Shkëlqim GUÇE*/ Thesaret e Luginës së Drinos

727
Sigal

Në vështrimin sipërfaqësor, Lugina e Drinos ngjan me një djep gjigant, që përkund gjurmë e dëshmi. Mbulesa e kësaj hapësire, ku ne qëndrojmë e jetojmë mërmërinë duke mbajtur në gji mistere. Gojëdhënat lartë, e vërteta poshtë. Prej paleolitit si, Goranxia e Lazarati te prehistoria me tumat e Vodhimës, Kakavisë, Valaresë, për të vazhduar me kryeqendrën, Antigonenë antike para Romake, Leklin, Kordhocën, Sopotin, Selanë me funksion ushtarak, ku me rëndësi mbetet Kardhiqi e Melani, e më pastaj Adrianopoli, Palokastra, për të mbërritur te Gjirokastra, janë treguar fytyrat e kohëve, që shekujt i kanë marrë me vete, nëse do të harrojmë se nga vijmë, do të jetë e vështirë të orientohemi ku shkojmë. Vendbanimet e hershme, kalatë, tumat, kuvendet, dominojnë në të dy krahët e rrjedhës së lumit Drino. Kuvendi zakonar i Taroninës, apo ato me karakter historik si “Besëlidhja e Kurveleshit” në Picar, kuvendi i Gjirokastrës, Kuvendi i Cepos, evidentojnë thesarin e vyer të vlerave, që krijon një gjerdan të rrallë për kulturën tonë kombëtare. Objektet e kultit si, kisha e Labovës së Kryqit dhe Teqeja e Melanit, mbartin në vetvete, jo vetëm vlera arkitektonike e shpirtërore, por edhe bashkëjetesën fetare të popullsisë ortodokse me atë myslimane, të origjinës shqiptare, greke, vllahe etj. Trashëgimia kulturore e Gjirokastrës, Lunxhit, Dropullit, Labërisë, Zagorisë, Libohovës, afron dhe dallon në ritet, zakonet, veshjet, por isopolifonia dhe Gjirokastra e tërë qëndron në fondin e artë të kulturës botërore duke e bërë luginën e Drinos shtratin e thesareve. Kjo panoramë hera-herës është shkarravitur nga pseudogjurmues të ligjshëm e të paligjshëm, siç ka ndodhur me varrin monumental dymijë e pesëqind vjeçar në Jorgucat, apo varret tumolare të Valaresë. Dëmtimet dhe grabitjet e kanë cenuar rëndë këtë lloj trashëgimie. Një erë e re bashkëpunimi duhet të fillojë midis qeverisë vendore dhe asaj qendrore për të mos heshtur përpara këtyre varrmihsave e vandalizmave, mbi këto vlera që janë duke u zhdukur. Kërkojmë larg, kur e dimë se ç’kemi afër. Jetojmë pranë pasurive dhe vazhdojmë të jemi të varfër. Ky mozaik vlerash kërkon frymë dashamirësie, investim dhe menaxhim. Nëse u biem tam-tamëve, për të kujtuar se duhet t’i shërbejmë asaj që trashëgojmë e nesërmja do të jetë ndryshe. Për të larguar mjegullën e tejzgjatur e për të nxjerrë në dritë atë që mendojmë se e kemi, duhet ta dimë njëherë e mirë se: thesaret e luginës së Drinos, janë kapital historik, kulturor, ekonomik.
*Specialist i trashëgimisë kulturore. Qarku Gjirokastër