Shpendi TOPOLLAJ / Kur letërsia plekset bukur me historinë

649
Sigal

Krijimtaria e shkrimtarit tonë shumë të talentuar Viktor Canosinaj është autor i disa romaneve, të cilët heshtja nuk i ka lënë që të shkëlqejnë sa duhet në qiellin e rrëmujshëm të letrave shqipe. Me vlera të padiskutueshme është dhe romani i porsadalë nga shtypi “Mallkimi i grave”, i cili duke trajtuar ndodhi nga koha e Ali Pashë Tepelenës, rreket të merret me historinë, por pa e lënë atë që t`i marrë frymën krijimtarisë së mirëfilltë letrare. Autori Viktor Canosinaj nuk i vërtit ngjarjet rreth këtij burri që me të drejtë e kanë quajtur Luani i Tepelenës. Ai ka hulumtuar dhe na përshkruan kohën, duke shpërfaqur rolin që luajtën në to dy luanesha, nëna e Ali Pashait, Hankua dhe Shanikua, motra e tij…. Ajo që të bën përshtypje është ndjenja e pashuar dhe e pakontrolluar e Hankos dhe Shanikos për t`u punuar deri grave të atij fshati, qindin, pa ndjerë pikën e mëshirës a keqardhjes, a thua se ato janë vetë Erinia Tisifonë që kërkonte shpagim dhe fuste armiqësi që çonin në luftë popuj të tërë. Shanikua, në ekstazë e sipër, teksa i sheh femrat e atij fshati nën këmbët e saj, u thotë me mllef: “Ma morët të keqen o gardhiote, ju lashë të gjithave kryezbathur e pa nder. Nuk do të mblidheni më në vatra e nuk do ndizni zjarr në konak. Jua shova pishën njëherë e përgjithmonë. Burrat jua hanë korbat. Edhe ju ashtu si ta do mbeteni; pa varr e pa mëkresë, do ngordhni në dhera të huaj. Më lehtësoi haka që mora mbi ju…”  Po si i ka përzgjedhur autori personazhet e këtij romani? Se Hankua ndërkohë ka vdekur. Ndaj ai e ngre nga varri si fantazmë, ashtu sikurse Persefoni (Herakliu) kishte risjellë në jetë Admetin, burrin e vdekur të Alkestës. Këtë bën edhe në raste të tjera, deri sa aty kuvendojnë edhe korbat si në balada, edhe vetë fshati që s`ka gojë, edhe kapedani i mirditorëve, edhe i dërguari i sulltanit Idar efendiu. Dhe fundja, ky është arti në dallim nga historia. Por a mos vallë shkrimtari është mjaftuar vetëm me mallkimet e dy grave dhe me mizoritë e hakmarrjes? Jo! Gjatë shtjellimit të romanit dalin një sërë problemesh, nga ato që nuk na u ndanë kurrë.  Vetë Hankua, por dhe e bija Shanikua, nuk është se janë të papërlyera. Qejflesha, për të mos thënë të pangopura, ato paradoksalisht, kërkojnë t`u vihet nderi në vend nga Aliu që e nxisin me të gjitha mënyrat t`u bjerë gardhiotëve. Konseguente në këtë qëllim, me një brengë të thellë sa një pus, sikurse shprehet autori, ato ditë e natë kujtojnë dhe mallkojnë. Dhe çfarë mallkimesh! Mallkime që vetëm Viktori e di se ku i ka mbledhur, thuajse e ka kaluar jetën mes plakave të Jugut si 90 -vjeçarja Mediha Xhenete Lunxhëria dhe pleqve 117- vjeçarë si Maman Baruti. Le që në kohën për të cilën po flasim, nuk para ndryshonin shumë gratë nga burrat. Në qoftë se burrat si ai çobani që teksa i afrohej këmbadoras çitjaneve të Hankos, kur mori një thikë në fyt prej saj, blegërinte me zë të trashë si dash apo dikush tjetër e kishte fytyrën të ashpër e të thatë si dru ulliri (shihni krahasimet) gratë mbarsen me burrat e vdekur (ç`lemeri) dhe shumë – shumë ndonjëra prej tyre, si Shegush hanëmja që dilte mbi kryet e burrave për nga gjatësia, po plaste nga marazi që e mundonte qysh nga vajzëria që një herë, vetëm një herë, të dilte në shesh zbuluar si gratë e Frankistanit. Vetë Ali Pashai, sidoqë trim i çartur, përsëri e kishte një frikë; nga dhëndri i mbesës, por edhe nga dy djemtë e së motrës, druhej se mos komplotonin dhe i zinin vendin. Ndaj dhe mjekët e Janinës, nuk e gjenin dot shkakun e vdekjes së njërit prej tyre. Kur e mëson e motra, Shanikua, të vërtetën, mallkon edhe atë: “Qen o vëlla,.. E pësofsh prej tyre (djemve të tij) dhe prej nipave insh`Allah!” Dhe “Në jetën e saj nuk kishte mallkuar kurrë me aq shpirt sa atë ditë.”  Të gjithë protagonistët e këtij romani, edhe ata që nuk zënë ndonjë peshë të madhe, sepse të kujtojnë diçka mitologjike. Veçanërisht kur vdesin.  Margerit Jursenar tek “Adriano” e ke thënë bukur: “Le të kërkojmë të shkojmë drejt vdekjes syhapur”… Ndaj dhe si e mbaron së lexuari këtë libër, pavarësisht ndodhive shpesh edhe mizore apo mangësive të shqiptarëve të asaj kohe, në mendje nuk të mbetet mendimi se ky popull do të ketë tërë jetën telashe me dhunën, por diçka tjetër, shumë më e rëndësishme: “Stambolli i vërtetë është në Janinë.” Viktor Canosinaj, ka ditur që me zgjuarsi ta fusë lexuesin në atmosferën e kohës. Mentaliteti, psikologjia, zakonet, folklori, kënga etj. ndihmojnë për këtë. Por mendoj se më shumë se gjithçka, kohën në këtë roman e sjell besnikërisht gjuha e përdorur. Autori është njohës i mirë i saj. Për më tepër, ai vë me sukses dhe në harmoni të plotë përballë njëra – tjetrës dy dialektet. Ai veriori, përfaqësohet nga e folura e kapedanit të mirditorëve, të cilët i ruajnë të paprekura jo vetëm të folurën, por edhe zakonet kanunore, duke mos pranuar as të qëllojnë mbi gra e as vrasin burra të çarmatosur. Canosinaj, gjuhën e përdorur e ka pasuruar me një tog fjalësh thuajse të reja si: fatkeqësoj, burrëvdekura, bamirëtore, thashethemnoi, kryekcyem, kusaruar, mermerosën, qyqëroj, aromonte, u zezua jeta, jetëmarrje, jetëprerë, ditëprerë, kupëpërmbysës, binadalë. Ashtu si dhe romanet e tjera, e veçanërisht “Një copë tokë nën qiell” (i cili duhet thënë se është një nga romanet më të arrirë të këtyre dy dekadave) edhe “Mallkimi i grave” flet shumë për talentin e padiskutuar të këtij prozatori, për të cilin deri tani sikurse e thamë, është folur shumë pak. Por në letërsi, më shumë se kudo, padrejtësitë ndreqen shpejt dhe s`duan t`ia dinë për asnjë lloj mallkimi apo heshtjeje.