orientuar veten, familjen dhe jetën e vet që sot më shumë se kurrë e ka të nevojshme të prihet nga: E vërteta, dituria, Ligji