Shteti i sekserëve

550
Sigal

Nga Artur Ajazi

Ky shtet, pa kurrfarë
mëdyshje mund të quhet sot si “shteti sekserëve”. Kjo, pasi degradimin e
shtetit në shumë mënyra e shkaktojnë edhe sekserët, njerëzit me të cilët
punojnë fshehurazi apo hapur ministrat, zv/ministrat, drejtorët dhe vartësit e
tyre në rrethe. Shteti bie kur atë e qeverisin sekserët, por këtë fakt ata që
qeverisin, e kuptojnë tepër vonë. Sekserët nuk është e vështirë ti takosh në
çdo ministri kur ka tendera, në çdo drejtori dhe dikaster tjetër vendor dhe qendor.
Ky është shteti sekserëve. Kjo jo për faktin se strukturat e kontrollit dhe veçanërisht
KLSH, ka kohë që zbulon, publikon dhe denoncon vjedhjen e hapur të miliona
eurove nga sekserët, por edhe për faktin se këta të fundit, kanë futur sot në
“thes” zyrtarët më të lartë të shtetit. Sekserët realisht janë në krye të
institucioneve, ata drejtojnë dhe kontrollojnë tenderat, investimet, emërimet,
shkarkimet, dhe gjithçka tjetër. Problemet sot i mbaron më shpejt dhe pa asnjë
problem sekseri, ai ka gjithë hapësirën e nevojshme ligjore dhe vepruese.
Shqipëria ka sot mijëra të papunë dhe vendi po kërruset nga papunësia,
varfëria, problemet e shumta sociale, droga, trafiqet, duke patur rrisqe të
mëdha për të ardhmen. Futja e sekserit si palë e tretë, ka prishur dukshëm
imazhin e kësaj qeverie. Sekserë janë kthyer sot edhe ministrat, zv/ministrat,
drejtorët e drejtorive dhe deputetët. Mbi 90 për qind e punësimeve, tenderave,
fondeve të investimeve, dhe llogarive të tjera financiare, kanë për sekser ndonjë
ministër, zv/ministër, drejtor drejtorie, dhe padyshim ndonjë deputet. Miliona
dhe miliarda lekë investime të cilat kjo qeveri i ka lëvruar, dhe pritet ti
lëvrojë për “qendrat e qyteteve”, “rrugët e reja”, linjat e tjera energjetike
dhe ujësjellësit, kanë për sekser kollaret e shtetit. Sekserët sot ndahen në
tre kategori, të parët kanë poste, të dytët kanë mbështetje politike, dhe të
tretët luajnë rolin e robotit, janë ata që marrin dhe japin thasët e parave. Ndryshimet
politike në Shqipëri, sollën pas tyre edhe modën e sekserit, fjalë të cilës
shqiptarët nuk i dinin as emrin dikur. Fillimisht sekseri nisi “punën” me aq sa
dinte, dhe pastaj gjithçka u huazua nga bota. E kishte dhe e ka edhe ajo
sekserin, por tek ne ai ka sot vendin e tij të padiskutueshëm. Askush nuk ka
sot reputacion siç ka sekseri, askush ka sot postin që ka sekseri, nuk të
zgjidh sot hallin dhe problemin tënd në ndërmarrjet dhe institucionet e
shtetit, në organet e drejtësisë, si sekseri. Në realitetin e sotëm shqiptar,
duket sikur gjithçka dhe kudo, jeta ecën me ritmin e sekserit, zgjohesh me
emrin e sekserit, del nga shtëpia me mendjen tek sekseri, kalon 8 orarshin e
punës me sekserin, dhe del në fundjavë duke pritur në telefon sekserin.
Degradimi i drejtimit të shtetit me sekserin ministër, sekserin zv/ministër,
sekserin deputet, sekserin drejtor, është fakti më tronditës që tregon se ky
vend po shkatërrohet nga themelet. Sekseri ka degraduar jetën sociale dhe
shoqërore të shqiptarëve. Kjo situatë shpesh ka alarmuar edhe ndërkombëtarët,
ata që kanë 26 vjet që përpiqen të reformojnë politikën shqiptare, drejtësinë
shqiptare, institucionet shqiptare, të cilat duket sikur përpiqen, por realisht
nuk ndahen kollaj nga veset e vjetra. Sekserizimi i politikës dhe
institucioneve të drejtimit të shtetit, është një kambanë e fortë alarmi për
fatet e vendit dhe fatin e shqiptarëve, një pengesë e fortë e tyre për t’u
bashkuar me familjen e madhe europiane