Shqiptarët e SHBA votojnë Klinton dhe Suzanna Shkrelin

566
Sigal

Rafael Floqi

Kjo është një pyetje e ligjshme në këto momente kur pak na
ndan nga data e zgjedhjeve. Si në  çdo
komunitet emigrantësh ka një farë dyzimi për vetë faktin e të qenit si
komunitete të lidhur si me jetën në Amerikë në atdheun e dytë ashtu edhe me
ndikimin amerikan për vendin e lindjes Shqipërinë e Kosovën. Por kësaj here
dilema e shqiptaro- amerikanëve është edhe ajo mes vetë amerikanëve, midis
ndryshimit dhe vazhdimësisë të politikave: midis të panjohurës dhe të njohurës,
por edhe mes bindjeve të tyre si qenie politike si nënshtetas amerikanë me
interesa dhe nevoja të përmirësimit të jetës së përditshme e sidomos të klasës
së mesme. Në mungesë të një sondazhi të mirëfilltë mes shqiptarësh, bëra një
sondazh të thjeshtë mes miqve të mi me të cilët ndodhesha së bashku në një
veprimtari të fondacionit studentor të bursave “Skënderbeu”. Miqtë e mi në
fjalë ishin intelektualë dhe aktivistë të çështjes kombëtare nga të gjitha
trojet shqiptare. Nuk po i përmend emrat, por mendoj se mjaft nga përcaktimet e
tyre rezonojnë qëndrimet e shqiptaro- amerikanëve. Miqtë e mi do t’i përcaktoja
si të tillë: demokrati besnik, patrioti demokrat, republikani i zhgënjyer nga
Trump, republikani besnik dhe një person pa të drejtë vote. Sot ndër shumë
shqiptarë në SHBA ende kanë një “pëlqim sentimental” për Klinton, për shkak të
rolit që presidenti Klinton pati për ndërhyrjen e SHBA në Kosovë. Shqiptarët si
dhe amerikanët janë të ndarë mes republikanëve dhe demokratëve. Duke e njohur
komunitetin do të ishte naive të besonim se të gjithë do të votonin të gjithë
për një kandidat apo për një tjetër. Votuesit shqiptarë gjenden në të dyja
kampet – të organizuar në qytetet e tyre – për dyshen Trump-Pence dhe për
Klinton-Kaine mjafton të shohësh tabelat e vendosura në oborret e tyre apo në
makina.

We own Clintons

“Po ne i detyrohemi Klintonëve”. Një djalosh i ri i sapo
diplomuar si farmacist i pranishëm në tryezë, kur ra fjala për zgjedhjet, tha
një shprehje në anglisht, që ndoshta është proverbiale për qëndrimin e shumicës
së shqiptarëve në këto zgjedhje. “We own Clintons”. Që përkthyer lirshëm do të
thotë Klintonët janë tanët. Nuk besoj të ketë një statujë për Klintonin diku,
por në Sarandë gjendet. “Shqiptarët i kanë mbështetur gjithnjë Klintonët dhe
kanë arsye të mirë për ta bërë këtë”, tha ai. Simpatia e tyre lidhet me
veprimin e Klinton për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga represioni i ashpër
i Serbisë nën sundimin e Millosheviçit në 1999, kur shqiptarët në Kosovë
kërkonin pavarësi. Shumë shqiptarë besojnë se Klinton e ka çuar përpara
trashëgiminë e mbështetjes së Kosovës gjatë mandatit të saj si Sekretare e
Shtetit në administratën e Obamës. I vetëdijshëm për këtë mbështetje, Klinton,
i shoqëruar nga kongresmeni i Nju Jorkut Engel, një mbështetës i çështjeve
shqiptare dhe Mark Gjonaj, një politikan shqiptaro-amerikan në Asamblenë e
Shtetit të Nju Jorkut, zhvilluan në Nju Jork në prill për të bërë fushatë te
shqiptarët për zgjedhjen e “Hillary për Presidente”. Në tetor 2015, Klintonët
mbajtën dy evente për mbledhje fondesh në Nju Jork dhe Connectikat të
organizuara nga filantropët dhe biznesmenët shqiptarë.

Për hir të Shqipërisë do të votoj për Klintonin

Ai është një mësues shqiptar historie nga Tirana i konvertuar
në protestant dhe ai ende mendon se parimet morale të republikanëve duhet të
mbeten. Ai është kundër martesave gay dhe disa qëndrimeve të demokratëve. “Unë
jam për një parti republikane e fortë dhe për një líder si tipi i Reganit. Ai e
njeh mirë sistemin elektoral amerikan. Që kur isha në moshë të re në Shqipëri
dhe ndiqja TV italian, RAI, shpjegon ai mbaj mend fjalimin e Reganit ‘Gorbaçov,
shembe këtë mur’ dhe mendoja dhe pse isha i ri se ai do t’ia arrinte të
rrëzonte komunizmin dhe ia arriti”. Ai në zgjedhjet parake republikane
mbështeste Kasich si një konservator ekonomik, me politika liberale në ekonomi,
por profili dhe sjellja e Trumpit binte ndesh me imazhin e tij për moralin dhe
për liderin dhe parimet e tij morale. Tani ai thotë se po zgjedh të keqen më të
vogël po voton për Klinton, me gjithë gafat e mëdha qe ka bërë dhe skandalet e
emaileve. Ai nuk beson që Tump është aq i përgjegjshëm sa të ketë butonat e
armëve bërthamore në dorë. “Nuk më mbetet gjë tjetër, veç të votoj për Klintoni”,
shpjegon ai qëndrimin e tij. Pasi ajo është zgjidhja më pro Shqipërisë”. Me
gjithë qëndrimet e ndryshme të gjithë janë patriotë. Dhe është pikërisht ky
republikan i zhgënjyer një nga organizatorët e një mbledhje fondesh në një
restorant shqiptar për kandidaten demokrate Suzanna Shkreli ku
shqiptaro-amerikanët mblodhën gati 30 mijë dollarë.

(Marrë me shkurtime)