Shteti, Beqja dhe mjekësia falas

97

Pas denoncimit në “Telegraf”/Përveç skandalit me
rritje-uljen e moshës në
“Check-up”,
koncesioni shtohet edhe me 10 vite

 

Shteti nuk “kap” dot ministrin Beqja, as për të dhënë sqarime për “Çekapin

 

Përparim HALILI

 Heshtja ndaj skandalit të këtij ministri që manifestoi hapur e brutalisht
shpërfilljen ndaj shtetit nuk tregoi “trimërinë” e ministrit, por tregoi se
shteti i leckosur e i llumosur shqiptar është katandisur deri në atë derexhe
turpi, sa nuk ka fuqi të “kapë” këtë ministër të zhytur në korrupsion për të dhënë
shpjegime as për “Çekapin” e jo më, të ndiqet penalisht për shëndetësinë e sakatuar
prej tij, me të cilën “vret” dhe sëmur përditë shqiptarët që nuk kanë as
pushtet, as familjarë pushtetarë dhe as fuqi financiare që të kurohen jashtë
shtetit…

 

 

Shpërfillja e shtetit prej ministrave “simbol rekordi” në korrupsion, ka
shkuar deri në atë skandal, sa ata nuk zbatojnë as detyrimet kushtetuese, duke
mos shkuar në llogaridhënie zyrtare përballë komisioneve parlamentare. Këtë
skandal e “certifikoi” dje ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, i cili
shpërfilli hapur e brutalisht Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, duke mos
u paraqitur atje sipas kërkesës së këtij komisioni, për të dhënë shpjegime
zyrtare lidhur me akuzën e opozitës, për aferën me koncesionin 10 vjeçar të
“Check-up”-it falas në Shqipëri. Kjo kërkesë e komisionit parlamentar, të shëndetësisë,
u bë menjëherë pas denoncimit që “Telegraf” i bëri thellimit të skandalit të
koncesionit të “Check-up”-it në Shqipëri, duke e shtuar moshën e këtij shërbimi
deri në 70 vjeç dhe duke e ulur këtë moshë deri në 35 vjeç, nga mosha 40-65 vjeç
që ishte kur u dha koncesioni, miratuar prej qeverisë me VKM të posaçme, pas propozimit
të bërë prej ministrit Beqja. Siç dihet, ky
koncesion kishte vlerën 120 milionë euro për 10 vite, duke ia dhënë këtë “qokë”
taksash të shqiptarëve biznesit privat të lidhur me kolltukun dhe familjen
“krye-rilindëse”. Këtë ndryshim moshe, ministri Beqja nuk e bëri se ka “merak”
për shëndetin e shqiptarëve, por për të shtuar fitimet e koncesionarit të
“Check-up”-it,
duke shtuar numrin e grup-moshave të personave
që do të përfshihen në
“Chek-up”. Ky
skandal me rritjen dhe uljen e moshës së shqiptarëve që kryejnë shërbimin e
“Check-up”-it,
shton 30% vlerën e koncesionit, më konkretisht edhe
me 36 milionë euro të tjera, që në total e çon vlerën 156 milionë euro për 10
vitet e kohës së këtij koncesioni! Informacione të “Telegraf”, bëjnë me dije,
se përveç uljes dhe ngritjes së moshës së
“Check-up”-it, thuhet, se ky
koncesion do të shtyhet edhe si afat kohor, duke shtuar 10 vite të tjerë, pra në
20 vite!  Kujtojmë,
që ulja dhe rritja e moshës së personave që trajtohen me
“Chek-up”, u
shpall zyrtarisht në “Fletore Zyrtare” Nr. 195,
datë 21 tetor 2016, me VKM
Nr. 721, datë 12.10.2016 “Për përcaktimin e mënyrës së realizimit të kontrollit mjekësor bazë për
shtetasit e moshës 35-70 vjeç”. Ky koncesion ka nisur qysh prej 2 prillit
2014, kur ka nisur kontrolli mjekësor për moshën 40-65 vjeç, sipas të cilit
trajtoheshin 475 mijë persona. Por, sipas të dhënave faktike të denoncuara edhe
nga deputetët e opozitës, rezulton se zbatimi i këtij koncesioni me vlerë 12
milionë euro në vit është zbatuar vetëm në 19% të numrit të personave të
përcaktuar për shërbimin e “Check-up”-it. Tashmë, kjo vlerë do të shtohet edhe
me 30% të vlerës financiare të koncesionit, në zbatim të “qokës” VKM
Nr. 721, datë 12.10.2016 që e “zgjeron” këtë shërbim në moshat 35-70 vjeç”. Këtë skandal të
thellimit të skandalit me “Check-up”-in, të denoncuar nga gazeta “Telegraf”
Komisioni Parlamentar i Shëndetësisë e futi në rend dite, duke thirrur në
mbledhje ministrin Ilir Beqja, për të dhënë sqarime lidhur me aferën e
tenderimit të këtij koncesioni, lidhur me ecurinë e koncesionit në terren dhe
lidhur me arsyet dhe bazën ligjore të rritjes dhe uljes së grup-moshave që do të
përfshihen në “Check-up, ndryshim ky që shton vlerën e koncesionit edhe me 36
milionë euro në 10 vjet, ose me 3.6 milionë euro në vit! Edhe një fakt: Kompania
e shpallur “fituese”nuk ka pasur eksperiencë në shërbimin e “Check-up”-it, deri
ditën që nisi aktivitetin koncesionar. Ministri Beqja nuk ka dhënë shpjegime për
asnjë nga këto abuzime ligjore dhe nuk pranoi të jap shpjegime as dje në
Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, duke mos u paraqitur para deputetëve!
Heshtja ndaj skandalit të këtij ministri që manifestoi hapur e brutalisht
shpërfilljen ndaj shtetit nuk tregoi “trimërinë” e ministrit, por tregoi se
shteti i leckosur e i llumosur shqiptar është katandisur deri në atë derexhe
turpi, sa nuk ka fuqi të “kap” këtë ministër të zhytur në korrupsion për të
dhënë shpjegime as për “Çekapin” e jo më, të ndiqet penalisht për shëndetësinë
e sakatuar prej tij, me të cilën “vret” dhe sëmurë përditë shqiptarët që nuk
kanë as pushtet, as familjarë pushtetarë dhe as fuqi financiare që të kurohen
jashtë shtetit…