Shqiptarët e kanë pasur traditë mbajtjen e armëve, si mjet që dallonte burrërinë mashkullore

664
Alfred Moisiu 
Sigal

(President i Republikës 2002-2007)

Problemi i çarmatimit të mos shihet si veprim në shërbim të politikës, por si një impenjim mbarë shoqëror
Shqiptarët e kanë pasur traditë mbajtjen e armëve, si mjet që dallonte burrërinë mashkullore
FORUMI CIVIL vendosi ta organizoj këtë tryezë për problemin e çarmatimit, jo thjesht në përkrahje të nismës qeveritare për të arritur realizimin e kësaj detyre si një qëllim politik, por mbi të gjitha nga shqetësimi si qytetarë të këtij vendi për një problem kaq madhor i shkaktuar si pasojë e vitit të çmendur 1997, kur njerëzit, me mungesë totale të arsyes, u turrën në hapjen e depove të ushtrisë duke rrëmbyer armatimin e shumtë që dispononte Ushtria Shqiptare në pikat e hapjes dhe depot e saj. Kjo marrëzi njerëzore, për fat të keq e frymëzuar politikisht, ka sjellë si pasojë vdekjen dhe masakrimin e qindra dhe mijëra qytetarëve shqiptarë edhe për arsyet më banale. Pra, dua të theksoj se problemin e çarmatimit ne nuk e shohim si një veprim në shërbim të politikës, por si një impenjim në shmangien ose uljen të probabilitetit të kryerjes së krimeve me armë dhe aksidenteve që po ndodhin tek ne gati çdo ditë. Pra si e tillë mendoj se është shumë e rëndësishme që kjo fushatë, e cila është zhvilluar disa herë në vendin tonë, të mos shihet si një aksion i momentit por si vazhdimësi e zgjidhjes së një problem, që për fat të keq deri tani, asnjë qeveri e majtë apo e djathtë nuk ka mundur ta çojë deri në fund. Ndonëse, pas vitit 1997 ka pasur përpjekje të konsiderueshme, të mbështetura fuqishëm edhe nga OKB, për të mbledhur armët, municionet dhe mjetet e tjera plasëse, por sasia e rrëmbyer nga depot ushtarake ka qenë aq e madhe, sa që asnjëherë nuk ka qenë e mundur që të mblidhet gjithë armatimi që ndodhej në duart e njerëzve. Në vitet 2000-2002 SHSHA, që në atë kohë drejtohej nga unë, në bashkëpunim me UNDP ka organizuar tre konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, dedikuar këtij problemi. Edhe pse dihet që, shqiptarët e kanë pasur traditë të hershme mbajtjen e armëve jo vetëm për qëllime vetëmbrojtje, por edhe si mjet që dallonte burrërinë mashkullore, sot në botën e qytetëruar evropiane kjo traditë është e pakuptueshme. Qeveritë shqiptare pas vitit 1997, me radhë janë përpjekur që ta grumbullojnë armatimin, dhe është bërë goxha punë. Nga një statistike e mesit të viteve ‘90 (1996), e Ministrisë së Mbrojtjes bëhej e njohur se kjo Ministri kishte ne evidencat e magazinimeve të saj një numër prej rreth 600 000 mijë armë të lehta, si armë automatike (kallashnikov), gjysmë automatike (karabina), pushkë (të tipave dhe prodhimeve të ndryshme) dhe pistoleta. Pas vitit 1998 u organizua një proces i mbledhjes së këtyre armëve, i cili vazhdoi gjer aty nga viti 2003-2004. Për këtë qëllim pranë institucionit të Ministrisë së Rendit u ngrit edhe një strukturë e cila merrej posaçërisht me këtë mision. Nga raportimet e bëra dhe statistikat e përafërta të asaj kohe, nga struktura përkatëse që u ngrit pranë Ministrisë së Rendit, përllogaritej se gjer në fund të vitit 2004, duhet të ishin mbledhura gati gjysma e këtij armatimi apo diçka më shumë. Për rrjedhim llogaritej se diçka më pak së gjysma e numrit të armatimit të mësipërm mbetej ende në duart e popullsisë. S’ka dyshim se një pjesë e këtij armatimi është tregtuar nga trafikantë klandestinë jashtë vendit. Nuk dimë gjithashtu se ç’pjesë e tij është demontuar apo shitur jashtë institucionalisht, ashtu sikundër nuk dihet se ç’sasi armatimi është futur ilegalisht nga jashtë, brenda vendit. Duke marrë me rezervë çdo lloj shifre dhe llogarie, në çdo rrethanë duhet të kuptojmë qartë se në duart e popullsisë tonë mbeten një sasi mjaft e madhe armatimi. Edhe sikur të shkojmë në minimumet e saj, të shumës fillestare prej 600 000 armësh, nuk përjashtohet që ende të jenë në qarkullim qoftë edhe një e katërta e kësaj shume. Por mos harrojmë që nga depot e ushtrisë janë marrë jo vetëm armë, por edhe eksploziva, kapsolla e fitila të ndryshëm, granata të llojeve të ndryshme dhe një sasi e madhe municioni të këmbësorisë e të tjera lloje materiale plasëse të rrezikshme për jetën e njerëzve. Pra në çdo rrethanë, e në çfarëdo lloj shifre qoftë armatimi, treguesit na thonë se ai përbën një rezervë potenciale me rrezikshmëri mjaft të madhe sociale, një burim potent për kriminalitetin. Kështu pra në këto kushte është më se e domosdoshme, që të ketë një shqetësim dhe mendim institucional, qoftë edhe vetëm për praninë fizike të kësaj fuqie vdekjeprurëse. Specialistët ushtarake, të rendit, politologët, sociologët, psikologët dhe juristët e të tjerë duhet të mobilizohen për t’i ofruar politikbërësve dhe programeve qeveritare projekte urgjente për evakuimin nga duart e popullsisë të kësaj të keqeje që kërcënon vetëm pasiguri, destabilitet, violencë dhe jetë njerëzore. Sigurisht kjo kërkon një organizim shumë serioz mbarëkombëtar e mbarëshoqëror. Por ama çarmatimi nuk është një problem i panjohur për vendin tonë. Që në fillimet tona, i njohur si çarmatim i organizuar, është ai i vitit 1922. Megjithëse shteti shqiptar i asaj kohe ishte ende mjaft i ri, ende i organizuar keq dhe pa përvojë e ndjeu domosdoshmëri të dorës së parë ta kryente këtë detyrë dhe megjithë rrëmujën e kohës nuk e kreu keq. Sipas statistikave të kohës, gjatë atij procesi në vend, u mblodhën 34140 armë krahu, që është shumë arritje e madhe, kur Shqipëria nuk kishte as një milion banorë. Për të pasur sukses në këtë detyrë është e domosdoshme që edhe pushteti vendor, si dhe gjithë pjesa e shëndoshë e shoqërisë duhet të merren më seriozisht me këtë problem. Është gabim që të konsiderohet se kjo është një çështje vetëm e policisë. Ky problem duhet të jetë i të gjithëve, pasi të gjithë ndjehemi jo të sigurt nga kjo sasi e paimagjinueshme armësh dhe mjete plasëse që ndodhet në duart e njerëzve të pandërgjegjshëm dhe të dhunshëm. FORUMI CIVIL 2010 i bën thirrje gjithë shoqërisë shqiptare, që të angazhohet seriozisht për ta kryer deri në fund këtë mision. Asnjë njeri, asnjë forcë politike serioze dhe strukturë shoqërore nuk duhet ta ndjejë veten jashtë kësaj detyre. Në të njëjtën kohë edhe drejtuesit fetarë gjithashtu nuk duhet ta ndjejnë veten të huaj. Këta nuk duhet ta quajnë këtë detyrë vetëm të tjerëve. Bëhet fjalë për një veprim që sjell ruajtjen e jetëve njerëzore, për të cilat çdo fe në emër të Zotit përgjigjet. Fetarët duhen ftuar për të kontribuar jo si mbështetës politik, por si njerëz që duan paqen, jetën dhe mirësinë midis njerëzve. Kam mendimin se krahas masave për grumbullim është e nevojshme që Kuvendi i Shqipërisë të nxjerrë ligje të tilla, që pas kësaj fushate ata që do të guxojnë të mbajnë armatim në mënyrë të jashtëligjshme të ndëshkohen në mënyrë të tillë që askush të mos mendojë të veprojë kundër ligjit. Sikurse e shikoni, këtu janë ftuar për të shfaqur mendimin dhe për të paraqitur propozimet dhe masat e duhura për ta realizuar sikurse duhet këtë detyrë. Uroj që kjo të mos jetë një fushatë e radhës, por një nismë që të pastrojë vendin tonë nga kjo gjëmë me qëllim për ta bërë jetën e shqiptarit më të sigurt dhe më të qetë. Uroj që këtë radhë kjo të çohet realisht deri në fund dhe të mos kënaqemi vetëm me disa shifra me qëllim propagandistik, sikurse për fat të keq ka ndodhur deri tani. Uroj që thirrja nga kjo tryezë të mirëkuptohet dhe të mbështetet nga të gjithë shoqëria shqiptare, pa folur për strukturat shtetërore.