Shpendi TOPOLLAJ/ Vehap Xhindoli, njeriu ku mendja dhe forca bashkohen në një të vetme

661
Sigal

Shkrimin tim të dikurshëm për Vehap Xhindolin dhe librin e tij, “Proverba dhe fjalë të moçme franceze”, nuk e di pse e pata mbyllur me urimin që ai, të mos kishte fatin e nipit të Sizifit, Belerofontit, të cilit nga bëmat e tij të suksesshme, ju rrit mendja dhe teksa fluturonte me Pegasin e tij për në Olimp, me urdhër të Zeusit, ju tërbua kali dhe ra në tokë, duke i dhënë kështu shkas Sofokliut dhe Euripidit për ta pasqyruar në veprat e tyre.

Por Vehapi, duke mos e harruar për asnjë çast atë këshillën e iluministit gjerman me orientim nga klasiçizmi francez, Gottold Efraim Lesingut se: “Të gjithë njerëzit e mëdhenj janë të thjeshtë”, mbeti përherë po ai simpatiku i qeshur dhe i dashur, i urtë dhe i gjindshëm me këdo e për këdo, aq sa jo vetëm po fluturon i sigurt me atë kalë me krahë në qiellin tonë të kulturës, por dhe do të ndihesha fajtor sikur të mos i vija për t`i thënë dy fjalë përgëzimi plot sinqeritet, tani që ai po paraqet librin tjetër “Fjalor i fjalëve të urta angleze”, botim i shtëpisë botuese “FLESH”.

Duke na prurë urtësinë e një populli të vjetër dhe me shumë histori, ne shohim me kënaqësi se shumë gjëra i kemi të përbashkëta me ta. Kjo trashëgimi, ndofta flet shumë më tepër se disa leksione akademike mbi faktin se edhe ne shqiptarët, nuk kemi qenë aspak një popull i paditur. Përkundrazi, duke përngjasuar në proverba me një vend që dominonte politikën botërore, një vend që u quajt “Mbretëresha e deteve”, një vend që nuk e pushtoi dot as vetë Napoleon Bonaparti dhe që dha aq kontribut në fitoren mbi fashizmin dhe për të cilin po të shfletosh enciklopedinë thuhet se: “Letërsia, arti dhe shkenca britanike zënë një vend nderi në thesarin e kulturës evropiane dhe asaj botërore”, kemi dhe të drejtë të jemi krenar.

A. S. Pushkini, gjurmimin e fjalëve të urta dhe mendimet e njerëzve të shquar i quante një shkencë më vete, ashtu sikurse dikush tjetër, mësonte se me to duhet të nisë dituria.

Njerëzit, në masa të ndryshme, nuk kanë mundur të shpëtojnë tërësisht nga robëria e paragjykimeve. Ndaj edhe sot e kësaj dite, dikush habitet kur mëson se filan sportist ka botuar një libër me poezi, me tregime a ndonjë roman. Por, për një sy të vëmendshëm, si ai i mjeshtrit Agron Haxhihyseni, Vehapi me kohë “recitonte poezitë që kishte përkthyer një natë më parë, tregonte histori mbi kulturat e popujve të tjerë që as në hartë nuk na lejonin t`i shihnim…” Këtë të vërtetë unë e kam përjetuar edhe vetë, kur aty nga fillimi i viteve ‘60- të e mbaj mend kolosin Vehap Xhindoli të shtrirë në shpinë në krevatin e tij, atje te fjetorja pranë palestrës së shkollës së oficerëve në Tiranë, me librin para dhe me një nënqeshje kënaqësie që përftonte nga ajo që ishte shkruar në të.

Edhe pse Vehapi ishte sportisti me rezultate absolute, dhe që me emrin e tij mbusheshin faqet e gazetave, ai përsëri mbeti personifikim i edukatës qytetare dhe i respektit proverbial për shokët. Kjo ishte dhe arsyeja që ata e nderonin pa masë atë, por kjo ishte edhe arsyeja që trajnerë dhe drejtues të klubit Sportiv “Partizani” si legjendari Ali Kastrati me shokë e dëgjonin dhe vlerësonin fjalën e tij, gjë që ka mbetur e paprekur edhe sot e kësaj dite. Njëkohësisht, vullneti dhe kultura e gjerë e tij, që kishte nisur qysh në vogëli, janë dhe arsyeja e mësimit të disa gjuhëve të huaja, ç`ka i krijoi mundësinë e shijimit dhe njohjes të veprave të autoriteteve letrare botërore në origjinal. Kuptohet, se, mençuria dhe përvoja e që gjeti atje, i lanë mbresa të pashlyeshme, por dhe e ndjeu si detyrë intelektuale sistemimin dhe përhapjen e tyre. Nisi të botojë Vehapi, duke ruajtur lavdinë që kish fituar si sportist, për të mos thënë; duke e çuar më tej atë. Por gjithsesi, duke mbetur po ai, Vehapi i mirë e zemërmadh.

Një ditë, i shoqëruar nga Vehapi, kur rrebeshi i shiut nuk kishte të pushuar, isha këtu në Elbasan për të marrë një certifikatë. E më shumë se bezdia dhe stërzgjatja e shiut, po na mërziste e sorollaste bezdia e burokracisë për një veprim fare të thjeshtë. Për bela, duke pritur në radhë, nuk kishim as ku të fusnim kokën. Iu luta disa herë që të ikte ai të paktën. Por jo! I bërë kokë e këmbë qull, vazhdonte të qëndronte mes shiut të ftohtë, si një statujë mermeri e pa lëkundur. I dukej se do të bënte ndonjë sakrilegj, sikur të më linte vetëm. Pastaj, kur më çoj me atë motorin e tij te stacioni dhe priti gjersa autobusi u nis për në Durrës, mua më erdhën ndërmend fjalët e Bontempelit se: “Njeri me të vërtetë i shquar, mund të jetë vetëm ai që është i aftë të mbetet i zakonshëm edhe në veprimet e përditshme.”

   Dhe ne shokët e tij e dimë mire, se Vehapi nuk shtiret, por është i natyrshëm. Ai orientohet nga formimi i tij i brendshëm i cili është ndërtuar vetëm me gurët e shkëlqyer të virtytit. Tek e fundit, kjo është pjesë e qenësishme e diturisë së tij, dituri e cila sikurse e ka përzgjedhur edhe vetë ai për ta përfshirë në një fjalë të urtë në këtë libër, vlen më shumë se forca. Dhe mendoni se ku arrin kjo, kur këto të dyja, siç ndodh te Vehap Xhindoli, bashkohen në një të vetme: ato janë garanci se ai do të fluturojë mbi “kalin e frymëzimit” i sigurt drejt Olimpit tonë letrar.