Shqipëria po mbytet, politikanët tanë po krihen…

607
Bardhyl Berberi 
Shikoj çdo ditë në media lajme se si ujërat dhe dalja e Vjosës e Devollit nga shtrati po përpijnë Shqipërinë. Që nga Kryeministri e deri tek ministrat dalin nëpër debate televizive dhe fajin e kalojnë tek bizneset që nuk kanë marrë masa. Nuk gjeta asnjë fjalë për njerëzit e dëmtuar as edhe se deri kur këta fatkeq do të jenë viktima të përmbytjeve. Flitet për udhëtimin e kryeministrit me Bashën drejt Brukselit, flitet për një darkë, për takime, korrupsion, por edhe për shpenzime marramendëse dhe nuk flitet, as për fatkeqësitë e fakir fukarasë që po noton në ujë, as për varfërinë që është ulur këmbëkryq, as për të sëmurët që po vdesin nëpër spitale pa ilaçet e tyre, nuk flitet as për numrin e njerëzve që po largohen si emigrantë nga vendi i tyre, nuk flitet as edhe për gjënë më të vogël që s’do të habiste askënd. Kjo shoqëria jonë e shushunjave gjakpirëse që mendojnë ditë e natë vetëm për shalët e femrave seksi, për kontot e tyre bankare, për krevatet e moteleve të mbushura me petale trëndafilash ku mund të dërgojnë aty sekretaret, dashnoret, vejushat e dëshpëruara, e deri tek vajzat e tyre që shëtisin nëpër rrugët e Shqipërisë me makinat luksoze të baballarëve hajdutë të dhjamosur me paratë e vjedhura nga tenderët dhe koncesionet. Kjo punë nuk do shumë mend, kur sheh Kryeministrin që përfaqëson Shqipërinë me atlete, kur sheh ministrat që kohën e kalojnë më shumë në avion se sa në zyrë, kur sheh Lulzim Bashën duke bërë kokrrën e qejfit dhe pseudo-opozitën me lojë fjalësh pa bukë, të cilit i ka dalë boja. Dhe, nëse punët tek ne shkojnë çorap, është fakt që ne nuk kemi një opozitë të vërtetë. Duke parë disa deputetë, që mendojnë çdo sekondë për të ardhmen e karriges së tyre me strategji lëvizjesh sipas interesit të tyre për të vendosur nëpër poste, nëpër rrethe, jo njerëzit e duhur që bëjnë punën, por ata që ua do puna atyre. Por në mes të kësaj amullie e çorodie ka disa pseudo komentatorë që hedhin teza anti kombëtare, se shqiptarët nuk paskan aspak lidhje me Ilirët por me serbët!? Sulmohet Skënderbeu, vlera jonë kombëtare. Hidhet vetëm baltë ndaj emblemave të kombit tonë. Këta mjerane nuk e dinë se shqiptarët janë pasardhës të Pellazgëve, Dardanëve, Ilirëve, Arbërve. E nëse shohim pak më tutje se si shpërthejnë ujërat dhe përmbytet gjysma e Shqipërisë nga diga, argjinatura dhe rrjete të amortizuara apo prej rrjeteve të punuara me cilësi të dobët, ku tenderët apo koncesionet jepen nëpër kushërinj, familjar, fis apo shoqëri, që në të shumtën e rasteve dalin kompani fantazma… Atdheu po mbytet dhe ju po bëni qejf, mbase këtë keni dëshiruar me kohë. Që të shihni një Shqipëri të fundosur, dhe të përbaltur të copëtuar të shkatërruar, pa njerëz nëpër këmbë që t’ju bezdisin apo t’ju pengojnë në masakrën tuaj. Ju hajdutë që festoni shend-e-verë, pushime luksoze nëpër kryeqytetet e Evropës apo në vende ekzotike me dashnoret tuaja, që harroni se Shqipëria iu përket shqiptarëve dhe jo hajdutëve . Dita do t’ju vijë dita herët a vonë dhe deri atëherë bëni edhe pak qejf, vazhdoni! Por e keni të shkurtër, se prokurorët dhe gjyqtarët që flinin mbi dosjet dhe ju shpëtonit me lugë në brez po mbledhin sendet personale të largohen nga zyrat, ata i pret sita e Vetingut. Sinoptikët po parashikojnë për ju delenxhinj, ditë të vështira, madje shumë të vështira …
Sigal