Shoqata DUKATI/Kërkohet zbatimi i Kushtetutës për pronën

561
Sigal

Në datën 19 gusht 2013, në qytetin e Vlorës u zhvillua mbledhja e degëve të Shoqatës Kulturore Atdhetare Dukati në Vlorë, Tiranë, Durrës, Fier, Berat, e Lushnjë. Në këtë takim morën pjesë rreth 80 vetë, përfaqësues të këtyre degëve e bashkëfshatarë Dukatas, që kanë punuar e kanë dhënë kontribute të rëndësishme si në zhvillimin ekonomiko- shoqëror të vendit, por edhe të fshatit të tyre, si dhe kanë ndihmuar e mbështetur konkretisht fshatin, kur ka qenë e nevojshme. Në këtë takim u diskutua përsëri problemi i kthimit të pronave. Me theks e shqetësim të veçantë u diskutua rreth problemit të mos zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në lidhje me të drejtën e pronës. Problemet që u trajtuan në këtë takim preokupojnë rreth 600 familje Dukatase. Kjo masë e konsiderueshme pronarësh prej vitesh protestojnë e kërkojnë kthimin e tokave, që i trashëgojnë nga të parët e tyre, por që u janë marrë nga të tjerët nga zbatimi i ligjit 7501. Konkretisht problemi më i rëndësishëm, që preokupon sot mbarë komunitetin e fshatit tonë, është ai i pronave. Është problemi i pronave, sepse qysh pas ardhjes në fuqi të sistemit komunist, për shkak të reformave komuniste të njëpasnjëshme, e drejta mbi pronën ka marrë disa goditje. Fillimisht me reformën agrare, që për hir të së vërtetës nuk i la fare pa tokë as kundërshtarët politik të regjimit komunist, që më pas vazhdoi me sekuestrimet për krijimin e fermës së Dukatit,  pastaj me kolektivizimin, më pas me kushtetutën e vitit 1976 që tokën e konsideroi pronë “shtetërore”. Por, edhe pas rënies së sistemit komunist dhe instalimit të sistemit kapitalist  të ekonomisë së tregut, klasa e re politike po me mendësi komuniste, megjithëse shfuqizoi Kushtetutën e vitit 1976 me ligjin 7491 dt. 29. 4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, –  pra që u sanksionua që toka nuk ishte më e shtetit jo vetëm që toka nuk iu kthye menjëherë pronarëve te shpronësuar, por miratoi Ligjin antikushtetues 7501, dt. 19.07. 1991 sipas të cilit, ndryshe nga gjithë llojet e tjera të pronës, Toka do të ndahej për frymë të popullatës që punonte e banonte në fshat, me 1.09.1991, duke ja u marrë pronën gjithë të tjerëve. Kjo ndodhi vetëm në Shqipëri, ndërsa në gjithë vendet e tjera ish-socialiste prona shkoi tek i zoti.

Sot për pronat në vendin tonë numërohen më shumë se 20 akte ligjore e nënligjore, që njëri ta jep e tjetri ta merr pronën, dhe kanë futur gjithë fshatin në konflikt të papajtueshëm me njëri-tjetrin. Për këtë diskutantët në këtë takim vunë theksin në situatën e krijuar sot në fshatin e dukatit nga zbatimi i gjithë këtyre ligjeve me standarde të ndryshme dhe veçanërisht i ligjit 7501:

Së pari, janë rreth 550 familje të larguara nga Dukati dhe me banim në Vlorë, Tiranë, Fier, Durrës, Lushnjë, Berat, që nuk i kanë marrë tokat e tyre, sepse nuk banonin në fshat më 1 gusht 1991. Kështu, qindra Dukatasve të larguar nga fshati, për arsye pune,  iu morën tokat dhe u trajtuan si çamët që i përzuri Greku, por edhe ata (çamët) po i kërkojnë e me siguri që një ditë do ti marrin pronat e tyre.

Së dyti, janë mbi 250 familje Dukatase në Orikum, që shteti u ka dhënë tokë në përdorim, por ndërkohë ka nxjerrë ligjin për zonat turistike dhe ligjin për urbanistikën etj., sipas të cilëve këto toka i merr pronari që i ka trashëguar, që në fakt po i marrin në vazhdimësi dhe pas kësaj, përdoruesit do të mbeten pa gjë. Por nuk mund të harrojmë se këtyre 250 familjeve iu është marrë toka e tyre në Dukat. Së treti, janë rreth 30 familje që u janë sekuestruar mbi 700 dyn tokë për formimin e Fermës së Dukatit dhe që nuk u kthehen, sepse konsiderohen sikur ja kanë dhënë Dhuratë shtetit. -Çfarë absurditeti –  po, ja “fala” shtetit komunist, i cili mi kërkonte me prangat gati, por tani shteti komunist vdiq dhe prona është e duhet t’i kthehet të zotit. Në takim u argumentua se asnjëri nga këta punëtor apo nëpunës, që banojnë apo punonin jashtë kooperative dhe që u lanë jashtë skemës së ndarjes së tokës, nuk është larguar arbitrarisht nga fshati, por për nevoja të shtetit dhe me miratim të organeve të pushtetit të fshatit. Njëherësh, të gjitha këto familje janë de fakto bashkëformues e anëtarë të kooperativës, pavarësisht se ku banojnë, sepse secili ka futur në kooperativë tokën e tij, bagëtitë, kafshët e punës etj. Këto asete apo kapitale të tyre janë përdorur dhjetëra vjet nga kooperativa pa i dhënë as qera e asgjë prej gjëje këtyre pronarëve. Gjithashtu, u theksua se në kooperativa marrëdhëniet me anëtarët rregulloheshin me statutin e kooperativës, sipas të cilit çdo anëtar i kooperativës nëse do dëshironte ose në rast se do shpërbëhej kooperativa, mund të dilte nga kooperativa, duke marrë edhe tokën e tij dhe kapitalet e tjera. Ndërkohë që këto familje kanë punuar për dhjetëra vjet në kooperativë, por data 1 gusht 1991, që u caktua në ligj si referencë, fatkeqësisht nuk i zuri me banim apo me punë në fshat. Njëqind përqind e Dukatasve nuk kanë marrë kullotat e tyre. Është e vërtetë që për kullotat ka dalë ligji për t’ju kthyer të zotit. Por kjo mund të përshpejtohej nëse shteti, njohjen e pronësisë së kullotës do ja kalonte në kompetencë pushtetit vendor, siç i ka kaluar administrimin e kullotave. Koncepti i shtetit se çdo pronë, që nuk vërtetohet nga pronari, i mbetet shtetit është tërësisht i gabuar, sepse shteti pronat e tij duhet t’i vërtetojë me tapi të para vitit 1945, njësojë si subjektet e tjera.

U veçua fakti që, me ligjin 7501 u shkel brutalisht një nga të drejtat themelore të njeriut, ajo mbi pronën private, e cila në Kartën e Kopenhagenit (e ratifikuar edhe nga Parlamenti Shqiptar), kategorizohet si e shenjtë, e patjetërsueshme, e trashëguar nga brezi në brez dhe që ruhet nga shteti me ligj. Po ashtu, në Kushtetutën e Shqipërisë, miratuar me Referendum popullor në vitin 1998, janë sanksionuar 3 nene të rëndësishme për të drejtën e pronës.

Neni 41, germa b “prona private fitohet me dhurim, me blerje ose me trashëgim….”

Neni 42, “tjetërsimi i pronës bëhet vetëm për interesa publike, kundrejt shpërblimit të drejtë…..”

Neni 181, “Kuvendi i Shqipërisë, brenda 2-3 vjetësh, duhet të ndryshojë ligjet për pronat, që kanë dalë para kësaj Kushtetute, duke i përshtatur sipas nenit nr.41”.

Është e rëndësishme të njihet fakti, që ky ligj (7501) nuk u zbatua në më shumë se gjysmën e fshatrave të Republikës, por u shpërfill e u anashkalua, pa krijuar asnjë problem social. Kështu ndodhi në fshatrat e Qarqeve veri-lindore të vendit, madje duke filluar qysh nga Tirana e deri në kufirin verilindor të vendit, secili pronar trashëgimtar ka marrë tokën e tij. Vepruan kështu sepse e dinin që, po të vepronin siç i orientoi politika me ligjin që iu ofroi e dinin që me siguri do të përfundonin në konflikt e vetëgjyqësi me njeri tjetrin. Nga kjo mënyrë veprimi nuk pati ankesa përkundrazi të gjitha palët u kënaqën.

Si mundet, që neve 600 familje, që kemi tokat tona e trojet tona në fshatin tonë, të trajtohemi si muhaxhir e të na merren tokat në formën më fyese e mospërfillëse, ndërkohë që klasa e jonë politike nga toka e popullit Shqiptar iu dha edhe minoritarëve, duke i bërë pronarë pa qenë ndonjëherë të tillë. Por gjithashtu në të njëjtën mënyrë na trajtuan edhe bashkëfshatarët tanë, veçse kjo na vjen më e hidhur e më ofenduese.

Në fakt do të ishte mirë që edhe në fshatin tonë problemi i pronave të gjente të njëjtën zgjidhje si në rreth 50 përqind të fshatrave të zonës verilindore të vendit, të cilët me mirëkuptim respektuan ligjin por edhe të drejtat zakonore, duke e trajtuar si të shenjtë origjinën e pronës-pra pronën e trashëguar dhe secili u kthye në shtëpinë dhe pronën e tij.

Nga pjesëmarrësit u theksua me forcë fakti që, problemi i mos kthimit të pronës tek i zoti dhe  veçanërisht i mos zbatimit të kushtetutës na i ka tronditur mjaft marrëdhëniet me njëri-tjetrin, brenda fshatit, ndërkohë që në shekuj kemi jetuar të bashkuar e po kështu kemi kontribuar e zgjidhur mjaft situata të rëndësishme historike jo vetëm për fshatin, por edhe për vendin. Do të ishte një gabim i pafalshëm, që për ca dynymë tokë që përfitohen duke i marrë tjetrit pronën, jashtë çdo konsensusi e norme zakonore, të prishim unitetin e fshatit, por njëherësh, duhet të jetë e qartë si drita e diellit, se nuk mund të ketë ligj që të prish e të cenojë marrëdhëniet brenda fshatit, sepse ligjet i bëjnë qeveritë dhe qeveritë ndryshojnë, por neve nuk mund të ndryshojmë edhe pronat e shtëpitë sa herë që ndryshojnë qeveritë. Sepse ne jemi dukatas në shekuj, në mbështetje të njëri-tjetrit, në gëzime e në dhimbje. Sepse jeni ju bashkëfshatarët, miqtë e vëllezërit tonë aty, prandaj duam edhe ne të jemi aty bashkë me ju, jo vetëm në të gjallë, por edhe në tjetrën jetë, prandaj edhe arkivolet tanë vijnë aty për të pushuar përgjithmonë. Në këtë kontekst (të unitetit) përfaqësuesit e degëve shprehën indinjatën dhe mendimin se drejtimi i Shoqatës kërkon një sjellje më prudente e të thjeshtë, më të ngrohët e më të paanshme, sepse prepotenca në shoqatë nuk ka vend. Shoqata është e të gjithë dukatasve. Aty duhet të afrojmë edhe nipërit e mbesat tona.

Në përfundim u arrit në konkluzionin se situata e krijuar nga zbatimi i ligjit antikushtetues 7501 kërkon zgjidhje. Prandaj unanimisht u vendos që t’i kërkohet Qeverisë së re, që doli nga zgjedhjet plebishitare të 23 qershorit, që në zbatim të nenit 181 të kushtetutës së Republikës, të ndërhyjë në amendimin e ligjit 7501, të cilin me kohë e ka shfuqizuar kushtetuta, në mënyrë që t’i hapet rruga rregullimeve të nevojshme të pronave dhe kthimit të pronave tek i zoti. Këtë detyrim ja kanë kërkuar e vënë si kusht Qeverisë Shqiptare edhe strukturat e komunitetit Europian, që nëse nuk do zgjidh problemin e pronës, nuk do mund të integrohet në Europë.

Degët e Shoqatës K.A Dukati në Vlorë, Tiranë, Durrës, Fier, Lushnjë, Berat