Shqiptarët e SHBA votojnë Klinton dhe Suzanna Shkrelin

508
Sigal

Gazeta Telegraf/


Rafael Floqi

Kjo është një pyetje e
ligjshme në këto momente kur pak na ndan nga data e zgjedhjeve. Si në  çdo komunitet emigrantësh ka një farë dyzimi
për vetë faktin e të qenit si komunitete të lidhur si me jetën në Amerikë në
atdheun e dytë ashtu edhe me ndikimin amerikan për vendin e lindjes Shqipërinë
e Kosovën. Por kësaj here dilema e shqiptaro- amerikanëve është edhe ajo mes
vetë amerikanëve, midis ndryshimit dhe vazhdimësisë të politikave: midis të
panjohurës dhe të njohurës, por edhe mes bindjeve të tyre si qenie politike si
nënshtetas amerikanë me interesa dhe nevoja të përmirësimit të jetës së
përditshme e sidomos të klasës së mesme. Në mungesë të një sondazhi të
mirëfilltë mes shqiptarësh, bëra një sondazh të thjeshtë mes miqve të mi me të
cilët ndodhesha së bashku në një veprimtari të fondacionit studentor të bursave
“Skënderbeu”. Miqtë e mi në fjalë ishin intelektualë dhe aktivistë të çështjes
kombëtare nga të gjitha trojet shqiptare. Nuk po i përmend emrat, por mendoj se
mjaft nga përcaktimet e tyre rezonojnë qëndrimet e shqiptaro- amerikanëve.
Miqtë e mi do t’i përcaktoja si të tillë: demokrati besnik, patrioti demokrat,
republikani i zhgënjyer nga Trump, republikani besnik dhe një person pa të
drejtë vote. Sot ndër shumë shqiptarë në SHBA ende kanë një “pëlqim
sentimental” për Klinton, për shkak të rolit që presidenti Klinton pati për
ndërhyrjen e SHBA në Kosovë. Shqiptarët si dhe amerikanët janë të ndarë mes
republikanëve dhe demokratëve. Duke e njohur komunitetin do të ishte naive të
besonim se të gjithë do të votonin të gjithë për një kandidat apo për një
tjetër. Votuesit shqiptarë gjenden në të dyja kampet – të organizuar në qytetet
e tyre – për dyshen Trump-Pence dhe për Klinton-Kaine mjafton të shohësh
tabelat e vendosura në oborret e tyre apo në makina.

We own Clintons

“Po ne i detyrohemi
Klintonëve”. Një djalosh i ri i sapo diplomuar si farmacist i pranishëm në
tryezë, kur ra fjala për zgjedhjet, tha një shprehje në anglisht, që ndoshta
është proverbiale për qëndrimin e shumicës së shqiptarëve në këto zgjedhje. “We
own Clintons”. Që përkthyer lirshëm do të thotë Klintonët janë tanët. Nuk besoj
të ketë një statujë për Klintonin diku, por në Sarandë gjendet. “Shqiptarët i
kanë mbështetur gjithnjë Klintonët dhe kanë arsye të mirë për ta bërë këtë”,
tha ai. Simpatia e tyre lidhet me veprimin e Klinton për të mbrojtur shqiptarët
e Kosovës nga represioni i ashpër i Serbisë nën sundimin e Millosheviçit në
1999, kur shqiptarët në Kosovë kërkonin pavarësi. Shumë shqiptarë besojnë se Klinton
e ka çuar përpara trashëgiminë e mbështetjes së Kosovës gjatë mandatit të saj
si Sekretare e Shtetit në administratën e Obamës. I vetëdijshëm për këtë
mbështetje, Klinton, i shoqëruar nga kongresmeni i Nju Jorkut Engel, një
mbështetës i çështjeve shqiptare dhe Mark Gjonaj, një politikan
shqiptaro-amerikan në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut, zhvilluan në Nju Jork
në prill për të bërë fushatë te shqiptarët për zgjedhjen e “Hillary për
Presidente”. Në tetor 2015, Klintonët mbajtën dy evente për mbledhje fondesh në
Nju Jork dhe Connectikat të organizuara nga filantropët dhe biznesmenët
shqiptarë.

Për hir të Shqipërisë
do të votoj për Klintonin

Ai është një mësues
shqiptar historie nga Tirana i konvertuar në protestant dhe ai ende mendon se
parimet morale të republikanëve duhet të mbeten. Ai është kundër martesave gay
dhe disa qëndrimeve të demokratëve. “Unë jam për një parti republikane e fortë
dhe për një líder si tipi i Reganit. Ai e njeh mirë sistemin elektoral
amerikan. Që kur isha në moshë të re në Shqipëri dhe ndiqja TV italian, RAI,
shpjegon ai mbaj mend fjalimin e Reganit ‘Gorbaçov, shembe këtë mur’ dhe
mendoja dhe pse isha i ri se ai do t’ia arrinte të rrëzonte komunizmin dhe ia
arriti”. Ai në zgjedhjet parake republikane mbështeste Kasich si një
konservator ekonomik, me politika liberale në ekonomi, por profili dhe sjellja
e Trumpit binte ndesh me imazhin e tij për moralin dhe për liderin dhe parimet
e tij morale. Tani ai thotë se po zgjedh të keqen më të vogël po voton për Klinton,
me gjithë gafat e mëdha qe ka bërë dhe skandalet e emaileve. Ai nuk beson që
Tump është aq i përgjegjshëm sa të ketë butonat e armëve bërthamore në dorë.
“Nuk më mbetet gjë tjetër, veç të votoj për Klintoni”, shpjegon ai qëndrimin e
tij. Pasi ajo është zgjidhja më pro Shqipërisë”. Me gjithë qëndrimet e ndryshme
të gjithë janë patriotë. Dhe është pikërisht ky republikan i zhgënjyer një nga
organizatorët e një mbledhje fondesh në një restorant shqiptar për kandidaten
demokrate Suzanna Shkreli ku shqiptaro-amerikanët mblodhën gati 30 mijë
dollarë.