Shyqyri Meka/ Ku po shkon, Albtelecom?!

626
Sigal

Përtej shkëlqimit “aramanth”

-Në 1 janar, përdoruesit e shërbimeve të Albtelecom u përballën me rritjen e tarifave fikse mujore, nga 530 në 700 lekë. Gjashtë muaj më vonë, më 1 Qershor, një tjetër lëvizje spektakolare tronditi numrin e përdoruesve të Albtelecom. Një minutë thirrje lokale (të cilat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të trafikut) u rrit nga 3, në 5 lekë. Si për të “kompensuar” këtë situatë, u shkurtuan edhe rreth 300 punonjës.

-Pavarësisht numrit të atyre që preken, janë mijëra familjet me të ardhura të pakta, kryesisht pensionistë,  që rrezikojnë  të privohen nga një telefon fiks. Ato familje që kanë “rezistuar” janë të detyruar të paguajnë  kosto shtesë. Sado e papërfillshme të duket, me një të rënë të lapsit Albtelecom u ka thithur pensionistëve gjithë indeksimin vjetor të një pensioni.

Ngjyrosësit e balonave

“Kësulëkuqja” bukuroshe kumton plot gëzim mesazhin: “jam Albtelecom”!  Një balerin  fluturon nën shkëlqimin e së kuqes aramanth (nuancim i saj). “Borëbardha” e ëndrrave fëminore kalëron “pegasin” e kohëve moderne. Reklama me plot fantazi erotike përcjellin suksesin me emrin Albtelecom. Pushtojnë ekranet nga mëngjesi në darkë, faqet e gazetave, billbordet e qyteteve. Një staf i tërë dhe fonde që derdhen lumë për publicitet, shoqëruar edhe me dhurata luksoze. Nën magjinë “aramanth”, edhe personazhe si Zymbyl agai te “Sulejmani i madhërishëm”, duken drejtues të aftë e me përvojë. Po, t’i arratisemi ishullit të sirenave, në realitet. Sepse, Albtelecom para se të jetë një subjekt i tregut të lirë, vepron si operator strategjik në një treg të rregulluar.

Miliona fonde, domosdo, rritin kostot e shërbimeve që rëndojnë konsumatorët, ndaj nuk mund të qëndrojnë jashtë analizës rregullatore, jashtë pagesës së TVSH, apo interesit publik. Përmbytja me oferta dhe reklama nuk përbën shenjë të konkurrencës në treg. E nënvizojmë këtë fakt, aq më tepër, kur Albtelecom  vepron i njëanshëm dhe nuk ofron transparencën e duhur kur rrit tarifat, dhe jo njëherë, gjë të cilën e ka detyrim ligjor. Nuk i lexoi kush këto lajme të dobishme për konsumatorin në faqen e internetit, atje ku u publikuan,  pasi shumica e përdoruesve nuk kishin internet. Asnjë prej këtyre ngjarjeve (ngjarje, derisa prekin mijëra përdorues të shërbimeve fikse) nuk u përcoll me ndonjë njoftim publik nëpërmjet ekranit, siç parashikon ligji, kur reklamat e Albtelecom ndërpresin orë e çast çdo emision të programeve televizive. Duhej të reagonte AKEP ndaj një sjelljeje abuzive, dhe të përsëritur?

Do ta disponojnë shqiptarët një telefon fiks?

Në 1 Janar, përdoruesit e shërbimeve të Albtelecom u përballën me rritjen e tarifave fikse mujore nga 530 në 700 lekë. Gjashtë muaj më vonë, më 1 Qershor, një tjetër lëvizje spektakolare  tronditi i numrin e përdoruesve të Albtelecom. Një minutë thirrje lokale (të cilat përbëjnë një përqindje të lartë të trafikut të Albtelecom) u rrit nga 3, në 5 lekë. Rritme të tilla rritjeje të njëmbasnjëshme përdoruesit e Albtelecom nuk i kishin përjetuar. Në gradualitetin e ndryshimeve rregullatore prej vitit 2001, (rreth 13 vjet) tarifa fikse kishte ndryshuar nga 200 në 530 lekë. Thirrjet lokale, nga 1 në 3 lekë/min.

Sfidë ishte jo vetëm përqindja e rritjes. Albtelecom s’kishte pritur të thahej boja e vendimit te Autoritetit Rregullator, që  përjashtonte nga kontrolli tarifat e thirrjeve telefonike të përdoruesve. Në ndryshimet tarifore të fundvitit 2003, të iniciuara nga ERT (dhe të anuluara nga qeveria për shkak të presionit të përdoruesve, të mobilizuar nga PD dhe lëvizja “Mjaft”) tentohej balancimi i tarifave. Pra, një proces më se i drejtë në pikëpamje ligjore, si dhe i justifikuar nga ana ekonomike. Ndryshimet e këtij viti, përkundrazi, nuk parashihnin si qëllim ndonjë balancim. Rritja e tarifave shkonte çapraz me investimet e shumta të Albtelecom për modernizimin e rrjetit, një premisë reale për uljen e kostos së shërbimeve. Madje, si për karshillëk, ditën që hapej panairi i punës në kryeqytet, në Albtelecom merrej vendimi për të “ristrukturuar” rreth 20 për qind të personelit ekzistues. Automatikisht, në kushtet aktuale të tregut të punës, një listë me rreth 300 punonjës të kësaj kompanie (nuk është zakon që lajme të tilla të bëhen publike): inxhinierë, ekonomistë, juristë, apo punonjës teknikë do të shtonin radhët e asistencës buxhetore. Nga një kompani private, kostot i kalonin qeverisë. Sigurisht, askush s’mund t’i mohojë një kompanie private të drejtën të lehtësojë kostot e shërbimeve në dobi të konsumatorit, duke rritur edhe konkurrencën në treg.  Sigurisht, në se do të kishte qenë ky qëllimi i ristrukturimit.

Çudia më e madhe është se u zbatua një praktikë që binte ndesh jo vetëm me interesat e përdoruesve, por edhe të vetë kompanisë Albtelecom. Një mundësi për të rritur të ardhurat? Mungesë orientimi apo një sjellje, sipas asaj shprehjes së vjetër, se dikush në Albtelecom “ha bukën e turkut dhe bën duanë e kaurit”?! Ndër faktorët që çuan në ndryshimin e tarifave, arsyeja financiare, pra, ajo e rritjes së të ardhurave, nuk mund të jetë bindëse. Megjithëse abonentët që përdorin planin tarifor standard dhe që u prekën nga këto ndryshime,  zënë  një përqindje jo të vogël të numrit prej 210 mijë abonentësh, nuk përbëjnë bazën e të ardhurave të Albtelecom (mungon një statistikë publike për numrin e tyre). Pavarësisht numrit të atyre që preken, janë mijëra familjet me të ardhura të pakta, kryesisht pensionistë, që rriskojnë të privohen nga një telefon fiks dhe të dhënat e gjashtëmujorit (që ende nuk janë publikuar nga AKEP) e tregojnë këtë. Ato familje që kanë “rezistuar” janë të detyruar të paguajnë një kosto shtesë të barabartë me rreth 350 lekë në muaj (për një konsum mesatar mujor të thirrjeve dalëse lokale prej 80 min bisedë). Sado e papërfillshme të duket, Albtelecom me një të rënë të lapsit u ka thithur pensionistëve gjithë indeksimin vjetor të një pensioni.

Në total, kostoja mesatare për një paketë familjare standard (me, mesatarisht, 106 minuta dalëse), u kushton përdoruesve rreth 1300 lekë në muaj. Këtu zë fill edhe arsyeja e rritjes së çmimeve. Nuk ka asnjë motiv ekonomik që përdoruesi të vijojë të mbajë këtë plan tarifor, pasi përfitimet e tij janë më të pakta edhe se paketat “Fol Fix” 1000 apo 1500 lekë në muaj. Madje, do t’i kushtonte shumë më lirë sikur të blinte një paketë celulare të cilitdo operator. Zgjidhjet, gjithsesi, nuk mungojnë, por a mundet një familje me të ardhura të pakta të blejë një paketë që kushton 1000 lekë në muaj? Deri tani, paketa familjare standard ka shërbyer si paketë e shërbimit universal me kosto të ulët duke kryer, kryesisht, biseda hyrëse. Megjithatë, optimist mbetet fakti që AKEP ka të shkruar një strategji afatgjatë për shërbimin universal, ekziston një sektor për këtë qëllim. Madje, mund të organizojë edhe ndonjë tender tjetër ndërkombëtar për asistencë në këtë fushë!

Dikush në Albtelecom: “Ha bukën e turkut dhe bën duanë e kaurit”?!

Përfundimi është i qartë: Albtelecom në rrugë “ekonomike”, i papenguar nga autoriteti rregullator tenton të drejtojë përdoruesit drejt paketave “bundle”, me telefoni plus internet. Rruga që ka zgjedhur është në kapërcim të konkurrencës së ndershme dhe AKEP duhet të reagojë. Sigurisht, mund edhe të pretendohet se tregu është konkurrues, por një model ku blerësi imponohet dhe çmimet rriten, vetëm treg konkurrues nuk mund të quhet. Albtelecom mund të këtë të drejtë t’i kërkojë AKEP të shmangë zëvendësueshmërinë diskriminuese të celularëve, nëpërmjet rregullimit të çmimeve on/net-of/net. Ama, nuk ekziston asnjë “moral” tregu që ta lejojë të përsërisë të njëjtën praktikë abuzive, të cilën e ankimon në AKEP dhe Autoritetin e Konkurrencës  për zgjidhje.

Në situatën e një konkurrence të pabarabartë, ku celularët janë të avantazhuar për disa arsye, për më tepër, veprimi i Albtelecom nuk mund të përbënte një lëvizje të zgjuar dhe efektive. Tashmë, mund të quhet një ekuacion i vërtetuar fakti se çdo rritje sado e vogël e tarifave do të shoqërohej me  rriskun e uljes së numrit të përdoruesve. Veprimi i pabalancuar i Albtelecom thjesht do të përshpejtonte një proces që kishte nisur prej kohësh nën presionin e faciliteteve të shërbimeve celulare, që tashmë do të konkurronin edhe me tarifa.

Fatkeqësisht, Albtelecom në vend që të ulte kostot dhe të konkurronte, përsëriti gabimin strategjik të para disa viteve, kur jashtë procedurave korrekte faturoi tejkalimin e internetit. Edhe atëherë u ndëshkua me mijëra kontrata të mbyllura, si edhe tani. Me sa duket, “ngjyrosësit e balonave” nuk e njohin faktin se një kontratë e “thyer” si zor ta rikthejë përdoruesin drejt një kontrate të re me të njëjtin operator. Sjellja konsumatore i ngjan ujit të lumit, që nuk rrjedh dy herë në të njëjtat brigje. Mos qoftë e thënë që dikush në Albtelecom, siç thotë ajo shprehja e  vjetër, “ha bukën e turkut dhe bën duanë e kaurit”!

*Ish- anëtar i Entit Rregullator të Telekomunikacioneve (sot, AKEP)