Shtypi ushtarak në rrugëtimin e tij

1053
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Përpjekje për fillimet e shtypit ushtarak

Përpjekje për nxjerrjen e shtypin ushtarak u bënë që në qeverinë e Ismail Qemal Vlorës, ku u shtypën rregullore dhe u përcaktuan detyra për problemet ushtarake dhe të Forcave të Armatosura. Por pamje më të mirë dhe të organizuar të shtypit ushtarak mori në kohën e monarkisë, kur filloi të shkruhej. Pas shumë përpjekje në maj të vitit 1931 u arrit që të dilte numri i parë i revistës ushtarake “Buletini dhe e përkohshmja ushtarake”. Kjo ishte e para revistë ushtarake në Shqipëri, gjatë gjithë historisë 19-vjeçare të Ushtrisë Shqiptare. Në faqet e saj zunë vend artikuj të ndryshëm që kishin të bënin për ushtrinë, reformat, organizimin, protagonistët dhe modernizimin e saj. Përpjekje bëheshin dhe në shtypin e ditës, që duhet thënë se ka qenë tepër aktiv për problemet e ushtrisë. Dalja e kësaj reviste u prit mirë, pasi ishte revistë e dedikuar për ushtrisë dhe problemeve të saj, e që dilte për herë të parë në vendin tonë. Misioni i kësaj reviste ishte i natyrshëm që do të pasqyronte, të përhapte dhe pasuronte kulturën ushtarake, në mënyrë të veçantë për kuadrot ushtarakë. Revista dilte një herë në muaj dhe u quajt e përkohshme. Ajo kishte një staf që fillonte me drejtorin, redaksinë dhe administratën, të cilat gjendeshin pranë Komandës së Mbrojtjes Kombëtare. Ajo doli me 24 faqe. Në faqet e kësaj reviste përmblidhej dhe buletini zyrtar, ku pasqyroheshin emërime, transferime si dhe komunikime të ndryshme. Në faqet e saj trajtoheshin problem teorike të ushtrisë, teknike dhe ushtarake si dhe ngjarje dhe lajme të huaja. Në revistë vëmendje u kushtohej armëve të ushtrisë. Në numrin e parë zuri vend mesazhi mbretit A. Zogu, ku porosiste që studimi dhe stërvitja të zënë vend tek ushtaraku. Dalja e revistës shënonte një arritje dhe përparim në zhvillimin e ushtrisë. Drejtor i revistës u caktua Enrico Grazzi, që e drejtoi me profesionalizëm deri në vitin 1933. Më pas u emërua nënkolonel Luigi Bonfatti, deri në 1934, për të vazhduar me major Leonardo Motzo, i cili e drejtoi këtë revistë deri në fund të 1937-s. në vitin 1937 stafi i revistës u ndryshua si dhe emri i saj. “Buletini dhe e përkohshmja ushtarake” arriti deri në 77 numra. Vendin e saj e zuri “Rivista ushtarake” që ishte vazhdim i saj, duke pasur drejtor nënkolonel Sami Koka, duke qëndruar deri në vitin 1939. Revista botoi nga numrat 78-91, dilte me 60 faqe, në gjuhën shqipe. Ajo vazhdoi trajtimin e probleme ushtarake si më parë. Me pushtimin fashist italian, u pushua dhe aktiviteti i saj. Në vitin 1938 doli vetëm një numër revista “Fuqitë e Armatosura të 25-vjetorit”. Revista ishte e ilustruar, me katër faqe, që u botua me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë. Kjo ishte organ i Komandës së Mbrojtjes Kombëtare, me drejtor toger Shaban Strazimiri.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore

Ndërsa në kohës e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri në vitet 1939-1944 dolën gazeta e revista, që ishin në shërbim të fashizmit e nazizmit, si dhe mjaft gazeta antifashiste. Viti 1944 shënon dhe vitin më të bollshëm në botimin e gazetave dhe të revistave ushtarake. Shkurtimisht po pasqyrojmë disa prej tyre që dolën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Risi e re ishte se dolën dhe mjaft buletine të ndryshme, si nga lëvizja nacional-çlirimtare, nga forcat e tjera si dhe nga forcat fashiste e naziste. Të tillë ishin “Bolletino” (1940), “Buletini i jashtëzakonshëm” (1943-1944), “Buletini i luftës nacional-çlirimtare” (1943-1944), “Buletin i përdyjavshëm” (1944-1945), etj. Pati dhe revista si “Krahët e Luftës” (1941-1942), kjo e përdyjavshme, që numri i parë daton më 10 qershor 1941. Ishte një organ siç edhe u quajt i “luftëtarëve të ajrit”. Revista botohej deri në 32 faqe, në shqip gjithsej 26 numra, për të përfunduar në fundin e vitit 1942. Drejtor ishte Amedeo Mecozzi dhe shtypej në Romë. Revista “Liria” doli në Kosovë, duke qenë organ ushtarak i frontit të përbashkët nacionalçlirimtar të Kosovës dhe Metohisë. U botua në dy gjuhë duke trajtuar problem të forcave ushtarake dhe lajme nga lufta. U botua deri nga fundi i vitit 1944. “Mundimi” ishte organ i politik, propagandistik i aviacionit ushtarak britanik e amerikan, botohej e përjavshme me dy faqe. Gazeta më tepër ishte informative dhe botohej në Bari, por shpërndahej në Shqipëri. Ajo doli deri në 38 numra, për t’u mbyllur në vjeshtën e vitit 1944. “Përpara në sulm” ishte gazetë politiko-ushtarake e Brigadës I Sulmuese, me parullën “Në sulm, në zjarr, gjithmonë Brigada e Parë”. Numri i parë doli në shkurt 1944 dhe kishte 26, për të vijuar deri në fundvitin 1945. “Buçitja” ishte organ ushtarako-politik i Brigadës V Sulmuese. Numri i parë doli në prill-maj 1944 dhe u botua në 3 numra. “Ylli çlirimtar”, organ politiko-ushtarak i Divizioni I Sulmues. Doli në qershor 1944 numri i parë vijoi deri në 1945. “Pishtari”, organ politik, ushtarak i Brigadës VIII Sulmuese, me 48 faqe, doli vetëm katër numra dhe trajtonte problemet e luftës. “Zëri i luftëtarit”, organ politik, ushtarak u Brigadës IV Sulmuese, me 20-24 faqe, doli vetëm katër numra. “Horizonti në ndriçim”, organ politik, ushtarak i Brigadës XXII Sulmuese, me 8 faqe, doli vetëm katër numra. “Përpara”, organ politik, ushtarak i Div. II S, me 40 faqe. “Zëri i të riut”, organ politik, ushtarak i Brigadës XII Sulmuese, vijoi edhe në 1945. “Iriqi”, organ satirik, ushtarak i Brigadës VI Sulmuese, me 6 faqe, doli vetëm 2 numra. “Thumbi”, organ satirik ushtarak i Brigadës VIII Sulmuese, me 6 faqe, doli edhe kjo vetëm 2 numra.

Në periudhën moniste

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore edhe në Shqipëri solli ndryshime në formën e organizimit të shtetit. Në pushtet erdhën komunistët, që me luftën e tyre ishin bërë pjesë e Koalicionit të Madh Antifashistë dhe gjithçka e nisën nga e para. Rendi i ri politik, pruri dhe ndryshime në shtypin ushtarak. Që në vitin 1945 dolën dhe organet e para ushtarake. “Luftëtari”, numri i parë doli në tetor 1944 në Tiranë. Gazetë me katër faqe, në të cilën i bëhej jehonë ushtrisë partizane, luftës për çlirimin e Tiranës dhe të vendit. Ndërsa gazeta me këtë emër doli rregullisht që nga maji i vitit 1945, si organ i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare. Gazeta u bë një armë e fuqishme për edukimin politik, ideologjik e ushtarako-profesional, të të gjithë efektivave të Forcave të Armatosura. Kjo gazetë e ka ndryshuar herë pas here formatin, numrin e faqeve, por në thelb mbeti një gazetë ushtarake, më praktika, me probleme të ditës dhe kryesisht ushtarake. Gazeta e pushoi jetën e saj në vitin 1991, në kohën e ndryshimeve të mëdha demokratike që ndodhën në vend, për të vazhduar më tej me ushtrinë. Revista “10 korriku”u botua në vitin 1947, ku doli dhe numri i parë i saj, organ i Ministrisë së Mbrojtjes. Ajo trajtonte probleme të edukimit, të jetës artistike e kulturore, të propagandës dhe të përgatitjes teorike dhe ushtarake të ushtarëve. Revista pati jetën më të gjatë dhe vijoi të dalë deri në nëntor 1991. Revista “10 korriku” ishte një revistë ilustrimi dhe më e afërt me ushtarët dhe më e drejtpërdrejtë. Ndërsa numri i 12 i këtij viti, dhjetor 1991, doli me emrin “Ushtria dhe koha”. “Revista ushtarake” doli në vitin 1948, si organ i Ministrisë së Mbrojtjes. Revista trajtonte probleme teorike ushtarake, fjalime politike, tema dhe biseda për edukimin komunist, tema ndërkombëtare, të miqësisë me Bashkimin Sovjetik, tema historike etj. “Revista ushtarake politike” kishte si mision kryesor trajtimin e problemeve të përgatitjes politike të ushtarëve dhe oficerëve. Kësaj reviste ju shtua fjala “politike”. Prej vitit 1954 deri në vitin 1967 kjo revistë mori emrin “Revista ushtarake politike” (1954-1967). Trajtoheshin probleme në rrafshin politik, në edukimin komunist, në forcimin e ushtrisë dhe të kufijve, dhe mbi të gjitha shërbente si udhëzues për përgatitjen politike të ushtrisë shqiptare. “Revista politike ushtarake” doli në vitin 1967, pas heqjes së gradave në ushtri dhe rivendosjes së komisarëve dhe të komiteteve të partisë në ushtri. Me zbatimin e reformave të marra nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, drejtuesit e revistës menduan që të ishte e përmuajshme, duke i ndryshuar emrin e mëparshëm. Duke bërë si të thuash një rokadë të vogël mes dy mbiemrave revista nga ushtarake politike do të kalonte në politike ushtarake. Kështu në radhë të parë ishte politika, pastaj ushtria, përgatitja fizike e teorike e ushtrisë shqiptare. Revista trajtonte probleme teorike që kishte të bënte me nivelin e lartë të kuadrove ushtarakë dhe politikë si komisarë dhe sekretarë të byrove e të komiteteve të partisë. “Për mbrojtjen e atdheut” nisi veprimtarinë e saj në vitin 1975, pas “shpartallimit të grupeve puçiste” në ushtri, dënimin e ministrit dhe gjithë stafit të lartë ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes, revista mori këtë emër. Revista e mëparshme funksionin e saj politik nuk e kishte luajtur sa duhet dhe “armiku e kishte bërë punën e vet sabotuese” në faqet e saj. Ndaj dhe drejtuesit e rinj ndërruan emrin e revistës teorike, politike, luftarake, ushtarake. Nga viti 1975 deri në vitin 1991, kur pushoi jetën e vet, kjo revistë, kishte emrin “Për mbrojtjen e atdheut”. Në në thelb revista trajtonte po ato probleme dhe mbeti një propaganduse e pastër organeve të partisë për edukimin politiko-ushtarak të kuadrove të lartë.