Shumë seli, pak arritje

777
Vangjush SARO

Ka një histori shumë domethënëse ndërtesa ku po materializohet (?!) fjala e madhe Veting, institucioni i padëgjuar ndonjëherë, që erdhi si një artificë e, si të thuash, përmbi institucionet e zgjedhura e të strukturës së shtetit të këtyre dekadave e të këtij rendi. Kjo godinë ka qenë dikur SHQUP-i parë, domethënë Shtëpia e Ushtarakëve, njëlloj klubi, në të cilin, në vitet ’50 bëheshin mbrëmje e kishte dëfrime… Më pas, ndërtesa u bë Lidhje e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Pastaj u shndërrua (pjesërisht) në Agjenci Punësimi. Ministria e Kulturës e gëzoi ca kohë këtë godinë në bash të vendit, duke e qarë me lot kulturën dhe antikulturën. Më së fundi, godina mori emrin e këtij institucionit që tani bërtet: “Prit se të zura!” por nuk zë asgjë… Nuk është fjala pse është ndërruar njëqind herë destinacioni i një godine shtetërore, anipse edhe kjo është njëlloj vodevili; i luajtur pushtet pas pushteti, kohë pas kohe. Problemi kryesor është çfarë ka pas kësaj simbolike a parodie: është vetë paqendrueshmëria e institucioneve shqiptare, në formë dhe në përmbajtje. Njëlloj loje, diçka si pazëll (puzzles), që ndërron ngjyrat dhe figurat, që shkon e vjen në mënyrë folklorike, me stisjen, transformimet dhe, vetëm në fund, edhe me… punën e institucioneve shqiptare. Gjithnjë në formim e në shformim e në paqendrueshmëri këto seli e këto institucione. Kjo më ngjan si njëlloj paqendrueshmërie edhe e këtij shteti, e këtij vendi me fat dramatik. Lëvizje dhe ndryshimet kaotike të selive, institucioneve, ndonjëherë në drejtime të paimagjinueshme, ndonjëherë edhe groteske, në emërtim e veprime – për shembull, punësimin e zgjidhën si jo më bukur – na bëjnë të kuptojmë se përparësia për qeveritë që vijnë e ikin, janë zyrat, jo puna, janë pjesa e dukjes, jo qëllimet apo praktika dhe zgjidhjet konkrete. Bota ka seli e godina që ndoshta jetojnë e bëjnë hije prej shekujsh; dhe kanë një histori, njëlloj pushteti të padiskutueshëm. Tek ne, luhet pazëll. Përvojës sonë, ndryshe, mund t’i thonë edhe: Shumë seli, por pak arritje. E merr Ministrinë e Mbrojtjes dhe zë krejt korpusin e ndërtesave të ish-shkollave ushtarake. E merr Ministrinë e Kulturës dhe e shpie te ish-Kinostudio, e parë dhe e fundit e vendit, që nuk është më as për farë… Duke i vënë bërrylat pa pikë turpi historisë. Për më tepër, krijimi dhe rikrijimi kohë e pa kohë i drejtorive, i zyrave, i hallkave, i vetë institucioneve, kjo lëvizshmëri a qasje në ndryshim, në zbatime a imitime të praktikave të vendeve të tjera apo shpesh të imponuara, pra, kjo fanfarë, le të themi, si është sot, nuk është nesër, as pasnesër; më tutje jo që jo. Ndërrojnë emërtimet, ndërrojnë strategjitë, taktikat, drejtuesit, punonjësit, rojet, pastrueset… Është me të vërtetë një komedi! U bënë pothuaj tre dekada që luhet kësisoj. Por e keqja tjetër është se me këtë paqendrueshmëri e me këtë zell për të ndryshuar e baltuar ç’të mundemi, lidhen një sërë gjërash, ngjarje, terma, halle, rëndom të pazbardhura ose të tilla që nuk iu gjendet “i zoti”. Se, bie fjala, çfarë është ftilluar deri më sot në Shqipëri? Më saktë, për çfarë është dhënë ndonjë vendim a dënim deri më sot? Mos vallë për vrasjen e një prej demokratëve të parë, A. Brocit, në Shkodër? Mos vallë për ata që shkaktuan vitin ‘97, shoqëruar me krime e vrasje e drama që kurrkujt s’ia merrte mendja se mund të ndodhnin? Mos vallë ka ndonjë vendim a përgjegjësi për historinë e shoqërisë që shpinte naftë në Serbinë e kohës së luftës në ish-Jugosllavi e në Kosovë? Apo për zhdukjen e Remzi Hoxhës? Për Gërdecin ndoshta? Për 21 janarin? Që të mos kujtojmë subjekte të panumërta që kanë të bëjnë me individë e familje mbetur dyerve të drejtësisë e të shtetit… 

Sado në skaje të duken formalisht këto tema, ndryshimet e selive dhe ndryshimet e institucioneve nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, mali i gjërave të mbetura pezull, nuk ka si të mos i shohësh në një torbë. Që është ajo e tranzicionit lemerisës dhe ku çfarë nuk gjen. Po kujt t’i flasësh e t’i kërkosh ndonjë shpjegim për këto pamje (shpresoj, nuk e teproj) tipike shqiptare? Ai zotëria (që ka qenë disa herë qytetari i parë i vendit, Kryeministër, President, drejtues i opozitës,) thotë pa u druajtur fare, se ka ndjekur Kanunin… Dhe s’e ka për gjë. Ata që drejtojnë aktualisht, gjithashtu janë pjesë e fanfarës, kanë ndërruar godina e tituj, por vazhdojnë të vijnë anës si kali në lëmë. Ndonjëherë, së bashku me aleatët e tyre, që duket sikur luajnë, e thamë tani, pazëll (puzzles). Fatalitet apo histori është kjo, vështirë ta themi. Në fakt, në Evropë, edhe në Ballkan, institucionet kanë folur më shumë; drejtësia i ka çuar në dyert e burgut një sërë ministrash e kryeministrash apo thjesht ish të tillë; natyrisht, kur e kanë bërë baltë. Kurse te ne, është bërë jo baltë, por batak… Megjithatë, ata shkojnë e vijnë, luajnë kukafshehthi me njëri-tjetrin, tallen në Kuvendin e Shqipërisë – me veten dhe me të tjerët – dhe kështu shtyhen ditët, në këtë rend e në këtë sistem, as mish dhe as peshk. Këtë sapo e shpjeguam (në njëlloj mënyre) edhe me ndërrimin e godinave, destinacioneve, hallkave, të punësuarve… Thuhet se… janë bërë gati dosje, përmendet shteti i madh përtej oqeanit, aleati më i rëndësishëm. Kujtesë. Para disa kohëve, u bë njëlloj zhurme rreth një raporti të OSBE-së; por meqë përmendeshin “emrat më të rëndësishëm të politikës shqiptare” dhe ngase (sipas shpjegimeve me zë të dridhur) “ka qenë një material informues i brendshëm i OSBE-së”, nuk u tërkuz/zgjat shumë çështja. Për të mos krijuar as edhe më të voglin keqkuptim, u tha madje, se “ishte thjesht një grumbullim informacioni nga raportime të medias shqiptare dhe pretendimeve që qarkullonin në publik. Prezenca “nuk e verifikoi informacionin e përdorur, pasi qëllimi i asaj përmbledhjeje ishte pasqyrimi i pretendimeve dhe jo përcaktimi i të vërtetës” (?!) Kurse tani, nga BE, nga SHBA-të, nga të gjitha organizmat perëndimore dhe aleatët, flitet edhe më haptazi, në Shqipëri e gjetkë shkruhet gjithfarë në media; por me sa duket, prapë s’është koha. Institucionet mbeten ende si njëlloj zbukurimi tranzicional; përfshi edhe Veting-un aq të përfolur. Pazëll me fatet e vendit… “Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita/ Gjel rren a s’rren? Cila asht fjala e jote?” (Migjeni: “Nji natë pa gjumë”).
Sigal