Shkrepëtimat e politikës dogjën pyjet dhe pylltarët

721
Dr. Selman MEZIU

Shkrepëtimat e politikës njëzetë e shtatë vjeçare kanë djegur dhe do të vazhdojnë të djegin, pyjet e gjelbërta dhe vetë pylltarët e shkatërruar moralisht dhe të pa shpresë e forcë për t’u bashkuar e luftuar për të drejtat e tyre legjitime

Gjithkush mund të shtroi pyetjen: Përse vallë ky shqetësim drithërues, marramendës, moral, profesional, i furishëm i ndërmarrë në fundin e muajt Gusht dhe fillimin e Shtatorit nga ju? Përgjigja është e thjeshtë, për pylltarët të punësuar në pyje, por edhe për ato të papunët, pensionistët, veteranët, mërgimtarët që veshën sadopak uniformën e gjelbërt të pylltarit ose mësuan formulën e fotosintezës në fiziologjinë e bimëve pyjore. Por fatkeqësisht e paqartë për kryeministrat që qeverisën për më se njëzetë e shtatë vjet ekonominë shqiptare, për deputetët që ngrohën karriget po për kaq kohë, për presidentët e republikës e deri tek politikanët, që tanimë shumica janë biznesmenë dhe as që u shkon ndërmend, se ka apo jo pyje, edhe pse po iu digjet toka nën këmbë çdo stinë vere. Atëherë le t’i sqarojmë. 

Së pari, zjarret e shumta gjatë këtyre tre muajve, pra 1000 raste të tilla, dhe 62 mijë hektar pyje të shkrumbëzuara plotësisht (shifra ende në rritje). Të ndodhura në të gjitha kategoritë e pyjeve shqiptare, në të gjitha llojet drunore e shkurroje, madje edhe në kullota e ullishte dhe në çdo cep të Shqipërisë. 

Së dyti, indiferentizmi i pafalshëm, i pa shpjegueshëm, nervozues i kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Mjedisit Lefter Koka, të presidentëve, të deputetëve të të dy krahëve dhe vetë opozitës me kryetarin e saj, Lulëzim Bashën dhe partitë e tjera politike opozitare të dala pas zgjedhjeve. E atëherë? Të regjistrohen njëmijë raste e të akuzohen vetëm nëntë persona për vënie zjarri të qëllimshëm, kur perfektët nëpër rrethe e kryetarët e Bashkive dhe deri tek fshatarët e thjeshtë shprehen, se më shumë se 90 % e rasteve ishin të qëllimshme. Kjo justifikohet edhe me përsëritjen e zjarreve në disa masive pyjesh edhe dy, tre e katër herë. Duke analizuar me kujdes faktorët objektivë e subjektivë, dalim me përfundimin, se ka munguar organizimi i vrojtim-sinjalizimit për zjarret, kostoja e të cilit, për tre muaj nuk e kalon vlerën e një dynymi pyll ahu të prerë në moshën e shfrytëzimit. Kështu që përfundimisht, faji bie automatikisht mbi organizimin e gabuar të pylltarëve nga qendra në bazë, copëzimi në pyje të mbrojtura të varura nga një drejtori në Ministrinë e Mjedisit, dhe pyje komunalë pa të zotët mbrojtës, as si pronë e as si organizim, as me ligje apo funksionim teknik mbrojtës, përmirësues, shfrytëzues etj. Po indiferentizmi i institucioneve qeveritare, shtetërore, kryetarit të qeverisë e të shtetit, si mund të shpjegohet? Paaftësia qeverisëse e politikanëve shqiptarë, kultura e cunguar e tyre në fusha të ndryshme, sëmundja kanceroze e korrupsionit ka krijuar një qark të mbyllur pozitë-opozitë, e cila ka krijuar mjerisht, plagët ekonomike, shoqërore, të natyrës, gabimet në administrim të pasurive nëntokësore e mbitokësore etj. Ndërsa nga ana psikologjike kanë mbetur si rriqna të majmura, në trurin e politikanëve:

– uni, 
-bajraktarizmi, 
-hakmarrja e të gjitha llojeve e mënyrave, 
-egoizmi i shfrenuar, 
-mendjemadhësia, 
-mungesa e plotë përgjegjësisë për atdheun e popullin, 
-prirja për t’u pasuruar sa më lehtë me vjedhje e grabitje, 
-shkelja me këmbë e ideve edhe fizikisht e kundërshtarit politik, qoftë ky politikan, shkencëtar apo i diplomuar me shkollë të mesme etj. 

Të gjitha këto u pasqyruan në gjithë qelizat e ekonomisë, politikës, kulturës, qeverisjes, organizimit, drejtimit, administrimit të pronave, reformave të ndryshme, shtresave shoqërore etj. Preh e majme e politikanëve edhe e qeverive u bë pasuria pyjore duke u vënë në anë e këndin mafiozë pa marrë parasysh mendimin e specialistëve të pyjeve. Pylltaria shqiptare u kthyen në një lojë bixhozi, ajo mbeti në disa skuta të Ministrisë së Mjedisit, ku urdhrat e kompetencat iu kaluan ministrave e zëvendësministrave të kësaj ministrie duke bashkëpunuar ngushtësisht me mafiozët e shfrytëzimit e tregtimit të lëndës drusore. Që këtu filloi rrokullisja e kësaj pasurie dhe e vetë qindra e qindra specialistëve të pyjeve. Që këtu u fikën dritat e gjelbërta, projektuese e administruese të tyre, ato u kthyen në robotë pa qëllime dhe ide. Lapsi, pena kompjuteri nuk u përdorën nga hartuesit e dikurshëm të projekteve të shfrytëzimit, përmirësimeve, pyllëzimeve, mbarështimit apo sistemimeve malore etj. Inxhinierët dhe teknikët e pyjeve u “vranë” ekonomikisht, profesionalisht, moralisht, psikologjikisht. E me gjithë këto plagë të dhimbshme, armata e pylltarëve nuk patën forcë dhe kurajë për njëzetë e shtatë vjet të organizoheshin në momentet më dramatike të jetës së tyre profesionale, në protesta e revolta masive. Fatkeqësisht ato mbetën gjithmonë kokulur, të nënshtruar, të pa fjale, vetme ‘urdhëro e si urdhëro’ edhe eprorit pa profesion, por vetëm e vetëm që kishte teserën e një partie të caktuar. Prandaj mora guximin të ngrihem mbi gërmadhat e organizimit anadollak pyjore dhe keqtrajtimit të kujdestarëve të pyjeve në një revoltë apo me forma të ndryshme, por me një organizim masiv pylltarësh, për të kundërshtuar padrejtësitë e bëra ndaj ekosistemit pyjor dhe vetë atyre. Kjo duke shfrytëzuar dëmtimet kolosale ekonomike, dhe ekosistemit te gjelbër të pyjeve me zjarret masive pothuajse gjithmonë të qëllimshme dhe ruajtjen e të njëjtave struktura organizuese të pyjeve në Qeverinë ‘Rama 2’, mendova të ngre peshë shpirtin revoltues të pylltarëve kundër politikës krejtësisht dhe thellësisht të gabuar në politikën pyjore edhe për katër vjetët e ardhshme. Qofsha i gabuar, por me sa duket deri në këto momente shkreptimat e politikës njëzetë e shtatë vjeçare kanë djegur dhe do të vazhdojnë të djegin, pyjet e gjelbërta dhe vetë pylltarët e shkatërruar moralisht dhe të pa shpresë e forcë për t’u bashkuar e luftuar për të drejtat e tyre legjitime. Që të mos ndodhë kjo kërkohet urgjentisht që organizatat qeveritare, shoqatat e ndryshme të mblidhen dhe të ndërtojnë planin e një lufte frontale me të gjitha format e mënyrat demokratike kundër politikës së gabuar mbi qeverisjen e pasurisë pyjore të mbetur, që dikur (jo shumë larg) mbulonte 37% të sipërfaqes së Republikës së Shqipërisë.
Sigal